Lucas Dines: Tetova më konvertoi në një person tjetër!

Lucas Dines: Tetova më konvertoi në një person tjetër!

Lucas Dines është autor i ri. I rritur në New Mexico të Shteteve të Bashkuara. Pas mbarimit të studimeve të doktoratës për psikologji klinike në Univerzitetin e George Uashingtonit, me nevojën për një ndryshim në jetë, shiti gjithçka që posedonte, dhe me dy valixhe dhe një biletë një-kahëshe u nis për në Maqedoni.

Tetova ishte qyteti i tij i fatit, ku punoi për më tepër se katër vite si profesor universitar dhe udhëheqës i një shkolle të mesme. Ai rikthehet në Tetovë nga Korea a Jugut ku jeton aktualisht, këtë herë për të promovuar librin e tij Bijtë e Dheut, një ngjarje e cila flet për Maqedoninë dhe Ballkanin në vitin 1902.

Dines u tregua shumë i gatshëm për të ndarë me lexuesit tanë informacione të reja dhe na ndihmoi të shuajmë kureshtjet tona lidhur me librin e tij të ri. Lexojeni! 

 

Një amerikan i cili shkruan për një ngjarje që zë vend ne Maqedoni, nuk është një gjë shumë e zakonshme, a mund të na thoni, si ju erdhi inspirimi?

  • Jam inspiruar nga njerëzit. Kam jetuar në Maqedoni gjithsej katër vite, të gjitha vitet në Tetovë, dhe njerëzit kanë qenë gjithmonë forca shtytëse për të vazhduar para. Kjo më ka bërë të ndihem se pavarësisht ku kam kërkuar, pavarësisht pyetjeve që kam pyetur, kë kam takuar, gjithnjë ekzistonte një histori për t’u treguar. Jeta në Ballkan është më e ngadalshme dhe ndonjëherë njerëzit në perëndim mendojnë së është më e lehtë, gjithsesi, shpejt e mësova se kjo gjë nuk është e vërtetë. Në fakt, jeta në Ballkan dhe sidomos në Maqedoni është shumë e pasur dhe e komplikuar. Ka thellësi e cila rrjedh në dheun e vendit, tek njerëzit dhe në stilin e jetesës, kjo është një burim i pashtershëm inspirimi për çdo shkrimtar.

Çfarë është një ngjarje e cila ka lënë tek ju përshtypje të veçanta për Tetovën?

  • Kam me miliona ngjarje për të treguar për Tetovën. Kam edhe dy postime në faqen time (com), të dedikuara Tetovës dhe Bozofcës, prandaj nuk do të doja të ripërsëris të njëjtat. Një tjetër që do e ndaj me ju, është eksperienca ime e parë gjatë zgjedhjeve lokale. Gjithë miqtë dhe kolegët e mi më këshilluan të qëndroj në shtëpi dhe mos dal jashtë, dhe kuptohet që unë nuk i ndëgjova. Që të i bie ngjarjes së shkurti, isha duke shëtitur në qytet kur PDSH i filloi festimet në qendrën e qytetit. E kujtoj qartë që derisa ecja drejt turmës një burrë nxori revolverin dhe qëlloi në ajër. Pastaj mbaj mend të kem shkuar në shtëpi dhe nga ballkoni kam ndjekur gjurmët e plumbave në qiellin e natës përderisa festimet vazhdonin. Ishte një prezantim sureal dhe njëkohësisht i vërtetë i Tetovës.

A ka pasur ndonjë influencë në mendësinë tuaj, jetesa në Maqedoni për një kohë? Çfarë?

  • Sinqerisht besoj se Maqedonia më ka ritur. Para se të shpërngulem në Tetovë, kam punuar si psikolog në Spitalin e Çështjeve Veterane në Uashington DC. Isha shumë i dhënë pas jetës së zakonshme Amerikane. Më pas u shpërngula në Tetovë dhe gjithçka ndryshoi. Isha një i huaj i cili luftonte të pozicionojë vetveten në një kulturë kryekëput tjetër. U mësova si është të jetohet pa ujë dhe energji elektrike. Mu desh të mësoj si të menaxhoj komunikimet dhe marrëdhëniet në një formë shumë ndryshe. Gjithçka ishte e çuditshme dhe hutuese. Mu desh që të adaptohem, ose të kthehesha në shtëpi si dështak.

 

Ngadalë u adaptova dhe sinqerisht u konvertova në një person tjetër. Mësova si t’i vlerësoj gjërat dhe shërbimet. Në SHBA ne presim gjithçka të funksionojë si duhet dhe i marrim gjërat për të mirëqena. Pas eksperiencës në Maqedoni, tani kur gjërat funksionojnë i konsideroj si një befasi e këndshme dhe jam mirënjohës për shërbimet kur të njëjtat ofrohen. Tani më shumë përqendrohem tek marrëdhëniet me njerëzit përkundrejt transaksioneve. Ne amerikanët jemi shumë direkt dhe të dhënë pas transaksioneve, ndërsa njerëzit e Ballkanit janë më të fokusuar pas besimit dhe marrëdhënieve. Amerikanët kanë ideologjinë fillimisht biznesi dhe më pas marrëdhëniet. Njerëzit në Ballkan kanë marrëdhëniet para dhe më pas biznesin. Unë e adhuroj këtë aspekt të stilit të jetesës dhe më pëlqen si i njëjti shprehet përmes kafeve pa fund dhe drekave të zgjatura përgjatë bisedave dhe lidhjeve të reja. Mbase ndonjë gjë do të bëhet, mbase jo, por nuk është e rëndësishme.

 

Maqedonia më ka ndryshuar në shumë mënyra tjera, por ndryshimet më domethënëse kanë qenë të jem mirënjohës për gjërat që kam si amerikan dhe tu kushtoj më shumë vëmendje lidhjeve që kam në jetën time.

Në parathënien e librit thoni: Tetovës vendit që dua dhe urrej aq shumë? Pse?

  • Mendoj që gjithkush që ka jetuar në Tetovë e kupton shumë mirë pse e them këtë. Tetova ka një karakter shumë të pasur, është e bukur, me njerëz të mahnitshëm qe të pushtojnë. Malet dhe lumi. Xhamitë e pikturuara dhe teqeja. Ecje të ngadalshme përgjatë rrugës kryesore, mbase një kafe tek Tivoli apo tollumbat tek Amfora, të përshëndesësh 50% të njerëzve që shef, sepse është një komunitet aq i vogël. Këto anë të Tetovës janë aq mbresëlënëse. Por kur shkon në shpi dhe nuk ke energji elektrike, ose do të bësh një dush por nuk mundesh se nuk ka ujë ndërkohë që shitësit poshtë lozin me ujin mbi çimenton e trotuarit. Gjatë dimrit mezi mund të lëvizësh nëpër rrugë sepse shërbimet komunale nuk kanë paguar dikë të pastroj rrugën. Politikanët e korruptuar duke vjedhur gjithkë për sa kohë të munden derisa të zbulohen… dhe pastaj të paguajnë gjykatësin me paratë të cilat kanë vjedhur. Këtë anë të Tetovës urrej, por asnjëherë nuk do mund të tejkalojë anën e Tetovës që dua.

Libri juaj edhe pse i takon zhanrit fiktiv, ka një histori dhe personazhe që datojnë nga vitit 1902, ngjarje për të cilat shumë pak ka edhe në librat tonë shkollor, nga i siguruat të dhënat sa e vështirë ishte?

  • Është dashur të bëj SHUMË hulumtim. Shumica e informacioneve në dispozicion ishin nga burime primare si: letërkëmbime, artikuj nga gazetat e vjetra dhe ditarë personal. Shumica e hulumtimeve të mia ishin të përqendruara në mënyrat e udhëtimit, armët dhe realitetet politike të asaj periudhe kohore. Një tjetër pjesë e madhe e hulumtimit tim ka qenë e përqendruar drejt Goce Dellçevit. Jam munduar të bazoj karakterin e tij në përputhje me atë se kush realisht ai ka qenë. Meqë ai është një figurë reale jam munduar që me sigurinë më të madhe të dhënat për atë të jenë të sakta, për dallim nga personazhet tjerë. Personazhet shqiptarë janë komplet fiktiv, por të bazuar në njerëz real, kështu qe ato nuk kërkon aq hulumtim, dhe bazohen në eksperiencën time personale me kulturën shqiptare. Do e paralajmëroja gjithë që ka ndërmend të shkruaj një vepër në zhanrin e historisë fiktive, është shumë e vështirë, dhe është dyfish më e vështirë kur shkruan për historinë e Ballkanit. Çdo shtet e ka versionin e vet të historisë, dhe është shumë e vështirë të vendosësh çfarë është e vërtetë dhe çfarë nuk është. Kjo ishte një fushë që më shqetësonte. Përfundimisht më është dashur të bëj një gjykim dhe të vazhdoj me një version të Goce Dellçevit dhe Jane Sandanskit. A janë Bullgarë? Apo Maqedonas? Në çfarë ato besonin? Këto ishin disa pyetje të cilave duhet të ju përgjigjem dhe ishte shumë e vështirë.

Ka komente për librin tuaj që e konsiderojnë si të njëanshëm se favorizon një nacionalitet ndaj tjetrit, si e komentoni këtë?

  • Jam 100% i sigurt se asnjëri nga personat të cilët shkruajnë këto komente nuk e kanë lexuar librin. Kjo është ironia. Këto njerëz që potencojnë se unë jam i njëanshëm, gjë që kërkon një lexim për së afërmi dhe analizë të komplikuar të punës time për ta bërë, as që e kanë hapur ndonjëherë librin. Njëjtë si në jetën reale kur njerëzit e grupeve të ndryshme në Ballkan etiketojnë njeri tjetrin si racist dhe të njëanshëm, ata e bëjnë vetëm duke parë sipërfaqësoren dhe jo duke vlerësuar karakteristikat e komplikuara të çdo individi. Është e vështirë të bazosh fjalët diku. Është me e thjeshtë të kapesh për një stereotip dhe t’a vendosh në praktikë. Njëjtë si me librin tim. Kanë parë kopertinën dhe kanë shkruar gjithë llojet e marrëzive në internet, pa lexuar as një faqe të vetme.

 

Duke shkuar edhe më tej, do thoja që libri im është shumë korrekt. Ai nuk favorizon njërin mbi tjetrin. Gjithë grupet janë eksploruar dhe anët e errëta të gjithsecilit janë ekspozuar. Unë e ftoj gjithkë t’a lexoj dhe me citime nga teksti, të debatojë korrektësinë ose njëanësinë e tij. Realisht e inkurajoj një gjë të tillë, shpresoj për të njëjtën dhe i sfidoj njerëzit ta bëjnë këtë gjë.

Shitjet, promovimi dhe jehona a i kanë përmbushur para shikueshmëritë tuaja nga publikimi?

  • Jam shumë krenar me ndikimin që libri ka pasur tek audienca në Maqedoni dhe Shetet e Bashkuara. Jam një autor i vetë-publikuar, pas mua nuk qëndron një kompani e madhe e cila do më bëjë marketingun dhe promovimin. Jam vetëm unë dhe miqtë e mi të mirë, që kanë qenë të mrekullueshëm përgjatë gjithë procesit. Shkrimi ka qenë një gjë që gjithmonë e kam bërë për satisfaksion. Kam një punë normale për të paguar faturat. Shkrimi është një pasion të cilin shpresoj do mund ta zhvilloj edhe më shumë. Për sa i përket shitjeve, dyshoj se do mund të mbledh aq para sa kam investuar në këtë libër. Kjo ishte një punë me shumë dashuri. Desha të shkruaj diçka që do i rezistonte kohërave, diçka që fëmijët e mi mund të lexonin, diçka në të cilën qytetarët e Maqedonisë do të kishin qasje nëse do vendosnin të shohin pas kopertinës. Paratë dhe fama asnjëherë nuk kanë qenë qëllimet e mia primare.

Lexuesit tanë janë kryesisht të rinjtë nga Maqedonia, çka do ju sugjeroje ose çfarë këshille do u jepni atyre?

  • Mos e humbni shpresën. Ndryshimi është i arritshëm, por do jetë shumë e vështirë dhe do kërkoj sakrifica të pabesueshme. Qeveria është pashpresë e korruptuar. Politikanët tuaj janë hajdutë. Mos prisni përgjigje nga qeveria, kërkoni ato në mesin tuaj me njëri-tjetrin. Forca më dinamike në Maqedoni është familja dhe komuniteti lokal. Nisuni nga shoqëria dhe familja juaj dhe ndryshoni botën nga aty. Pastaj zgjerohuni. Mos u lejoni hajnave të gjejnë formën për të vjedhur nga ju. Mos prisni që politikanët të bllokojnë iniciativat. Bëjeni vetë. Ndryshoni botën tuaj. Merreni fuqinë nga qeveria patetikisht e korruptuar dhe kthejeni atë tek individi, familja, lagja juaj. Nuk mund të ju them lexuesve tuaj se çfarë forme kjo duhet të bëhet, por përderisa politikanët nuk kuptojnë se i shërbejnë komunitetit dhe jo interesave individuale, asgjë nuk do ndryshojë. Protestoni. Marshoni. Bojkotoni. Studentët duhet të marrin mbi supe përgjegjësinë individuale për mësimet e tyre. Të rritet niveli i sipërmarrësisë. I cilësdo formë qoftë, sigurohuni të jetë i mirë menduar dhe i orientuar kah qëllimet. Kam parë shumë protesta në Maqedoni, sidomos nga studentë, dhe shpesh ato protestojnë nga përtacia. Për shembull, studentët nuk duan të bëjnë një provim, kështu që protestojnë kundër profesorit duke e konsideruar atë përgjegjës që ata nuk kanë mësuar. Kjo është marrëzi. Mos e humbisni fuqinë tuaj si qytetarë në protesta qesharake pa drejtim dhe benefit të vërtetë për komunitetin. Luftoni për gjërat me rëndësi.

 

Nëse do i duhej të jepja një këshillë për rininë në Maqedoni, do ishte kjo: luftoni për sundimin e ligjit. Nuk ka sundim të ligjit në Maqedoni, prandaj asgjë nuk funksionin. Duhet të përqendroni energjinë tuaj dhe të kërkoni përgjegjësi nga gjyqësori për veprimet e qeverisë. Ata janë dështakët e vërtetë në Maqedoni. Gjykatësit janë bastioni i fundit i mbrojtës së qytetarëve. Politikanët, nëpunësit policor, profesorët, doktorët dhe nëpunësit qeveritarë të cilët vjedhin dhe dhunojnë popullin e Maqedonisë, duhet të japin llogari, përndryshe asgjë nuk do të funksionon. Këto të degjeneruarit që po shkatërrojnë jetët e shumë prej jush, vazhdojnë të dëmtojnë sepse e dinë se do shpëtojnë nga kjo. Ndryshoni sundimin e ligjit fillimisht. Gjithë tjerat do vinë më pas.

Do të lexojmë diçka tjetër nga  Lucas Dines së shpejti?

  • Shpresoj që po! Kam disa ide shumë të mira për momentin dhe po punoj në një projekt të ri, por nuk mund të zbuloj këto detaje. Janë sekrete 😉  (Qesh) /bonzo.info/

 

English version (original):

Lucas Dines: Tetovo made me another person!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *