Samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Procesit të Berlinit me të cilin këtë vit bashkë-kryesojnë Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut, do të mbahet sot në Sofje. Delegacionin nga Maqedonia e Veriut e udhëheq kryeministri Zoran Zaev, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrat Fatmir Bytyqi dhe Nikolla Dimitrov dhe ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, transmeton Portalab.mk.
Kryeministri Zaev gjatë hapjes së këtij samiti, foli për dinamikën në procesin e anëtarësimit të vendeve nga Ballkani Perëndimor në BE, posaçërisht pas Këshillit Evropian që u mbajt në mars, me metodologjinë e re për negociata dhe vendimet për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, Samitin e Zagrebit në maj dhe me pakon e zgjerimit në vjeshtë nga Komisioni Evropian dhe me planin serioz ekonomik dhe investues.
“Së bashku me përpjekjet e kryesimit gjerman me Këshillin Evropian, ajo dinamikë është mundësi e jashtëzakonshme e Ballkanit Perëndimor që të përparojë sigurt drejt BE-së. Besoj se kemi impuls të ripërtrirë dhe mbështetje të dukshme politike për procesin e zgjerimit dhe për zbatimin e negociatave qasëse. Duhet ta kapim këtë shansë dhe ta shfrytëzojmë për të mirën e qytetarëve”, deklaroi Zaev.
Përpos kryeministrave të dy vendeve, Bojko Borisov dhe Zoran Zaev, në këtë samit paraqitje do të kenë edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, me iniciativë të së cilës ka filluar dhe zhvillohet Procesi i Berlinit, përfaqësues nga Komisioni Evropian, sekretarja gjenerale e Këshillit Rajonal për Bashkëpunim, Majlinda Bregu dhe drejtori i Sekretariatit të CEFTA-s, Emir Gjykyq.
Në sesionit plenar do të marrin pjesë liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe zëvendëskryetari i Komisionit Evropian, Josep Borrel dhe eurokomesari për zgjerim, Oliver Varheji,
Në samit pritet të miratohet plani aksionar katërvjeçar për treg të përbashkët rajonal, për të cilin liderët e shteteve dhe qeverive do të nënshkruajnë deklaratë, si dhe deklaratë për agjendë të gjelbërt për Ballkanin Perëndimor.

Po ashtu, do të nënshkruhen edhe një sërë memorandume dhe protokolle, siç është memorandumi për standarde të përbashkëta rajonale për marrëveshje ndërkombëtare dhe investime dhe protokolle për qasje të hapur drejt infrastrukturave të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Pas përfundimit të samitit, do të ketë deklarata të përbashkëta për media të kryesuesve, Zaev dhe Borisov me kancelaren Merkel.
Kryediplomatja bullgare, Ekaterina Zaharieva, mbrëmë pas takimit me ministrat e Jashtëm të vendeve të Procesit të Berlinit, deklaroi se bullgaria është e gatshme të ndërmerr përgjegjësinë për bllokadën e Maqedonisë së Veriut dhe implikimet eventuale.
Ndërkohë, Dojçe Vele, në një artikull të publikuar dje duke cituar gazetarin austriak dhe korrespodentin për TV kombëtar ORF për Ballkanin Kristijan Vershuc, raportoi se, në takimin e javës së kaluar në Berlin të organizuar nga Ministria e jashtme gjermane, përfaqësuesit e Maqedonisë dhe Bullgarisë arritën një marrëveshje për kapërcimin e bllokadës së paralajmëruar në BE. Sofja më vonë u tërhoq nga marrëveshja.
Në takimin në Berlin, u ra dakord për një non-pejpër, me të cilin duhej të kapërcehet kontesti historik midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe t’i hapte rrugë vendit për të filluar negociatat me BE. Kompromisi kryesor është bërë në lidhje me gjuhën maqedonase, me të cilin Bullgarisë i është ofruar mundësia që përmes një deklarate, si aneks i Kornizës negociuese, të deklarojë se “gjuhë maqedonase do të thotë gjuha në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut”. Por për pjesën tjetër të BE-së, gjuha mbetet maqedonishtja.
Megjithëse marrëveshja ishte arritur në Berlin, menjëherë pas kthimit në Sofje, Ministrja e jashtme bullgare Zaharieva mbajti një konferencë shtypi në të cilën ajo de facto hodhi poshtë kompromisin.
Disa ditë me radhë midis Shkupit, Sofjes dhe Berlinit po zhvillohet një linjë e nxehtë për të tejkaluar kontestin. Ministri i Jashtëm gjerman Hajko Mas sot porositi se kontesti duhet të zgjidhet në mënyrë bilaterale midis dy vendeve.
Pyetja është nëse Bullgaria do të jetë në gjendje të pranojë zgjidhjen e arritur në Berlin për shkak të mosmarrëveshjeve në koalicionin qeverisës, por edhe rezistencës së Presidentit Rumen Radev dhe socialistëve në opozitë.
Bullgaria e bllokon fillimin e negociatave të Maqedonisë me BE-në, duke kërkuar që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është dialekt i gjuhës bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito.