Filipçe: Masat dhe vaksinat janë efikase, askush nuk është detyruar për asgjë

Filipçe: Masat dhe vaksinat janë efikase, askush nuk është detyruar për asgjë

Protesta është e drejtë e garantuar me kushtetutë, por e tillë është edhe e drejta e shëndetit. Masat të cilat jemi duke i propozuar tashmë janë dëshmuar si efikase, ndërsa vaksinimi është mënyra e vetme që të luftojmë kundër virusit, shkroi në Fejsbuk ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Në status, Filipçe thekson se në shumë vende në Evropë tashmë është përditshmëri të kërkohet certifikatë për hyrje në ngjarje masive dhe në objekte hotelierike.

“Këtë askush nuk e konsideron për diskriminim, por përgjegjësi dhe mbrojtje të shëndetit publik. Besoj se askush nuk dëshiron, kjo të zgjasë përgjithmonë. Edhe pse variantet e reja sjellin pasiguri, megjithatë përvojat e vendeve ku ka përqindje të lartë të personave të vaksinuar konfirmon se vaksinat janë efikase edhe për variantet e reja. Armë tjetër kundër virusit nuk kemi dhe fuqishëm besoj se të gjithë këtë do ta kuptojnë sa më parë, që të mund ta kthejmë lirinë dhe ta mbrojmë shëndetin tonë dhe shëndetin e më të afërmve”, thotë Filipçe.

Thekson se fakti që madje 90 për qind e rasteve të reja në vend në javën e fundit janë të pavaksinuar, është vërtetim i padyshimtë për efikasitetin e vaksinave.

“Vaksinat përveç që janë efikase, gjithashtu janë të sigurta. Mbi 1.000.000 doza të dhëna tek ne, pa komplikime serioze ose efekte të padëshiruara tek as edhe një qytetar, janë dëshmi për sigurinë e tyre. Edhe krahas këtyre argumenteve të forta për vaksinim, ai ngelet vullnetar. Gjithsecili që mundohet të paraqesë se është duke u bërë vaksinim i detyruar është duke e manipuluar opinionin. Askush nuk është i detyruar për asgjë, obligim i shtetit është ta mbrojë shëndetin publik dhe të sjellë masa”, nënvizon Filipçe.

Duke iu drejtuar atyre qytetarëve të cilët kanë mëdyshje ose refuzojnë të vaksinohen, Filipçe me mesazh për ata që t’u besojnë personave profesionistë dhe atyre të cilët kanë pasur përvojë me virusin.

“Prekja me virusin mbart rreziqe të mëdha, ndërsa vaksinat e zvogëlojnë këtë rrezik deri në 20 herë. Bisedoni me njerëz të cilët për fat të keq virusin e kanë kaluar shumë rëndë, le t’ua rrëfejnë përvojën e tyre. Bisedoni me disa mjekë, inferimere në spitalin ku jetoni, le t’i ndajnë me ju historitë e tyre të punës së tyre të përditshme. Vaksinimi është mënyra e vetme t’i kthehemi normalitetit”, thotë Filipçe./koha.mk/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *