Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, gjatë një interviste për euronews, deklaroi se dëshiron që Ukraina të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.
“Ata janë një prej nesh”, siguroi ajo.
Në anën tjetër, kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, tha se Unioni ishte i gatshëm për të ndihmuar Ukrainën.
Brukseli do t’u propozojë shteteve që të përdorin një linjë financimi urgjent nga BE “për t’i pajisur forcat ukrainase me armë vdekjeprurëse, si dhe karburant, pajisje mbrojtëse dhe furnizime mjekësore”, tha Borrell.
Njëzet e shtatë shtetet anëtare të BE-së kanë vendosur të furnizojnë Ukrainën me armë në vlerë prej 450 milionë euro.
Kjo është hera e parë që Unioni merr një vendim të tillë në lidhje me një vend në luftë.