Shoqata e Bibliotekave të Maqedonisë për vitin 2021, në kategorinë e bibliotekave në arsimin e lartë, çmimin “Biblioteka e Vitit” i ka ndarë Bibliotekës Universitare “Max van der Stoel”.
Përzgjedhjen e ka bërë komisioni profesionist i krijuar enkas, ku janë vlerësuar kritere si: punë cilësore dhe kreative, sigurimi i qasjes së shërbimeve për përdoruesit për të gjitha moshat dhe ndaj komunitetit në përgjithësi, sigurimi i qasjes elektronike të shërbimeve dhe librave, shkalla e aplikimit të trajnimeve, partneritet të gjithanshëm dhe përkrahja e dukshme e komunitetit më të gjerë ndaj bibliotekës.
Bazuar në materialet dhe përmbajtjeve të dorëzuara në aplikacion, Komisioni ka vendosur se Biblioteka “Max va nder Stoel” i ka përmbushur kriteret e nivelit më të lartë dhe që këtë vit t’ia ndajë çmimin “Biblioteka e Vitit”, thuhet në njoftimin e Shoqatës së Bibliotekave të Maqedonisë. Zyrtarisht dhënia e çmimit, do të bëhet më 7 dhjetor 2021 (e martë), në hapësirat e Bibliotekës Nacionale Universitare “Shën. Kliment Ohridski” në Shkup.