Vdekja e një burri më ngjyrë të paarmatosur në duart e policëve që e arrestuan ka shkaktuar protesta të dhunshme në SHBA.
Katër efektivë u shkarkuan pas incidentit në Minneapolis, ku kryetari i bashkisë, Jacob Frey, tha se të qenit me ngjyrë “nuk duhet të jetë dhe një dënim me vdekje”. “Për pesë minuta radhazi shihet që një oficer i bardhë i ka vënë gjurin në qafë këtij burri afrikano-amerikan. Për pesë minuta. Kur dëgjon që dikush thërret për ndihmë, duhet ta ndihmosh. Oficeri dështoi në detyrën më themelore, në sensin njerëzor”, tha ai.
Ngjarja solli në kujtesë rastin e rëndë të Eric Garner, i cili vdiq në New York në 2014-tën, i mbërthyer dhe ai keqas nga një polic, aq sa u mbyt. Vdekja e Garner u shndërrua në kushtrim për protesta masive kundër brutalitetit të policisë në SHBA, dhe në forcën shtese të lëvizjes “Jetët me ngjyrë vlejnë”. Në hetimin e vdekjes së Floyd do të përfshihet dhe FBI-ja. Incidenti në Minneapolis është rasti i fundit në një numër vdekjesh kur afrikano-amerikanë kanë humbur jetën pasi janë ndaluar nga policë të bardhë. /topchanel/