Dritëro Agolli – Kur të jesh mërzitur

Dritëro Agolli – Kur të jesh mërzitur

Këtu s’ do të jem, do jem larguar;
Në tokë i tretur si të tjerët,
Në kafenenë e preferuar,
Nuk do më shohin kamarierët.

Dhe nëpër udhët ku kam ecur,
S’do ndihet kolla ime e thatë,
Mbi varrin tim do te rrijë i heshtur
Nje qiparis si murg i ngratë.

Ti do trishtohesh atëherë,
Se s’do më kesh në dhomë gjallë,
Dhe, kur në xham të fryjë erë,
Do qash me erën dalëngadalë.

Po kur të jesh mërzitur shumë.
Në raft të librave kërkomë,
Atje do te jem i fshehur unë,
Në ndonjë varg a ndonjë shkronjë

Mjafton që librin pak ta heqësh
Dhe unë do zbres, do vij pas teje;
Ti si dikur me mall do qeshësh,
Si një blerim pas një rrëkeje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *