Adelina Xhaferi është një vajzë e re dhe shumë ambicioze në karrierën e saj. Ajo është nga fshati Forinë, rethina e Gostivarit. Aty ka përfunduar shkollim fillor dhe të mesëm ku tani edhe është mësuese e gjuhës dhe letërsisë Shqipe. Studimet e ciklit të parë dhe të dytë i ka kryer në Universitetin e Tetovës, me sukses të dalluar, në Universitet tash është e kyçur edhe si asistente në Fakultetin Filologjik.
BonZo: Një biografi e shkurtër e juaja!
Adelina: Po e nis pak më ndryshe përgjigjen e pyetjes suaj. Gjithçka që mund të flas për veten dhe për atë se kush jam, më çon te vargu i bukur shqip dhe te bota e letërsisë, te lidhshmëria ime me këtë gjë. E rritur dhe e ngërthyer me këtë botë, gjithnjë jam munduar ta bëj për vete anën më të mirë të gjërave. Jam Adelina Xhaferi nga fshati Forinë, qyteti i Gostivarit, vend ky në të cilin mbarova shkollimin fillor dhe atë të mesëm, për ta vazhduar më pas ciklin e parë (Gjuhë
dhe Letërsi Shqipe) dhe ciklin e dytë (Letërsi Shqipe) të studimeve me sukses të dalluar në Universitetin e Tetovës.
BonZo: Ju jeni profesoreshë dhe magjistër i Letërsisë Shqipe. Sa ka perspektivë në vend studimi i gjuhës amtare?
Adelina: Po, në mars të këtij viti kam mbrojtur temën e magjistraturës me titull “Proza e Fatos Kongolit mes modernes dhe eksperimentales”, temë kjo e cila më ndihmoi shumë për ta parë se sa letërsia jonë është e larmishme, jo vetëm për nga temat që ajo ngërthen fuqishëm brenda vetes, por, edhe për nga mënyra se si asaj i funksionojnë personazhet në hapësira të (para)caktuara nga autori.
Vendi ynë dhe letërsia që krijohet në gjuhën tonë amtare, janë, sipas mendimit tim nxitja më e madhe që njerëzit të merren me studimin e gjuhës amtare, sepse siç tashmë është e njohur ajo nuk është vetëm gjuha, e cila si mjet komunikimit ndihmon në zhvillimin dhe në paraqitjen sa më të mirë të popullit, por edhe gjuha me të cilën ne mësojmë të kaluarën tonë, dhe nëpërmjet hulumtimeve të ndryshme, e ndihmojë atë dhe veten, që ta njohim tonën me syrin e brendshëm. Edhe studimi i gjuhës sonë, është i kësaj natyre, sepse jo më larg se të rejat që janë bërë e po bëhen brenda territorit të këtij vendi, janë mundësi e mirë që e nesërmja, secilin njeri ta gjejë, jo vetëm si mësimdhënës të kësaj gjuhe, por, edhe në punë e institucione tjera, siç mund të jetë puna e lektorit apo puna e përthyesit.
BonZo: Merreni edhe me botime, shkrime të eseve, cilat janë ato dhe cili është zhanri të
cilin ju e shkruani më së shumti?
Aedlina: Me shkrime kam filluar të merrem që në një moshë fare të re e të njomë, që në shkollimin fillor, por, nuk është se kam guxuar që në një mënyrë të lehtë dhe pa u menduar dy-tri herë t’i shfaqja (publikoja) edhe te të tjerët, sepse atëherë ende nuk e kisha të formuar bindjen se varësisht se asaj çfarë ne shkruajmë dhe e ndajmë me të tjerët, së njëjtës duhet t’ia mirëpresim si kritikat e gjykimet, ashtu edhe lëvdatat që do të na vinin. Gjë që sot është
shumë më ndryshe e menduar.
Nismat e mia drejt rrugës së letërsisë qenë me poezi. Ndër vite kam shkruar ese të ndryshme, tregime me personazhe të paktë në numër, jam munduar të hyjë edhe te rruga e prozës së gjatë, dorëshkrimet e të cilave ende i ruaj në sirtar, po, veten, pas gjithë këtyre sprovave e shoh të pandarë nga poezia dhe vargu i saj i brishtë e i lehtë. Poezia, jo vetëm për mua, por, edhe për të gjithë njerëzit të cilët mëtojnë të hyjnë në rrugën e letërsisë, është ana më e bukur
që mund të na japë krijuesi letrar, si dhe pjesa më e ndierë dhe më e fshehtë e vetes sonë.
BonZo: Libri juaj i fundit “Breza grash” është libër me poezi. Çfarë tematikash trajton?
Adelina: Ashtu siç theksova dhe në fillim, kurrë nuk e kam parë veten larg letërsisë, larg poezisë. Dhe, e nxitur dhe e rritur me një bindje të këtillë, sigurisht ka qenë në ëndrrat e mia të përhershme shkrimi dhe botimi i librave letrarë. Libri im i parë “Botë përtej dritares” që është një përmbledhje me 400 haiku, doli në dritë të botimit në kohën e fillimit të pandemisë për t’ia lëshuar rrugën edhe librit tim të dytë, “Breza grash” që me natyrën që ngërthen brenda saj
dallon shumë nga i pari.
Libri im i fundit “Breza grash” ka brenda vetes një numër të kufizuar të poezive lirike, të cilat, të paraqitura në tri cikle (duke e vënë theksin tek ajo se si jam unë, si është ai dhe se si jemi ne), jep anën më të ndjeshme të dashurisë ndaj grave. Këto të fundit, duke qenë se jetojnë në një rreth që detyrimisht i çon të mendojnë për rrënjët e tyre të forta kanunore, e ku gjithçka i jep para sysh gurë a murana, shami të vjetërsuara dhe oja të zverdhura, pushkë të
mbushura ose drapër pune, ose, shumë më ndryshe se këto, për çdo të diele të dëgjojnë psalme shpresëdhënëse,vuajnë jo vetëm lutjet e pakta që i drejtohen perëndisë për faljen e mëkateve, por, fuqishëm mëtojnë ta mbrojnë gjirin e grave, që këdo e lidh me jetën e dheut.
Tematika që trajtohet në vepër është tematika e moçme e dashurisë, e dhënë si mishërim i
tradicionales dhe modernes në letërsinë dhe përditshmërinë tonë.

BonZo: Jeni mësuese në shkollë fillore dhe asistente në universitet. Na bëni dallimin mes
grupmoshave dhe interesimit ose motivimit të tyre për gjuhën shqipe!
Adelina: Ndonëse e re në moshë, puna ime për këto dy vite me mosha të ndryshme të nxënësve dhe studentëve, më ka ndihmuar shumë që ta shoh jo vetëm atë se si për vite të caktuara dhe në rrjedhje të tyre ka ndryshuar nxitja për ta njohur në thellësi atë që ka lidhje të fortë me ne, por, edhe atë se sa këto qenie të brishta duhet të motivohen për një rrugë të drejtë. Duke pasur parasysh faktin se mësimi i Gjuhës Shqipe në shkollimin fillor është e patjetërsueshme,
dhe nxënësit duhet ta përvetësojnë atë aq mirë, që më vonë falë saj, t’i mësojnë dhe t’i njohin edhe lëndët tjera, në studimet universitare kjo gjë dallon shumë, sepse përzgjedhja për ta studiuar këtë gjuhë, lidhet vetëm me dëshirën dhe me prirjen e studentit për të njëjtën.
Interesimi është në të dyja grupet, sepse kjo gjuhë, siç e theksova disa herë, nuk është vetëm pjesa jonë e përditshme, por, është identifikimi ynë, dhe kush më mirë se sa një mësimdhënës dhe profesor i denjë, mund ta shtojë dashurinë dhe nxitjen për ta studiuar të njëjtën.
BonZo: Cili libër në gjuhën shqipe është “i patjetërsueshëm për t’u lexuar”?
Adelina: Në një mori të madhe të titujve letrarë dhe nga një mori e shumtë e emrave të shkrimtarëve të ndryshëm, ndonëse, sigurisht, është dhe shumë e vështirë të përzgjedhësh një titull, me mjaft kujdes do ta veçoja si libër të patjetërsueshëm për lexim “Qyteti i fundit” të Petro Markos, me shpresë se secili lexues do të shkojë më shumë se kaq.
BonZo: Një mesazh për të rinjtë!
Adelina: Të lexojnë e të krijojnë aq shumë, sa një ditë të falënderohen kur ta takojnë veten!