Rama: Vjosa do të bëhet “Parku Kombëtar” më i madh i Shqipërisë

Rama: Vjosa do të bëhet “Parku Kombëtar” më i madh i Shqipërisë

Vjosa do të shpallet Park Kombëtar. Në një aktivitet të posaçëm, u firmos marrëveshja mes Ministrisë së Turizmit dhe organizatës amerikane Patagonia për nisjen e punës së përbashkët për ta shpallur Vjosën Park Kombëtar.

I pranishëm në ceremoni, Kryeministri Edi Rama u ktheu përgjigje edhe kritikëve që kërkonin mbrojtjen e lumit të fundit të egër në Europë, Vjosës.

“Organizata Patagonia ka atë që ne na duhet më shumë se çdo gjë tjetër, që është dija dhe eksperienca në një fushë si kjo e mbrojtjes përmes sistemit të Parkut kombëtar të një pjese të rëndësishme të vendit, e cila duket si e lehtë por është shumë e vështirë, sepse Vjosa kalon mes përmes trupit të Shqipërisë, hyn nga njëra anë dhe del nga ana tjetër. Dhe të thuash park kombëtar është një fjalë goje ndërkohë që në këtë gjatësi shtrihen qytete, fshatra të tërë dhe një popullsi e tërë e cila ka nevojë për një horizont zhvillimi ekonomik dhe social se kur na thotë që ky është lumi i fundit i egër në Europë bëjnë sikur harrojnë që lumenjtë e tjerë të egër i kanë zbutur për veten e tyre, kurse këtu e duan të egër. Ne nuk jemi kundër sepse përderisa po e bëjmë, po e bëjmë me bindje të plotë, por këta që e duan Vjosën të egër duhet të kenë parasysh që ne nuk mund të ndërtojmë një rezervat që edhe njerëzit t’i egërsojmë. Por të ndërtojmë një hapësirë për një zhvillim që mbron mjedisin dhe njëkohësisht ushqen shëndetshëm gjeneratat që ja lënë Vjosën trashëgim njëra pas tjetrës në një rrugë të re dhe deri më sot të pashkelur në Europë. Gjithë lumenjtë e tjerë janë bërë si ata qentë dhe macet e cirkut që prodhojnë energji, ndërsa Vjosa do të prodhojë ardhmëri në një formë tjetër. Kjo është një histori që ka pasur edhe një aspekt të lidhur me pavërtetësinë edhe me hipokrizinë pasi ne e vendosëm Vjosën në mbrojtje”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *