Fakulteti juridik i UEJL  shënon Ditën e fëmijëve 1 qershorin me promovimin e librit

Fakulteti juridik i UEJL shënon Ditën e fëmijëve 1 qershorin me promovimin e librit

Fakulteti juridik pranë Universitetit të Evropës Juglindore shënon Ditën e fëmijëve 1 qershorin me promovimin e librit universitar

Të drejtat e fëmijëve: Sfidat dhe perspektivat e reja të koautorëve Besa Arifi, Vedije Rakoceri, Arta Selmani-Bakiu, Albana Metaj- Stojanova dhe Ebru Ibish. Libri “Të drejtat e fëmijëve – sfidat dhe perspektivat e reja’’ paraqet një mozaik të pesë temave komplementare shkencore dhe hulumtuese, fryt i punës dhe hulumtimit të autoreve, ligjëruese në Fakultetin Juridik – UEJL. Fëmijët paraqesin kategorinë më të ndjeshme të një shoqërie. Duke marrë parasysh vetitë psiko-fizike të tyre, përkatësisht miturinë e tyre, legjislacioni nacional si dhe dokumentet e ndryshme ndërkombëtare me kohë kanë garantuar të drejtat e tyre të cilat në asnjë rrethanë nuk duhet të cënohen, aq më tepër nga ana e institucioneve. Duke parë pozitën e fëmijëve, veçanërisht në vendin tonë, ku ata ballafaqohen me peripeci të ndryshme qoftë në aspekt të gëzimit të të drejtave të caktuara apo viktimizimin e tyre në forma të ndryshme, konsideruam të rrugës që të trajtojmë disa nga problematikat më kyçe në këtë drejtim, në një libër të veçantë. Duke qenë ligjëruese universitare tash e disa vite në Fakultetin Juridik – UEJL kemi parë që literatura e kësaj natyre është deficitare, veçanërisht në temat që janë trajtuar këtu, kurse nga ana tjetër shumë e domosdoshme edhe atë jo vetëm për studentët, por edhe për institucionet shtetërore që në çfarëdo forme kanë të bëjnë me fëmijët përfshirë edhe OJQ-të që merren me të drejtat e fëmijëve. Librin e mban titullin “Të drejtat e fëmijëve: Sfidat dhe perspektivat e reja’’ meqë në të janë trajtuar të drejtat e fëmijëve në një prizëm unik. Janë vënë në pah veçanërisht sfidat për respektimin e këtyre të drejtave si dhe janë paraqitur koncepte të reja bashkëkohore që pa dyshim hapin perspektiva të reja në drejtim të përmirësimit të pozitës së fëmijëve në vendin tonë. Autorë të temave të përzgjedhura për këtë libër janë profesoreshat universitare, të cilat secila në lëmin e tyre të hulumtimit, me profesionalizëm të lartë kanë dhënë kontributin e tyre që sot lexuesi para vetes të ketë një tekst të integruar të trajtimit të shumë problematikave që tangojnë fëmijët. Autorja Doc.dr Arta Selmani- Bakiu në kapitullin e parë me titull “Prindëria dhe mbrojtja e të drejtave të fëmijëve të lindur përmes metodave të fekondimit të asistuar biomjekësor“ na ofron një temë inovative dhe të patrajtuar në gjuhën shqipe në RMV. Autorja në detaje analizon rregullimin juridik të çështjeve komplekse në lidhje me aplikimin e teknologjive të reja edhe në procesin e reproduktim të familjes. Autorja paraqet faktet e bazuara se zhvillimi dhe aplikimi i teknologjisë së reproduktimit artificial (inseminimi artificial, fekondimi in vitro, amësia surrogate, reproduktimi post-human, teknika e ngjizjes së “fëmijës nga tre prindër”) janë dëshmi për ridefinimin e konceptit të familjes e të cilat në këtë aspekt rrëzojnë parimin e ngjizjes së fëmijës në mënyrë natyrore. Në këtë kapitull, ndër shumë çështje tjera, autorja theksin e vendos në disa koncepte të reja të cilat kanë hapur debate juridike, filozofike, morale dhe etike, siç janë: mbrojtja e të drejtave prindërore të shfrytëzuesve të fekondimit të asistuar biomjekësor; rregullimin e statusit juridik të fëmijëve të lindur përmes metodave të fekondimit të asistuar biomjekësor; rregullimin e konflikteve që burojnë nga e drejta e fëmijës për të njohur prejardhjen e tij gjenetike dhe të drejtën e anonimitetit të donatorit; mekanizmat për të parandaluar komercializimin e procesit të reproduktimit; nevojën për harmonizimin e Ligjit për Familjen dhe Ligjit për Trashëgiminë me Ligjin për Fekondim të Asistuar Biomjekësor si dhe zbatimin e konventave ndërkombëtare të cilat insistojnë në respektimin e parimit të interesit më të lartë të fëmijës edhe në raportet juridike-familjare. Kapitulli i dytë me temë – ‘’Mbrojtja e fëmijëve nga abuzimi seksual dhe pedofilia’’ me autor Doc. Dr. Vedije Ratkoceri, shtjellon të gjitha zgjidhjet bashkëkohore në legjislacionet penale për ofrimin e mbrojtjes sa më të mirë dhe adekuate të fëmijëve – viktima të abuzimit seksual dhe pedofilisë. Për më tepër, këtu fillimisht janë trajtuar konceptet dhe nocionet e abuzimit seksual të fëmijëve dhe pedofilisë dhe më pas janë ofruar të gjitha zgjidhjet efikase dhe bashkëkohore për trajtimin e kryerësve të këtyre veprave penale me qëllim të ofrimit dhe garantimit të mbrojtjes sa më adekuate të fëmijëve-viktima. Kapitulli i tretë – ‘’Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve viktima të veprave penale dhe fëmijëve dëshmitar në procedurën penale’’ i autores Prof. Dr. Besa Arifi trajton një ndër çështjet më të rëndësishme penale kur kemi të bëjmë me fëmijët si viktima të veprave penale dhe fëmijët dëshmitarë në procedurë penale. Ky kapitull shqyrton mekanizmat ndërkombëtar për mbrojtjen e këtyre të drejtave si dhe përfshinë një analizë të thellë të legjislacionin nacional të RMV-së në këtë drejtim, duke analizuar edhe raste konkrete nga praktika gjyqësore. Në kapitullin e katërt i titulluar “Subjektiviteti i fëmijëve në të drejtën civile” nga autorja Doc. dr. Albana Metaj-Stojanova trajtohen cilësitë kryesore të të miturve si subjekte të së drejtës, përfshirë këtu zotësinë juridike të të miturve, zotësinë për të vepruar, zotësinë deliktore të të miturve si dhe atributet e tyre, emrin personal, vendbanimin e vendqëndrimin, dhe shtetësinë e të miturve. Autorja bën një trajtim analitik dhe sintetik të personalitetit juridik të të miturve, me fokus në të drejtat e fëmijëve si subjekte aktive të marrëdhënieve juridiko-civile me cilësinë e titullarëve të të drejtave dhe detyrimeve të caktuara subjektive civile. Në fakt, në thelbin e çdo qenie njerëzore është mundësia për të qenë bartës i të drejtave dhe detyrimeve subjektive civile, nëpërmjet të cilave plotësohen nevojat biologjike të qenies, si pjesë e natyrës materiale, por edhe nevojat shoqërore, si pjesë e një komuniteti social të caktuar. Kapitulli me temë – ‘’Dokumente ndërkombëtare të rëndësishme për drejtësinë për të miturit’’ i autores Doc. Dr. Ebru Ibish, trajton në mënyrë gjithpërfshirëse dhe të detajuar të gjitha dokumentet më të rëndësishme ndërkombëtare që trajtojnë dhe rregullojnë çështje të ndryshme lidhur me drejtësinë për të miturit. Duke pasur parasysh qasjen shkencore të trajtimit dhe analizës së të drejtave të fëmijëve, metologjinë e arirë shkencore dhe literaturën e shfrytëzuar, veçanërisht atë të huaj, autoret kanë përgaditur këtë tekst i cili do të ju shërbejë studentëve të fakulteteve juridike, hulumtuesve shkencor, punonjësve social, psikologëve, OJQ-ve dhe të gjithë personave tjerë të cilët merren me të drejtat e fëmijëve. Promovimi i librit u realizua sot para maturantëve të shkollave të mesme dhe studentëve në kampusin e UEJL-së në Tetovë, dhe po i njejti do të mbahet edhe nesë në kampusin e UEJL-së në Shkup.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *