Filloi ndërtimi i ujësjellësit në lagjen “Bregu i Diellit”

Filloi ndërtimi i ujësjellësit në lagjen “Bregu i Diellit”

Në këtë lagje ka diku rreth 700 shtëpi, kurse banorët disa herë kanë kërkuar që krahas ujit të pijshëm, të ketë investime edhe në sferën e infrastrukturës. Nga Komuna e Tetovës bëjnë të ditur se mjetet për ujësjellësin janë siguruar nga Ministria e Ekologjisë.

Në fillim të këtij muaji, përfundimisht kanë nisur punët për rregullimin e rrjetit të ujësjellësit për lagjen “Bregu i Diellit” në Tetovë. Banorët e kësaj lagje, vite me radhë kanë probleme me ujin e pijshëm dhe disa herë janë ankuar edhe publikisht, ndërsa me ujë të pijshëm vazhdojnë të furnizohen nga lagjja fqinje – “Çarshia e Epërme”. Gjendja më e rëndë paraqitet gjatë muajve të verës, kur këta banorë nuk kanë asnjë pikë ujë në çezmat e tyre. Problemi më shumë u alarmua gjatë verës së vitit të kaluar, kur banorët u ankuan se pikërisht në kohën kur kanë nevojë për më shumë ujë, për mbajtjen e pastërtisë gjatë kohës së pandemisë, ata u përballen me mungesë të ujit të pijshëm. Një problem kryesor, sipas autoriteteve lokale në Tetovë, është edhe pozita gjeografike e kësaj lagje ngase ndodhet në pjesën e lartë sipër Arabatit Baba Teqe, dhe punimet për rregullimin e problemit të ujit të pijshëm zhvillohen me vështirësi.

Në këtë lagje ka diku rreth 700 shtëpi, kurse banorët disa herë kanë kërkuar që krahas ujit të pijshëm, të ketë investime edhe në sferën e infrastrukturës. Nga Komuna e Tetovës bëjnë të ditur se mjetet janë siguruar nga Ministria e Ekologjisë. “Ditë më parë kanë filluar aktivitet për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit për lagjen ‘Bregu i Diellit’ në Tetovë. Është një projekt i mbështetur nga Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe Komuna e Tetovës. Bëhet fjalë për investim shumë të rëndësishëm për banorët e kësaj lagjeje. Projekti përfshin ndërtimin e 5 kilometrave të rrjetit të ujësjellësit si dhe 23 pusetave shpërndarëse të ujit. Vlera e përgjithshme e këtij investimi është 13.5 milion denarë”, thonë për gazetën KOHA nga Komuna e Tetovës. Ndër vite, banorët e kësaj lagje janë duke kërkuar zgjidhjen e problemit të ujit të pijshëm si problem jetik për ata. Shumë banorë të kësaj lagje çdo ditë janë të detyruar që të zbresin deri tek çezmat publike pranë varrezave të qytetit të Tetovës apo në Çarshinë e Epërme për të mbushur ujë për nevojat e tyre ditore.

Problemi me mungesën e ujit në këtë lagje shfaqet gjatë muajve të verës. “Më shumë problem e kemi gjatë verës kur ka mungesë të madhe të ujit”, pohojnë banorët. Këta banorë detyrohen që në forma të ndryshme të sigurojnë ujë dhe të njëjtit duke e ruajtur nëpër vende jo adekuate dhe kjo shpesh herë ka bërë që banorë të kësaj lagje të përfundojnë në repartin e sëmundjeve infektive për shkak të ndotjes së ujit me baktere. Problemi disavjeçar në këtë lagje është se rezervuari për këtë lagje nuk është lidhur me filterstacionin në fshatin Lisec. Banorë të kësaj lagje disa herë janë ankuar se politikanët kur vjen koha e zgjedhjeve u kërkojnë votat, premtojmë por pas zgjedhjeve lihen në harresë. /koha.mk/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *