Teatri “Migjeni” nga Shkodra ka qenë në Tetovë gjatë mbrëmjes së djeshme për të vënë në skenën tetovare para publikut veprën “Zona e pritjes” komedi e zezë. Vepra e autores Marina Vucic dhe regjia e skenografia është nga Fatos Berisha, kostumografia nga Desantila Lika.
Në komedinë e zezë “Zona e pritjes” ngjarjet zhvillohen në një korridor ambulance, ku të gjithë presin të futen tek doktori. Por ama kur i vjen rralla për t’u futur të gjithë nxjerrin nga një justifikim për ta shtyrë këtë takim. Kemi një zonjë në moshë, e cila përzihet duke u përfshirë në çdo bisedë apo hall që këto personazhe kanë, duke ndërhyrë në hallin e çdo personi, sa arrin të bëhet shqetësim për të gjithë ata që presin. Personazhi i djalit të ri, i cili hiqet si shkrimtar, por në të vërtetë ai është një endacak, i cili shkon në zona të ndryshme të pritjes thjesht për tu ngrohur, sepse nuk ka ku shkon. Ai është një person i vetmuar, babai i tij marinar anijesh ka vdekur dhe gruaja e ka braktisur. Pjesë e komedisë është një aktore filmash, e cila mundohet të futet pa rrallë, duke shfrytëzuar postin e saj publik, por që edhe ajo është e mërzitur me rolet e saja. Po ashtu një djalosh, i cili është i dëshpëruar, dhe ai sëmuret vetëm nëse doktori i thotë që je mirë me shëndet, sepse ai është i fiksuar se ka një sëmundje.
Në komedi vijnë dhe një çift bashkëshortësh, të cilët grinden gjatë gjithë kohës, dhe bashkëjetesa e tyre është në fije të perit, pasi burri e ka gënjyer që është i paralizuar për tre vite. Në personazhet e komedisë është dhe një vajzë, e cila është e sëmurë, por që është më e urta dhe pajtohet me sëmundjen e saj. Komedisë së zezë nuk mund ti mungonte dhe infermierja, e cila është e rreptë dhe endacaku, i cili shkon kudo thjesht për të gjetur një vend për t’u ngrohur dëbohet nga ajo. Me lojën e aktorëve në teatër do të përcillen probleme të shumta sociale, që lidhen edhe me aktualitetin në vendin tonë, por jo vetëm. Në role janë Vera – Rita Gjeka; Bero Fruk – Nikolin Ferketa; Izabela – Linda Jarani; Vedran – Jozef Shiroka; Tonka – Kristi Lleshi; Zvone – Simon Shkreli; Lara – Nensi Bakalli; infermierja – Merita Smaja dhe endacaku – Oliver Ymeri.
/Urban/