1. Si lindi ideja e krijimit të Platformës për Fuqizimin e të Rinjve?
Duke marrë parsysh se gjatë krijimit të sajë, nuk isha pjesë e grupit themelues, por, mund të them se Platforma për Fuqizimin e të Rinjve (YEP) është një organizatë jo-qeveritare e orientuar drejt rinisë, e vendosur në Gostivar. YEP u themelua më 24 Prill 2015 nga një grup të rinjsh entuziastë që besojnë në ngritjen e zërave të të rinjve dhe duke qenë në shërbim të komuniteteve të tyre.
2. Një përshkrim të shkurtër rreth veprimtarisë së kësaj platforme?
Platforma për Fuqizimin e të Rinjve përpiqet të mbështesë rininë duke nxitur aftësitë e tyre për udhëheqje, duke inkurajuar angazhimin e tyre qytetar, duke mundësuar zhvillim të aftësive teknike, dhe duke u siguruar që të gjithë anëtarët të kenë mundësi për të plotësuar potencialin e tyre për t’u bërë versioni më autentik dhe më i mirë i vetvetes.
Anëtarët aktiv të YEP-it përbëhen nga më shumë se 30 të rinj, kryesisht midis moshës 14-19 vjeç. Këtu përfshihen gjithashtu disa anëtarë më me përvojë, prej moshës 20 deri 29 vjeç. Anëtarët tanë janë të pasionuar për shërbimin e komuniteteve të tyre, të mësuarit nga njëri-tjetri, dhe për të zhvilluar përvojat e tyre.
Përderisa kryetari është në gadishmëri të udhëheq dhe këshilloj anëtarët e YEP-it, janë anëtarët ata që marrin
udhëheqjen e projekteve. Anëtarët takohen një herë në javë për të diskutuar projektet që ata dëshirojnë të planifikojnë dhe zbatojnë, dhe kryetari është aty për të ndihmuar gjatë takimeve, si dhe për t’iu dhuruar çdo mbështetje që ju nevojitet. Detyra e kryetarit është të veprojë si moderator gjatë takimit, dhe asnjëherë si ligjvënës.
Kjo garanton që anëtarët të përfshihen në mënyrë aktive gjatë diskutimeve në takime. YEP është aktive tashmë pesë vite, dhe gjatë kësaj kohe, më shumë se 50 aktivistë kanë mbështetur misionin dhe qëllimet. Aktualisht, ka nëntë projekte të ndryshme në të cilat anëtarët tanë marrin pjesë ose udhëheqin. Këto projekte përfshijnë: Say It, TechUp, Film It, YEP Talks, My Future, Techathon, Gostronic, dhe My City, My Pride.
Përmes këtyre projekteve, YEP ka mbështetur mbi 450 të rinj duke i ndihmuar ata në fitimin e aftësive të ndryshme teknike, ofrimin e mentorimit dhe nxitjen e aktivizmit të tyre. Përveç projekteve rregullisht të planifikuara, YEP zhvillon aktivitete jozyrtare për anëtarët – si netët e filmit ose shëtitjet malore në grup.
Gjatë vitit akademik 2018-2019, përafërsisht 200 persona kanë marrë pjesë në këto evenimente. Këto evenimente për anëtarët jo vetëm që janë një mënyrë e zhvillimit të aftësive dhe njohurive të tyre, por ato gjithashtu shërbejnë si një mundësi për të zgjeruar rrethin e miqësisë.
3. Cila është pjesa më e vështirë e kësaj pune?
Mund të them se janë 2 pjesë që mund të llogariten si më të vështira sa i përket punës së një organizate rinore. E para është ndryshimi i mentalitetit të shoqërisë sonë sa i përket punës vullnetare dhe kontributit për shoqërinë. Tek ne mendojnë se mjafton pjesmarrja nëpër projekte dhe marrja e mirënjohjeve. Andaj gjatë implementimit të
projekteve ne mundohemi që të motivojmë pjesmarrësit të bashkangjiten me ne dhe të jenë aktiv në organizimin e projekteve të ndryshme. Komfort zona e tyre është e rëndë për t’u thyer pasiqë bëhet fjalë për nxënës shumë të zgjuar por edhe introvert në natyrë. Projektet tona nuk janë për zbavitje dhe argëtim, andaj grupa e nxënësve të interesuar pas argëtimeve nuk shfaq aspak interes për t’u bashkuar.
Por, ne vazhdojmë të ndjekim cilësinë dhe të mos synojmë sasinë vetëm e vetëm për të mbushur fotografitë.
Pjesa e dytë më e vështirë është balansimi i nivelit të motivimit duke mos lejuar të vijë deri tek bezdisja. Duhet të kuptojmë se rinia është motori lëvizës i shoqërisë që ka fuqi të bëjë shumë ndryshime dhe aktivitete të mëdha.
Por, rinia është gjithashtu e prirur për të shuar entuziazmin dhe të kalojë në pasivitet. Andaj, duhet që në vazhdimësi të diskutohet për projekte të ndryshme të cilat do jenë në interes të antarëve por edhe të shoqërisë. Gjithashtu, duhet të kemi shumë kujdes që të mos ushtrojmë presion të tepërt që do të sjellë ikjen e tyre nga grupi.
4. Ku e shihni veten si organizatë pas 5 vitesh?
Ne vazhdimisht jemi duke ndryshuar dhe duke u përshtatur me rrethanat që na përcakton shoqëria. Nëse do shkonim 5 vite pas në periudhën e themelimit dhe do të analizonim gjendjen e tanishme, jam i sigurtë se nuk do ishte ashtu siç është menduar.
Gjeneratat e ndryshme kanë mendime të ndryshme dhe organizata jonë duhet të përshtatet me nevojat aktuale të rinisë. Ne shpresojmë që pas 5 viteve të jemi edhe më të kompletuar në cilësinë e projekteve që ofrojmë. Tashmë kemi arritur që pjesmarrësit e projekteve të ndryshme të bëhen anëtarë, e pastaj po të njëjtit të jenë organizatorë dhe ideatorë të projekteve të reja. Pas 5 viteve shpresojmë që antarët e tanishëm të jenë kthyer pas përfundimit të studimeve dhe të sjellin ide të reja me përvojat e arritura.
5. Çfarë e karakterizon platformën tuaj?
Mënyra se si organizohemi dhe qëllimi i projekteve tona janë karakteristika jonë kryesore. Ne kemi kryetar, nënkryetar dhe antarë të kryesisë, pastaj vijnë antarët e tjerë.
Por, kjo është vetëm në letër sepse në realitet nuk mund të vërehet asnjë dallim ndërmjet antarëve. Kryetari merr vendime vetëm pas konsultimit me antarët dhe pasi të largohen të gjitha kundërshtimet. Duke patur parasysh se interesi i vetëm i joni është kontributi ndaj shoqërisë, nuk ka hapsirë për të krijuar përçarje apo debate të panevojshme. Antarët japin mendimet e tyre vetëm sepse duan të ndihmojnë dhe tërhiqen nga ato mendime nëse dëgjojnë për ndonjë mendim më të mirë. Kjo ka ndihmuar që të ketë harmoni ndërmjet antarëve dhe të punohet me sinqeritet të lartë.
Nga ana tjetër ne dallohemi për nga qëllimi i projekteve tona. Zakonisht organizatat preferojnë të merren me projekte zbavitëse sepse pjesmarrja në to është shumë e madhe, ndërsa organizimi i tyre është shumë i lehtë.
Duke e ditur se gati çdokush mund të organizojë një koncert apo ndonjë projekt tjetër zbavitës, ne u fokusuam në atë fushë që të tjerët e lanë anash. Fokusi jonë është në zhvillimin intelektual të rinisë nëpërmjet projekteve apo kurseve të ndryshme që do ndikojnë në këtë proces.
7. Si e menaxhoni punën gjatë kohës së pandemisë?
Që nga fillimi i pandemisë ne kemi vazhduar mbajtjen e mbledhjeve tona javore, por kësaj rradhe ato janë zhvilluar online. Gjithashtu ishim duke organizuar 4 projekte të cilët u suspenduan deri në një afat të pacaktuar për të parë njëherë se si do të zhvillohet situata me pandeminë. Gjatë mbledhjeve tona e kuptuam se më e mira do ishte sikur të mendojmë për mënyra të tjera efektive në arritjen e qëllimit tonë. Kështu që u fokusuam në angazhimin e rinisë nëpërmjet platformave sociale, në veçanti Instagram-it.
Aty kemi organizuar kuize, lojëra dhe gara. Së bashku me anëtarët ne kemi krijuar disa video edukative të cilat i kemi shpërndarë me të tjerët. Por, projektit tonë ju bashkangjitën edhe persona të tjerë të cilët kontribuan me videot e tyre. Gjithashtu, është interesante se filluam një kurs të gjuhës angleze në të cilën as gjysma e atyre që aplikuan nuk ishin nga Gostivari, por nga qytete të tjera në veçanti Shkupi. Kjo na bëri të ndjehemi të lumtur që mundi jonë nuk shkoi huq dhe arritëm të japim kontribut edhe në vetëizolim.