Pacienti i parë në Mbretërinë e Bashkuar e ka marrë vaksinën e Universitetit të Oksfordit / AstraZeneca ndaj COVID-19.
Brian William Pinker, 82 vjeçar, u vaksinua të hënën në mëngjes në Spitalin Churchill në Oksford.
“Unë jam kaq i kënaqur që po marr vaksinën ndaj COVID-19 sot dhe jam vërtet krenar që një e tillë u shpik në Oksford,” tha ai.
“Vaksina do të thotë gjithçka për mua, për mendjen time është mënyra e vetme për t`u rikthyer në jetën normale. Ky virus është i tmerrshëm, apo jo? ”
Pinker tha se ai e dinte fillmisht të shtunën se do të vaksinohej dhe iu tha se do të ishte pacienti i parë. “Më mori aq kohë sa të isha një yll”, tha ai.
Shpërndarja e vaksinave AstraZeneca filloi sot në Mbretërinë e Bashkuar dhe sekretari shëndetësor i vendit e përshkroi atë si një “moment real të rëndësishëm” pasi rastet e Covid-19 vazhdojnë të rriten në pjesë të vendit.
Kryeinfermierja Sam Foster, që administroi vaksinën, tha: “Ishte vërtet një privilegj të isha në gjendje të jepja vaksinën e parë të Oksfordit në Spitalin Churchill këtu në Oksford, vetëm disa qindra metra nga vendi ku u zhvillua”.
Pinker është një menaxher në pension i mirëmbajtjes i cili i ishte nënshtruar dializës për sëmundjen e veshkave në spital, raporton CNN, transmeton Klan Kosova.