Golden State Warriors hakmerren ndaj Los Angeles Lakers për humbjen e pësuar mbrëmjen e Krishtlindjes në “Oracle Arena”. Këtë herë skena ishte zhvendosur në “Staples Center”, aty ku kampionët në fuqi të NBA u shfaqën prepotentë, duke fituar thellë 111-130. Pa LeBron James, që vazhdon të jetë i dëmtuar, kalifornianët e patën të vështirë të përballonin furinë e Warriors, sidomos në periodën e tretë, ku u shënua një rezultat i pjesshëm 25-45. I papërmbajtshëm Klay Thompson, autor i 44 pikëve, ndërsa Stephen Curry u kursye me vetëm 11 pikë e 12 asistime. Thompson theu dhe një rekord në NBA, duke qenë i saktë 100% në 10 gjuajtjet për tri pikë. Për Lakers u munduan të bënin diçka Ivica Zubac me 18 pikë e Brandon Ingram që shtoi 17 pikë të tjera.
37 pikë realizoi James Harden në përballjen e Houston Rockets ndaj Philadephia 76-ers, por, çuditërisht, performanca e tij nuk mjaftoi për të fituar, pasi ai u shfaq si i vetëm në një ishull. Falë 32 pikëve dhe 14 “rebound” të Joel Embiid, 76ers triumfuan me diferencë 121-93.
Boston Celtics mposhtën Miami Heat 107-99, duke e bërë diferencën mbi parket në periodën e tretë, teksa realizuan më shumë se dyfishin e pikëve të kundërshtarit, 37-18. Vazhdon të shkëlqejë për Celtics Kyrie Irving, i cili e mbylli takimin me 26 pikë e 10 asistime.
Në “Madison Square Garden” Oklahoma City Thunder iu imponuan New York Knicks me rezultatin e thellë 109-127, të inspiruar nga trioja Paul George-Russell Westbrook-Dennis Schröder, me 65 pikë në total (31 George dhe nga 17 Westbrook dhe Shroeder).
Talenti Slloven, Luka Doncic, realizoi “triple-double” e parë në karrierë në radhët e Dallas Mavericks: 18 pikë, 11 “rebound dhe 10 asistime, por paraqitja e tij nuk mjaftoi për të shmangur humbjen ndaj Milwaukee Bucks 116-106. Spikati me 31 pikë dhe 15 “rebound” Giannis Antetokounmpo, ndërsa 21 pikë të tjera i shtoi Eric Bledsoe.
Rezultatet:
New York Knicks-Oklahoma City Thunder 109-127
Cleveland Cavaliers-Chicago Bulls 88-104
Washington Wizards-Detroit Pistons 101-87
Milwaukee Bucks-Dallas Mavericks 116-106
Atlanta Hawks-Orlando Magic 103-122
Brooklyn Nets-Sacramento Kings 123-94
Memphis Grizzlies-New Orleans Pelicans 85-105
Boston Celtics-Miami Heat 107-99
Philadelphia 76ers-Houston Rockets 121-93
Utah Jazz-Portland Trail Blazers 104-109
Los Angeles Lakers-Golden State Warriors 111-130
/Super Sports/