Erblin Ribari,  nga Kosova në Harvard, i pikasur edhe nga Forbes për sukseset e tij

Erblin Ribari, nga Kosova në Harvard, i pikasur edhe nga Forbes për sukseset e tij

Erblin Ribari është një profesionist financiar nga Kosova i cili menaxhoi projekte shumë milion dollarëshe dhe kontribuoi në rritjen dhe suksesin e shumë organizatave duke nisur nga sektori i investimeve, në teknologji, qeveri dhe ndërqeveri në Shtetet e Bashkuara, Europë dhe Azi. Gjatë rrugëtimit të tij profesional, ai është shpallur fitues i vendit të parë në disa konkurse biznesi në Shtetet e Bashkuara, në Mbretërinë e Bashkuar ka fituar çmimin Warren Buffett, është kualifikuar në “Forbes 30 under 30” në kontinentin e Evropës dhe ka shërbyer si Ambasador Paqeje në kombet e bashkuara në Azi ku është përpjekur e dedikuar të zhvillojë aspektin ekonomik dhe shoqëror në mbarë botën.

Në lidhje me arritjet akademike, Erblini është fitues i bursës së plotë nga qeveria amerikane “Lidershipi Transformues” dhe qeveria britaneze “Çmimi Chevening”. Momentalisht, Erblini është duke i përfunduar studimet e masterit në Universitetin e Harvardit në degën administrim publik dhe financë (tregjet financiare). Erblini është diplomuar nga Imperial College London për studimet master në degën menaxhimi i pasurisë dhe investimit si dhe nga Instituti i Teknologjisë në Rochester në degën master në administrimin e biznesit për financën sasiore.

  1. Ti je nga Kosova, dhe fillove rrugën për studime në Harvard, si ishte rrugëtimi yt për të shkuar atje dhe a mund ta bëjë çdokush që e ka këtë ëndër?

Kur isha një djalosh i ri, vetëm 12 vjeç, mësova për Harvardin përmes një filmi në Hollywood dhe u mahnita pas këtij institucioni. Që nga ajo ditë, çdo hap që kam hedhur në jetën time ka qenë drejt anëtarësimit në atë institucion. Të pranohesh në Harvard nuk është një proces që bëhet brenda natës, por më tepër një përgatitje që zgjat gjatë gjithë jetës. Për të zënë një vend në programin master, duhet të demonstroja qartë profesionalizëm, vendosmëri dhe lidership.

Në përgjithësi, pranimi në Harvard përfaqëson me krenari vendosmërinë e të rinjve Shqiptarë, veçanërisht të një rinie të papërfaqësuar si kjo e jona. Ne jemi me të vërtetë një vend i vogël, por plot me ëndërrimtarë, punëtorë dhe mbi të gjitha njerëz me vullnet të hekurt. Ne nuk jemi lloji i privilegjuar i njerëzve, por kemi ardhur kaq larg dhe synojmë akoma për më lartë, dhe kjo është pikërisht ajo që unë dua të dëshmoj me arritjet e mia në Harvard. Mesazhi im për të rinjtë shqiptarë në mbarë botën është “mos u dorëzo. Fillimi është gjithmonë më i vështiri. Jeta shpërblen ata që punojnë shumë për të ardhmen”.

  1. Çfarë është dua.com për të gjithë ato që nuk e dinë?

dua.com është një platformë novatore që ka si qëllim të ndryshojë mënyrën sesi lidhen komunitetet e ndryshme globale në sferat e dashurisë, biznesit, shoqërisë si dhe shërbimeve financiare. Në dua, misioni ynë është të ndryshojmë jetën e të tjerëve për mirë duke ndryshuar mënyrën e bashkëveprimit të komuniteteve të fragmentuara globalisht si ai i Shqiptarëve. Me një punë të palodhur dhe përkushtim, jemi të vendosur ta realizojmë këtë synim!

  1. Cili është roli yt në dua?

Në dua.com, unë jam Zyrtar Kryesor Financiar (CFO) ku aktualisht i përqendroj të gjitha përpjekjet e mia në marrëdhëniet me investitorët, hartimin dhe monitorimin e pasqyrave financiare dhe planifikimin strategjik global.

  1. Në Amerikë, ti ke një numër të madh të  sukseseve dhe Forbes të ka vlerësuar si  30UNDER 30 si sipërmarrës i sukseshëm, si ndodhi kjo?

Jam shumë i nderuar që u paraqita nga Forbes si një nga profesionistët në rritje në fushën e financave. Arritja në këtë pikë kërkoi shumë punë, dështim, vetë-dyshim, vetë-reflektim dhe këmbëngulje. Në të vërtetë, ky është një riafirmim që përpjekjet e mia të deritanishme kanë shkuar në drejtimin e duhur.

Ishte ora 2 e mëngjesit në Boston kur dolën rezultatet e Forbes dhe nuk u besoja syve. Isha i pushtuar nga emocionet dhe kërkova menjëherë siguri nga miqtë e mi (për të kontrolluar dhe konfirmuar emrin tim) dhe për fat të mirë, arrita në listë!

  1. A është në pritshëmëritë e tua studimet në Harvard, dhe si do e përshkruaje një ditë të zakonshme në kamupus të Harvardit?

Përvoja ime në Harvard shkoi përtej pritjeve të mia. Bëra miq nga pjesë të botës për të cilat nuk kisha dëgjuar kurrë më parë, të cilët formuan perspektivën time në jetë. Kurrikula më sfidoi të dilja nga zona ime e rehatisë dhe të ndiqja rrugën e vetë-zbulimit dhe eksplorimit. Qofshin profesorë, staf apo kolegë, mësova se ne të gjithë kemi diçka për të ofruar dhe Harvardi e bën këtë të mundur përmes diversitetit në programe dhe infrastrukturë.

Çdo ditë në kampusin e Harvardit është unike. Bazuar në interesin tuaj, ju mund të merrni pjesë në fjalime të mbajtura nga liderë botërorë, të kontribuoni në një studim kërkimor, të vizitoni muzeun e shkencës ose thjesht të shijoni një kafe në “Harvard Yard” dhe të takoni mijëra vizitorë që vijnë për të vizituar Harvardin çdo vit.

  1. Cila është kauza jote?

Të gjitha përpjekjet e mia deri më tani kanë një temë të përbashkët dhe ajo është të përmirësoj gjendjen e përgjithshme ekonomike të shteteve në zhvillim si Kosova, vendlindja ime. Jam i bindur që Universitetit të Harvardit do të sigurojë një platformën ideale për ndarjen e njohurive dhe do të inkurajojë individë si unë që gjithmonë të përpiqen për përsosmëri dhe të ndryshojnë status quo-në. Me ndihmën e drejtuesve globalë dhe ekspertëve të politikave në Harvard, planifikoj të kontribuoj në mënyrë efektive në komunitetin tim në fushën e financave, investimeve dhe më gjerë. Sipas citimit të famshëm, “ne ngrihemi duke ngritur të tjerët”.

  1. Çfarë të motivon dhe inspiron ty për idetë që ke?

Gjatë përvojës sime profesionale, kam qenë gjithmonë i motivuar për të përmirësuar komunitetin tim. Duke vënë më shumë theksin në atë që na bën të ngjashëm me njëri-tjetrin, ne jemi në gjendje të kuptojmë më mirë qëllimin tonë në jetë – të bëhemi liderë të së ardhmes, të kujtuar nga brezat që vijnë.

  1. Një mesazh për të rinjtë shqiptar që ndoshta nuk janë të kënaqur me vendin ku janë?

Mesazhi im për të rinjtë shqiptarë që nuk janë të kënaqur me gjendjen e tyre aktuale është “ëndërroni shumë, eksploroni mënyra për të përmirësuar veten çdo ditë, jini këmbëngulës dhe mos u dorëzoni lehtë”. Siç e dimë, suksesi është produkt i zakoneve të përditshme. Disa nga përbërësit sekretë që ndikojnë ndjeshëm në suksesin e njerëzve janë shtylla si puna e palodhur, kreativiteti, të menduarit pozitiv, këmbëngulja dhe qëllimi në jetë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *