Ja çfarë i motivoi kandidatët për këshilltarë që të jenë në listat zgjedhore. – BDI, AA/ASh, PDSh dhe Më mirë për Tetovën

Ja çfarë i motivoi kandidatët për këshilltarë që të jenë në listat zgjedhore. – BDI, AA/ASh, PDSh dhe Më mirë për Tetovën

Në prag të zgjedhjeve lokale të tetorit në Maqedoninë e Veriut, ne kemi zhvilluar një intervistë me kandidatët për këshilltarë nga partitë politike të bllokut shqiptar. Ftesës për intervistë i janë përgjigjur pozitivisht gjithë kandidatët në përjashtim të kandidatit të Lëvizjes Besa.

Shpresojmë që përgjigjet që kanë dhënë bartësit e listës për këshilltarë për Tetovën, të ndihmojnë në zgjedhjet që çdo i ri/e duhet të bëjë për votën e tij/saj.

Ju ftojmë të ndiqni intervistën!

1. Cili është motivimi juaj personal për të qenë në listë këshilltarësh në këto zgjedhje?

1. Fillimisht nevojat konstante të qytetarëve për zhvillim, për ide dhe projekte të reja të cilat do të sjellin jetë më të mirë dhe duke parë grupin e të rinjve të përgatitur brenda nesh, ishin motivi kryesor që sot jam këtu.

Më tej, mendoj që është koha të rinjtë të fillojnë të angazhohen më tepër dhe të bëhen pjesë e proceseve të rëndësishme politike.  Pikërisht kjo ishte shtytje për të filluar angazhimin tim brenda partisë të cilës i përkas, e më pas zhvillimi dhe kalitja brenda strukturës, përkrahja e vazhdueshme nga organet e partisë tonë për të inkuadruar personalitete të reja, ishin motiv plotësues që unë sot jam këtu. Unë këtë garë e shoh si një sfidë aq sa personale edhe grupore, si brenda edhe jashtë strukturave, dhe dua të inkurjoj edhe gjithë të rinjtë të gjejnë motiv, qoftë edhe si oponent, të futen në gara të ngjashme, sepse politika nuk është abstrakte, nëpërmjet saj, me debate të shëndosha, e veprimeve konkrete, ne, së bashku mund të sjellim vendime të rëndësishme, gjithmonë për një të ardhme më të mirë.

 2.Cfarë do të thotë për ju Besim dhe Premtim? – dy fjalë me peshë të madhe që tashmë për qytetarët tingëllojnë si të pabesueshëm. (Ju lutemi fokusohuni vetem ne qendrimet tuaja personale dhe te partise tuaj, pa u referuar partive te tjera konkurrente!)

2. Për të arritur te premtimet, duhet të fillojmë nga besimi. Edhe pse janë fjalë që shpesh përdoren e keqpërdoren, unë fjalën besim e shoh si diçka të shenjtë, qoftë në aspektin fetar, ashtu edhe në atë të ndërtimit të raporteve familjare, miqësore dhe jo vetëm. Besimin ne  ndërtojmë me veprime konkrete duke filluar nga familja, lagjja, e më pas më gjërë, deri në karrierën politike. Është ky besim që vjen nga brenda,nga jeta e përditshme që gradualisht të mundëson ngritje dhe shans për të qenë pjesë e proceseve të rëndësishme. Më pas, për t`i bindur të tjerët të besojnë në një ide, fillimisht duhet të besosh vet ne të, e unë, besoj fuqishëm në projketet precize dhe konkrete të platformës sonë, besoj fortë në kapacitetet tona për t`i realizuar të njejtat dhe besoj fuqishëm në vizionin tonë të përbashkët. E nga kjo, premtimet rrjedhin natyrshëm, ato janë një kontratë me qytetarët që japin besimin dhe ne si përfaqësues që nëpërmjet realizimit të premtimeve vërtetojmë që këtë besim e kemi të merituar dhe jemi përmbajtur kësaj kontrate morale. Gjthësesi, unë premtimet e dhëna për të tjerët, në këto raste politike, i shoh edhe si premtime të dhëna ndaj vetes, i shoh si qëllime që ja vendos vetes, por edhe ne si parti i vendosim, dhe mbi të cilat e gjejmë motivimin për punë permanente që të njejtat t`i jetësojmë shkruan Blerim Osmani– Bartës liste për këshilltarë në Tetovë nga radhët e BDI-së.

  1. Cili është motivimi juaj personal për të qenë në listë këshilltarësh në këto zgjedhje?

Të jem apo jo në listë këshillëtarësh për mua ka qenë relative. Kyçja ime në politikë, më lejoni ta quaj kyçje të vonuar, ka një kuptim. Devalvimi, rrënimi, abuzimi, keqpërdorimi, bllokimi, paralizimi i jetës në qytet ishte shkaku që nuk më la të qëndroj anash e të bëj sehir duke reaguar kohë pas kohe me ndonjë deklaratë, reagim etj., që zgjatë tri ditë dhe ndërkaq, avazi i vjetër vazhdon. Ky pushtet, lokal dhe qendror ka dëmtuar rënde boshtin kurrizor të shoqërisë sonë. Na duhet shumë punë, kurajo, guxim, vullnet e këmbëngulje që njëherë e përgjithmonë t’i themi stop mashtrimit.

 2. Çfarë do të thotë për ju Besim dhe Premtim? – dy fjalë me peshë të madhe që tashmë për qytetarët tingëllojnë si të pabesueshëm. (Ju lutemi fokusohuni vetem ne qendrimet tuaja personale dhe te partise tuaj, pa u referuar partive te tjera konkurrente!)

2. Janë dy fjale, për mua ligje. Mendoj se fjala besim është strumbullari rret të cilës sillet e pështillet shumëçka, apo ndryshe thënë, aty hasim drynin, po aty është edhe çelësi… Mendoj se pikërisht te besimi vazhdon të zhvillohet beteja kryesore e së keqes dhe të mirës, regresives dhe progresives, territ dhe dritës… Ne kemi humbur besimin te lideri, dhe ky ka qenë dhe vazhdon të jetë një plan serioz për të mposhtur shoqerinë tonë. Kemi obligim dhe detyrim që qytetarit t’ia rikthejmë besimin. Nuk do të jetë e lehtë por do t’ia arijmë qëllimit. Unë personalisht në jetë jam munduar të mbaj premtimin e dhënë, këtë do ta bëj edhe në politike. Në fushatë edhe lejohet diç të zmadhohet por gjithmonë duhet patur kujdes, jo për ta mashtruar qytetarin, shprehet Muzafer Etemi– Bartës liste për këshilltarë në Tetovë nga radhët e koalicionit Alenaca për Shqiptarët & Alterantiva.

1. Cili është motivimi juaj personal për të qenë në listë këshilltarësh në këto zgjedhje?

Inkuadrimi në politikë, përveç pasionit për të, nënkupton edhe besim në vlera, betejë për qëllime të përbashkëta e të përgjithshme dhe sakrificë e angazhim për t’ia dalë. Për mua politika nuk është e re, por jam unë i ri në të. Me plotë kuptimin e fjalës. Nuk ka motivim më të madhë për mua se vet Tetova dhe njerëzit që në të jetojnë, prandaj edhe kam pranuar të jem bartës i listës së këshilltarëve duke e parë si mundësi të dhënies së kontributit të drejtëpërdrejtë në përmirësimin e jetes së qytetarëve të Tetovës.

2. Çfarë do të thotë për ju Besim dhe Premtim? – dy fjalë me peshë të madhe që tashmë për qytetarët tingëllojnë si të pabesueshëm. (Ju lutemi fokusohuni vetem ne qendrimet tuaja personale dhe te partise tuaj, pa u referuar partive te tjera konkurrente!)

2. Besimi për mua nënkupton shumë. Madje, besimin e shohë si shtytëtësin më të madhë që e bënë njeriun të vazhdojë të ecë pa marr parasysh sfidave dhe pengesave të cilët paraqiten në rrugëtim e sipër. Prandaj është me rëndësi të besojmë.. Në Zot, së pari, e mandej në ide të reja e në kthimin e shpresës. Njerëzit nga premtimet e shumta e realizimet e vogla kanë humbur besimin, prandaj është me rëndësi t’iu kthehet. Nëse më pyetni si, do të shtoja: Duke punuar shumë pa premtuar, me përkushtim, me shumë vullnet e energji, për të gjithë, pa dallim deklarohet Pajtim Thaçi– Bartës liste për këshilltarë nga radhët e PDSh-së.

1. Cili është motivimi juaj personal për të qenë në listë këshilltarësh në këto zgjedhje?
Duke qenë dëshimitar i degradimit dhe keqmenaxhimit të vazhdueshëm të qytetit tonë, i motivuar nga dashuria për një Tetovë më të mirë, ndjeva për obligim qytetar dhe moral që aktivizmin tim jashta institucioneve ta bart brenda institucionit të Këshillit Komunal. Këshilltarët komunal kanë për obligim që të mbrojnë interesat e qytetarëve dhe të mundësojnë kushte për një jetë të dinjitetshme, sidoqoftë nga praktika kemi parë që kjo nuk ka ndodhur.
Këshilltarët komunal zakonisht kanë qenë kuadro partiake dhe anonime, të cilët kanë votuar sipas urdhërave partiake, për interesa grupore, e në dëm të qytetarëve.
Prandaj ne vendosëm të garojmë si iniciativë  e pavarur qytetare “Më mirë për Tetovën”, dhe jo si parti politike.
Kjo do të mundësojë qytetarët nga një pranues pasiv të shërbimeve publike, të bëhen kontribues kryesor për zhvillimin e qytetit ku problemet, kërkesat, hallet e tyre nëpërmjet iniciativës tonë do të shpalosen në këshillin komunal, dhe ne do të jemi zëri i çdo qytetari deri në zgjedhjen e problemeve që na tangojnë të gjithëve.

2. Çfarë do të thotë për ju Besim dhe Premtim? – dy fjalë me peshë të madhe që tashmë për qytetarët tingëllojnë si të pabesueshëm. (Ju lutemi fokusohuni vetem ne qendrimet tuaja personale dhe te partise tuaj, pa u referuar partive te tjera konkurrente!)
Besimi i ndërsjelltë qëndron në thelb të çdo raporti ku përfshihen më tepër palë, kurse mbajtja e premtimit dhe transparenca janë shtyllat mbi të cilën ndërtohet besimi. Ne udhëhiqemi nga këto vlera në përditshmërinë tonë, dhe të njejtat i implementojmë edhe tek iniciativa Më mirë për Tetovën. Ne kemi arritur që të ndërtojmë mirëbesim në mes veti, dhe në raport me qytertarët duke i dëgjuar me kujdes hallet e tyre.
Prandaj  platforma jonë nuk përmban premtime të parealizushme, por premtojmë që do të angazhohemi që Tetovën ta bëjmë qytet për të jetuar dhe jo për të mbijetuar.
Me respekt,

Hamdi Sulemani-Bartës liste për këshilltarë, Iniciativa “Më Mirë për Tetovën”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *