Në Universitetin e Evropës Juglindore, dje me një ngjarje solemne u promovua Laboratori i parë në rajon i Realitetit Virtual (RV) dhe të Shtuar (AR). Laboratori hapet në kuadër të Projektit NICS (Next Generation Incident Command System), që është pjesë e SPS Programit të NATO-s.
Laboratori është financuar nga NATO dhe Qendra për Menaxhimin e Krizave të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe do të funksionojë në kuadër të Fakultetit të Shkencave dhe Teknologjive Bashkëkohore.

Në fjalimin e tij me rastin e hapjes solemne, Rektori i UEJL-së, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, falënderoi Qendrën për Menaxhim me Krizat dhe NATO-në për përkrahjen e dhënë.
“Me hapjen e këtij laboratori, UEJL dëshmon intencën për të patur impakt shoqëror në të gjitha fushat e posaçërisht në aplikimin praktik të teknologjisë së lartë në mësimdhënie. Laboratori do të ketë funksion shumëdimensional e posaçërisht në ofrimin e trajnimeve dhe në ngritjen e profileve të reja kadrovike që do t’i ndihmojnë vendit në procesin e integrimit në BE.”, tha Rektori Bexheti.
Në hapjen solemne ishte i pranishëm edhe drejtori i Qendrës për Menaxhim me Krizat, Stojançe Angellov dhe drejtori i Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar i kësaj qendre, Dr. Urim Vejseli.
Ngjarjen nëpërmjet platformës online e përshëndetën zëvendës- ambasadorja Jennifer R. Littlejohn, shefja e SPS Programit të NATOS, Deniz Beten dhe koordinatori i këtij programi, dr. Ejup Turmus, si dhe Stephanie Foster, nga MIT Lincoln Lab (Instituti Teknologjik i Masaçusets).
Hulumtues të përfshirë në projekt janë: Prof. Dr. Adrian Besimi, Prof. Dr. Visar Shehu, dhe Prof. Dr. Agron Çaushi.
Laboratori, do të shfrytëzohet për trajnimin dhe krijimin e kuadrove të nevojshme për institucionet dhe palët tjera të interesuara që merren me menaxhimin e krizave.
SPS Programi i tubon së bashku ekspertët dhe shkencëtarët nga vendet anëtare dhe partnere të NATO-së që së bashku të adresojnë çështje që kanë të bëjnë me shkencën, teknologjinë dhe inovacionin civil.