Tahiri: VMRO me fitore bindëse, BDI e para me vota

Tahiri: VMRO me fitore bindëse, BDI e para me vota

Bashkimi Demokratik për Integrim në këto zgjedhje shënon edhe një fitore, por ajo hë për hë mund të quhet vetëm me vota. Opozita shqiptare në raundin e dytë në tri komuna garon duke qenë në epërsi. Beteja më e madhe në kampin maqedonas zhvillohet për Shkupin, ndërsa në atë shqiptar për Tetovën

Shkruan: Sefer Tahiri

Raundi i parë i zgjedhjeve lokale noxrri fitues absolut VMRO-DPMNE-ja,ndërsa LSDM-ja shënoi disfatë të thellë dhe sipas përllogaritjeve të para një ndër më të thellat në historinë politike të Maqedonisë së Veriut, edhe pse kjo disfatë nuk është më e madhe se sa ajo e vitit 2008, kur kjo parti drejtohej nga Radmilla Sheqerinska dhe fitoi 230 mijë vota.

VMRO-DPMNE-ja në raundin e parë fitoi në 21 komuna edhe atë në: Aerodrom, Kisella Vodë, Sopishte, Butel, Gazi Babë, Vinicë, Zrnovcë, Petrovec, Ilinden, Shtip, Karbinci, Sveti Nikollë, Veles, Gradsko, Bosillovë, Negotino, Kavadarci, Prilep, Mogilla, Novaci dhe Jegunovcë. VMRO-DPMNE-ja në raundin e dytë në 12 komuna hyn me epërsi.

Në raundin e parë LSDM-ja ka fituar në tetë komuna: Dojran, Bogdanci, Vallandovo, Dellçevë, Kriva Pallankë, Krivogashtani, Krushevë dhe Strumicë. LSDM-ja me shumë gjasë për fitore hyn në 22 komuna edhe atë. Karposh, Qendër, Shuto Orizarë, Koçanë , Resnjë, Makedonska Kamenicë, Probishtip, Pehçevë, Demir Kapi, Demir Hisar, Mavrovë – Rostushë, Çashkë, Rosoman, Staro Nagoriçanë, Llozovo, Konçe, Haraçinë, Debarcë, Dollneni, Kumanovë dhe Shkup.

Midis komunave, në të cilat VMRO-DPMNE ka epërsi është edhe Qyteti i Shkupit.

Shkupi zgjedh mes Shilegovit dhe Arsovskës

Kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut kreun e vet do ta zgjedh mes kreut aktual, Petre Shilegov dhe kandidates së pavarur, e mbështetur nga VMRO – DPMNE-ja, Danella Arsovska. Kandidatja opozitare ka fituar 83.280 vota, ndërsa Shilegov nga pushteti ka marrë 76.395 vota.

BDI fituese me vota, sfidohet në Tetovë!

Bashkimi Demokratik për Integrim në këto zgjedhje shënon edhe një fitore, por ajo hë për hë mund të quhet vetëm me vota, pra jo edhe për kah cilësia e kryetarëve që kanë fituar. Kjo për faktin se BDI-ja, edhe pse bindshëm, ka fituar vetëm disa komuna rurale si Sarajin, Likovën dhe Pllasnicën. Në raund të dytë në epërsi është në komunën e Tetovës, Çairit, Strugës, Bogovinës, Tearcës, Zhelinës, Haraçinës, Dollnenit, ndërsa në Kërçovë pozicionohet e dyta.

Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa në raundin e dytë është në epërsi në Gostivar, Dibër dhe Vrapçishtë, ndërsa kandidatët e saj si të dytë garojnë në Çair, Bogovinë dhe Tearcë.

Lëvizja BESA në raundin e dytë, si e dyta e radhitur konkurron në Tetovë dhe Zhelinë, ndërsa Partia Demokratike Shqiptare në raundin e dytë hyn si e para në Studeniçan.

Gostivari zgjodhi sërish Taravarin

Kandidati i Aleancës për Shqiptarët. Arben Taravari, kryetar aktual i kësaj komune nuk fitoi në raundin e parë vetëm për 39 vota. Taravari fitoi 15. 724 vota ose 49.88 për qind, përderisa rivali i tij, Nevzat Bejta fitoi 13.190 vota apo 41.84 për qind të votave. Taravari në raundin e dytë hyn si favorit për shkak të epërsisë së krijuar në raundin e parë, ndërsa Bejta mund të shpresojë në mbështetje tek një pjesë e 909 votave të kandidatit të BESË-së, Fadil Zendeli apo të kandidates së PDSH-së, Renata Elezi, e cila ka fituar 333 vota, që megjithatë janë të pamjaftueshme për të rrafshuar apo tejkaluar epërsinë e Taravarit.

Tetova reprizon zgjedhjet e vitit 2017

Beteja më interesante në kampin etno- politik do të zhvillohet në komunën e Tetovës, në të cilën për kreun e komunës garojnë Teuta Arifi, e cila synon mandatin e tretë dhe Bilall Kasami, i cili për këtë pozitë garon për herë të dytë, meqë edhe në zgjedhjet e vitit 2017 ishte kandidat në raundin e dytë pikërisht me Arifin.

Kryetarja aktuale ka fituar 11. 138, ndërsa lideri i Lëvizjes BESA ka marrë 10.496 përkatësisht Arifi është në epërsi ndaj Kasamit me 642 vota.

Kush do ta vendos fituesin në Tetovë?

Nisur nga fakti që LSDM-ja dhe BDI-ja janë në koalicion në këto zgjedhje, Arifi dhe partia e saj shpreson tek votat e partnerit të koalicionit përkatësisht të kandidatit socialdemokrat Hamdija Elezoviq që janë 2.373. Meqë nuk ka pasur dhe nuk ka sinjale për bashkëpunim mes Partisë Demokratike Shqiptare dhe Lëvizjes BESA, Arifi shpreson edhe tek një pjesë e votave të Sadi Bexhetit, kandidatit të PDSH-së, i cili ka arkëtuar 3.840 vota.

Pavarësisht kalkulimeve që mund t’i bëjë BDI-ja, kandidati i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami në raundin e dytë hyn si pretendues për fitore. Përveç votave të partisë së tij, në garën e raundit të dytë futet si kandidat opozitar në nivel lokal dhe kjo i jep favor zgjedhor, edhe pse partia e tij është partner i BDI-së në qeverisje me LSDM-në.

Kasami në mënyrë komode kalkulon tek një pjesë e votave të opozitës shqiptare, të cilat janë 6.165, por me theksin se shpresa është tek vullneti i lirë demokratik i qytetarëve, por edhe mbështetja reale e opozitës. Në anën tjetër, një pjesë të konsiderueshme të votave ka edhe VMRO-DPMNE, ndërsa lideri i kësaj partie, Hristijan Mickovski u shpreh se “Bilall Kasami është shprehur vetë se do të bashkëpunojë me të gjitha partitë, me përjashtim të VMRO-DPMNE-së”. Por, kjo nuk do të thotë se një pjesë e anëtarëve dhe simpatizuesve vmro-dpmne-ist të mos e mbështesin Kasamin, për shkak të pakënaqësive reale që kanë nga drejtimi i komunës në 8 vitet e kaluara nga Teuta Arifi.

Strugë, Merko me epërsi në raundin e dytë

Garë interesante do të zhvillohet edhe në Strugë. Kandidati i BDI-së, Ramiz Merko ka fituar 10.956 vota ose 40.5 për qind të votave, ndërsa Idri Istrefi nga koalicioni opozitar shqiptar fitoi 9.421 ose 34.82 vota.

Merko në raundin e dytë mund të shpresojë në votat e Dimçe Shipinkarovskit nga LSDM-ja, i cili fitoi 4.352, ndërsa kundër- kandidati Istrefi në votat e një pjese të VMRO-DPMNE-së, por edhe të votave të anëtarëve të partive tjera shqiptare, që nuk do të thotë se një pjesë e tyre nuk mund të shkojnë edhe për Merkon.

Çair, Ganiu me epërsi përballet me Saliun

Në zgjedhjet e 17 tetorit kandidati i BDI-së, Visar Ganiu fitoi 12.990 vota përkatësisht 48,90 për qind të votave, ndërsa i dyti u rendit kandidati i opozitës shqiptare Bekim Sali me 9.824 vota përkatësisht me 36,98 për qind vota. Në raundin e dytë Ganiu i cili hyn me epërsi prej 3.000 votave do të shpresojë në mbështetje më të madhe nga LSDM-ja, ndërsa si kundërshpërblim partia e Ahmetit do ta mbështesë fuqishëm kandidatin socialdemokrat për Qytetin e Shkupi, Petre Shilegov. Mbështetje në bllokun politik maqedonas kalkulon edhe kandidati i opozitës shqiptare, Bekim Sali. Shpresa e tij dhe e opozitës është tek votat e VMRO-DPMNE-së, e cila do të mobilizohej më shumë për Salin, ndërsa kjo do të kompnzohej me mbështetjen që Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa do i jepnin kandidates që mbështetet nga VMRO-DPMNE, Danella Arsovska. Nga ana tjetër Ganiu shpreson tek një pjesë e votave të BESË-s, duke marrë parasysh afërsinë e shfaqur mes Ganiut dhe Kastriot Rexhepit, i cili është deputet dhe fitoi vetëm 1069 vota, por tek këto vota mund të shpresojë edhe Sali, duke marrë parasysh se u propozua nga Alternativa, parti e cila doli nga Lëvizja BESA. Votat e PDSH-sl në këtë komunë janë 251 dhe praktikisht janë të papërfillshme.

Kërçovë, Dehari favorit për fitore  

Në raundin e dytë në Kërçovë hynë kandidati i VMRO – DPMNE-së, Aleksandar Jovanovski dhe kandidati i BDI-së, kryetari aktual i komunës Fatmir Dehari. Gjasat janë të mëdha që Dehari të fitojë edhe një mandat, pasi në raundin e parë fitoi 8.545 vota apo 37.3 për qind, ndërsa Jovanovski fitoi 8800 vota apo 38.42 për qind të votave. Dehari fitoren mund ta sigurojë me votat e një pjese të zgjedhësve të kundërkandidatit të pavarur, Fatmir Limani, i cili fitoi 4527 vota apo 19. 76 për qind. Limani ishte kandidat i pavarur, por bekraundi i tij politik mbështetet tek filozofia politike e BDI-së, si parti e dalë nga lufta, që rrjedhimisht nënkupton se edhe struktura zgjedhore e tij ka këtë bekraund, që shpie në konstatimin se një pjesë e konsiderueshme e tyre do ta mbështesin Deharin. Kjo , edhe më tepër se Kërçova tashmë disa mandate drejtohet nga një kryetar shqiptar dhe do të ishte debakël për partitë shqiptare nëse në raundin e dytë do të fitonte një kandidat maqedonas.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *