Figura e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut në artin tonë folklorik dhe në krjimtarinë muzikore shqiptare dhe evropiane Mr. Shkodran Tolaj Drejtor i Ansamblit Nacional të këngëve e valleve popullore shqiptare në RMV

Figura e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut në artin tonë folklorik dhe në krjimtarinë muzikore shqiptare dhe evropiane Mr. Shkodran Tolaj Drejtor i Ansamblit Nacional të këngëve e valleve popullore shqiptare në RMV

Figura e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut në artin tonë folklorik dhe në krjimtarinë muzikore shqiptare dhe evropianeMr. Shkodran TolajDrejtor i Ansamblit Nacional të këngëve e valleve popullore shqiptare në RMV 17.01.2022, me rastin e 554 vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar. 

Sot bëhen 554 vjet nga vdekja e Gjergj Kastriotit Skenderbeut i cili identifikohet si mit, strateg, hero i kombit dhe shqiptari më i famshëm në historinë tonë dhe atë ballkanike duke mbetur një shembull i papërsëritshëm edhe në historinë evropiane. Studiues, historianë, ushtarakë, shkrimtarë të huaj e shqiptarë kanë dhënë vlerësime për figurën e Skenderbeut që udhëhiqej nga motoja “Kryeni detyrën ndaj atdheut për të cilin asnjëherë nuk duhet kujtuar se është derdhur gjak, se është luftuar sa duhet, sepse dashuria për të ia kalon cdo dashurie tjetër”.

Sot në 554 vjetorin e ndarjes nga jeta mjafton të kujtojmë thënien e Sulltan Mehmetit II që Skenderbeun e vlerësoi kështu “ Kurrë s’ka për të lindur mbi tokë një luan i tillë”. Për figurën e Skenderbeut ka shkruar dhe argumentuar më së shumti Marin Barleti. Por për të kanë shkruar edhe Fan Noli, Faik Konica e shumë të tjerë. Gjatë 554 viteve herë pas here nuk kanë munguar tentativat që të c’mitizohet kjo figurë emblematike dhe e paprekshme e historisë sonë kombëtare andaj të gjitha këtyre tentativave u është përgjgjur gjeniali i letrave shqipe Ismail Kadare i cili thotë “ Skenderbeu ka më shumë famë sesa Shqipëria. Ai ishte prijësi më i madh i Ballkanit që i dha vendit të tij një orientim drejt Europës deri në fund, sa vdiq! Ai ishte testamenti i parë i orientimit të shqiptarëve. Të c’mitizosh figurën e Gjergj Kastriot Skënderbeut, do të thotë të bësh sulm kundër konceptit të lirisë. Çmitizimi i tij është një nga turpet e kombit shqiptar!”Por qëllimi i këtij shkrim është prekja e një teme që nuk është trajtuar e që ka të bëjë me prezencën e figurës së Skenderbeut në muzikën shqiptare. Skenderbeu mbeti model dhe motiv i jetës dhe luftërave e sfidave shqiptare tash gjashtë shekuj por e tërë kjo përmes artit popullor dhe veprave artistike të kompozitorëve të kohës. Ruajtja e figurës së Skenderbeut përmes muzikës vazhdon edhe sot ndërkaq prezenca e kësaj figure edhe në themelet e muzikës profesionale shqiptare është tregues se Gjergj Kastrioti-Skenderbeu mbeti motiv i vazhdueshëm për shqiptarët në të gjitha proceset dhe hapat e ndërtimit dhe ecjes si komb andaj me të drejtë Abaz Ermenji thotë që Skenderbeu është figura qëndrore e ilirëve, arbëreshëve por edhe e gjithë historisë së mëvosnshme të kombit që imponoi rrjedhat historike deri në ditët tona.Figurat emblematike i gjejmë në kategorinë e vecantë të këngëve të tipologjisë muzikore dhe pikërisht në këngët historike të cilat kanë mbetur dëshmia më e mirë e sfidave shqiptare në të gjitha periudhat. Këngët historike sjellin ngjarje të caktuara dhe në këtë formë identifikohet edhe viti i krijimit të tyre për dallim prej këngëve lirike që nuk dihet se kur mund të jenë krijuar ndërkaq artisti popullor në të gjitha rastet mbetet anonim. Këngët historike sjellin edhe protagonistë si “model” disa prej të cilëve janë shëndërruar edhe në mite sikurse është figura e Skënderbeut që këndohet në të gjitha territoret shqiptare, në variante  të ndryshme,. Do të kujtojmë: Pret Stambolla Skenderbeun/mbet ushtria pa Strategun/vrapojn korbat drejt pallatit/ me i qu fjal Sulltan Muratit/ ose Fryn murlani me stuhi, qielli bubullonte/ qielli bubullonte/ rreth flamurit kuq e zi, Skenderbeu luftonte.  Këto këngë ishin tejet të popullarizuar më 1968, pikërisht në shënimin e 500-vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar. E bukura është kur këngë për vdekjen e Skenderbeut, apo vaje gjejmë në muzikën arbëreshe me dialekt origjjinal të cilat i kanë mbijetuar shekujve. Në këtë rast me të drejtë studiuesi Eqrem Çabej potencon se historia e popullit arbëresh në Itali jeton falë këngës andaj pas vdekjes së Gj. K. Skënderbeut dhe pushtimit përfundimtar të trojeve shqiptare prej hordhive otomane, tek shqiptarët e mërguar përtej brigjeve të Adriatikut lindën shumë këngë,arbëreshe, Një këngë antologjike e cila dëshmon se kënga është pasqyrimi më i mirë i historisë së ruajtjes së gjuhës dhe traditës arbëreshe është ajo që i dedikohet vdekjes së Skenderbeut më 1468 “Kjani trima “që sjell nostalgji, mall, dhembje. “Kljani trima, kljani gjith me lote/se iku djavi-dielli, çhë na bënej dritë./ Shkova ga derra jote skish njeri/ shkova ga udha e Krojt e nuk të pash/Kërkova gjitoní për gjitoní e mosnjeri më tha se ti ku je/Një mnjegul e zëzë më vu në si/më salti-thajti grujte-gjunjt e mnje ngjifti den –nriu dejte/Një herëzë mu ngrova në shtëpi/si zog i varfër çhë jam pa folje/Kljani trima, kljani gjith me lote/ Se iku djavi- djelli çhë na bënej dritë.” Këtë këngë artisti popullor e ka krijuar emocionalisht bashkë me ndjesinë dhe thjeshtësinë e popullit ku pretendimet për diapazon dhe ambitus vokal nuk ekzistojnë por finesat interpretative që përcohen përmes tekstit janë evidente. Kështu në ndërtimin e kësaj kënge dhe shumë këngëve të tjera antologjike vërejmë srofa me melodi të njejtë ku teksti është shumë i fuqishëm ndërkaq refreni mungon. Vallja shqiptare ka në epiqendër figurën e Skenderbeut posaqërisht tek arbëreshët të cilët në festën që organizojnë cdo vit evokojnë përmes valles me krenari një nga fitorët më të rëndësishme të heroit kombëtar në vitin 1947. Kështu cdo vit me 22 prill arbëreshë nga të gjitha fshatrat në vendin Civita – ose arbërisht Cifti festojnë dhe kujtojnë Skenderbeun përmes valleve e këngëve.”Vallja e Skenderbeut” është sjellur në versione të ndryshme edhe instrumentale nga artistët tanë që jetojnë brenda dhe jashtë vendit. Përveq krijmeve të artistëve popullor, Gjergj Kastrioti Skenderbeu ishtë motiv për kompozitorët që vunë themelet e muzikës profesionale shqiptare..
Ndonëse në librat shkollor dhe në literaturën shqiptare vit i krijimit të simfonisë së parë është 1956 dhe kompozitor Cesk Zadeja, na rezulton që simfonia “Dy lule mbi varrin e Skenderbeut” është shkruar shumë më herët, pikërisht në vitin 1922. Ndonëse Martin Gjoka konsiderohet autodidakt si kompozitor, kjo simfoni është e kompletuar në aspektin tekniko-kompozicional duke përfshirë një gjuhën të konsoliduar orkestrale dhe harmonike që sjellë dramaticitet të ndjeshëm dhe të fuqishëm .Rrethanat politike dhe sistemi i kohës ishte faktor determinant që kjo simfoni dhe shumë vepra të Gjokës të mbeten të izoluara dhe të evidentohen me vonesë si pjesë e muzikës shqiptare. Personaliteti tjetër, Fan Stilian Noli i njohur si shkrimtar dhe politikan i shquar i kohës, ishte një nga muzicientët që bëri revolucion në ngritjen e muzikës ortodokse shqiptare pas shpalljes së autoqefalsë së Kishës ortodokse. Vec formave kishtare, Noli solli si kompozitor shquhet me poemën simfonike “Skenderbeu” shkruar në vitin 1937 që mbetet një nga veprat më monumentale në muzikën tonë kombëtare.
Cesk Zadeja- kompozitori i parë që u shkollua dhe vuri themelet e muzikës profesionale në Shqipëri, derisa po punonte me regjisorin Sergei Jutkeviç -regjisorin e filmit “Skenderbeu” ai i drejtohet “Kur të vdesësh ti Çesk, në gurin tënd të varrit mos shënohet emri dhe mbiemri, as viti i lindjes dhe i vdekjes, por notat muzikore të filmit për Skënderbeun”. Ndonëse ky ishte një komumikim kolegial në kohën kur po punohej filmi në viti 1953 fakti që edhe sot “Hej ju male” dhe muzika nga Skena e luftës mbeten ndër më të njohurat në repertorin muzikor shqiptar flet për nivelin e lartë artistic e kompozicional dhe për ndikimin e jashtëzkonshëm që pati Zadeja në pasqyrimin e fuqishëm të një Skenderbeu markant përmes muzikës filmike.Skenderbeu përveq në muzikën simfonike e filmike, është prezent në gjininë më të madhe skeniko-muzikore. Kompozitori i operës së parë shqiptare Prenk Jakova shkroi operën “Skenderbeu” në vitin 1968. Ndonëse pritshmëritë e Prenkës ishin të mëdha, pas shfaqjes së premierës ai arriti të merr kënaqësinë që ia dhuroi mbështetja e publikut por jo edhe mirëpritja nga sistemi I kohës. Nodnëse Prenka ishte natyrë sendimentale dhe kishte probleme familjare, dyshohet se shkaqe për vetvravrasje ishin edhe pritja e ftohtë e operës “Skenderbeu” dhe shkrimet e kohës që “hodhën në erë” pikërisht këtë vepër që e kishte punuar me aq përkushtim e dashuri. Edhe baleti i parë shqiptar “Halili e Hajria” shkruar në tre akte në vitin 1963 nga Tish Daija, indirekt lidhet me figurën e Skenderbeut meqenëse drama ngërthen në vehte qëndresën e malësorëve të Shqipërisë ndaj pushtuesit otoman në shekullin XIII.Në Kosovë, figura e Skenderbeut është prezente që nga kompozitorët e parë si Fahri Beqiri I cili ndër vepra të shumta që ka shkruar, arriti që në biografinë e tij si kompozitor të lë një  kryevepër si poema simfonike “Skenderbeu” shkruar më 1968, me rastin e 500 vjetorit të vdekes së heroit kombëtar. Një vepër tjetër dedikuar Gjergj Kastriotit- Skenderbeut u kompozua nga bashkëkohësi i prof. Beqirit kompozitori Esat Rizvanolli. Vepra mban titullin “Fjala e Skenerbeut” dhe nënkupton amanetet e tij për gjeneratat e ardhshme.Emri I parë i muzikës profesionale në RMV me të cilin mburren shqiptarët padiskutim është shkupjani Lorenc Antoni. Etnomuzikologu i parë, themeluesi i shkollës së parë të muzikës në Prizren më 1948, nxitës i shumë proceseve muzikore tëk shqiptarët në Maqedoni në kohën e Ish- Jugosllavisë, anëtar i shoqërisë së parë kulturore e artstike në RMV “Zani I maleve” në vite 30-ta, më vonë themelues i muzikës profesionale kosovare ka shkruar veprën korale “Skenderbeu ngadhnjimtar” më 1968. Kjo vepër u nxor nga arkiva e familjes së Lorenc Antonit pas 52 vitesh, falw kontaktit dhe bashkwpunimit me mbeswn e tij, Alma Bejtullahu- muzikologe, e cila jeton e vepron në Slloveni. Kjo vepër ishte ruajtur në dorëshkrim dhe paraqet kompozimin më të vështirë koral të Lorenc Antonit por dhe një nga më të vështirat në repertorin e përgjithshëm koral. Këtë vepër për herë të parë si premierë absolute iu dha e drejta Ansamblit Nacional të këngëve e valleve popllore shqiptare në RMV ta nxjerrë në skenë më 1 nëntor 2020, në koncertin tematik dedikuar pikërisht Lorenc Antonit. Kjo vepër tashmë është arkivuar edhe si audio-incizim dhe paraqet një nga veprat më me vlerë në arkivin e institucionit tonë në vecanti dhe në muzikën shqiptare në përgjithësi. Prezenca e Skenderbeut në muzikën tonë popullore dhe veprat e kompozitorëve tanë është sinonim i ecjes sonë kolektive dhe zhvillimeve artistike kombëtare duke mbajtur në epiqendër një figurë të tillë me të cilin identifikohemi brenda e jashtë vendit, por figura e Skenderbeu ishte motiv për kompozitorët e huaj dhe prezenca e tij sot në arkivën e muzikës evropiane është një fakt që bën krenar cdo shqiptar. Kompozitori që bëri epokë në muzikën barokiene, Italiani Antonio Vivaldi në vitin 1718 shfaqi premierën e operës “Skenderbeu” në Firencë, ku në epiqendër të ngjarjes ishte prijësi i Shqipërisë. Kjo ishte vepra e parë e Vivaldit me të cilën u prezantua për publikun e huaj. Pas suksesit të madh gjatë një sezone kjo opera u hoq nga repertori dhe fatkeqësisht sot nuk ekziston e tërësishme por janë ruajtur katër arie dhe dy recitativë. Nga e gjithë kjo që thamë konsiderohet se prezenca e Gjergj Kastriotit Skenderbeut në të gjitha format muzikore tek kompozitorët tanë në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni vërteton rëndësinë dhe rolin e kësaj figure të papërsëritshme jo vetëm në këngën popullore që është dëshmi e kujtesës kolektive por edhe në ngritjen e formave dhe gjinive të para profesionale si dhe themeleve të muzikës sonë kombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *