Ndodh,
e di që shpeshtas ndodh,
të lodhesh, të të përgjaken gjunjët, të mos ëndërrosh,
T’ia marrë mendimi n’ashtje tutje,
dhe gjithë natën të mos mund ta ndalosh.
Dhe ndodh,
e di që tek të gjithë ndodh,
të rëndojë koha, trasta e viteve,
të ngadalsojë zemra rrahjet e shpeshta,
me të cilat u binte si me grushte brinjëve.
Por ndodh,
siç ndodh rëndom dhe shpirtrash,
që lulja zë rritet e hijshme mes shkrepash,
apo siç në zemrat e lodhura, në pragmars,
mbjell Zoti tufa të ëmbla shpresash!