Alarmi për bomba në veri, mbyllen të gjitha shkollat

Alarmi për bomba në veri, mbyllen të gjitha shkollat

Alarmi për bomba në disa shkolla të katër komunave veriore të vendit është dhënë sot rreth orës 07:40 të mëngjesit, mirëpo brenda një ore mesazhe të tilla kërcënuese kanë arritur në adresë pothuajse të të gjitha shkollave në atë pjesë, kështu që mësimi është ndërprerë, ndërsa nxënësit janë evakuuar dhe janë lëshuar në shtëpi.

Lajmin e ka konfirmuar përmes telefonit zëdhënësi i policisë për rajonin e veriut, Branisllav Radoviq.

“Policia sot rreth orës 07:40 të mëngjesit ka marrë informacionin se nëpër disa shkolla të veriut, përkatësisht në Mitrovicën Veriore, Zvecan, Leposaviq dhe Zubin Potok, ka mjete shpërthyese. Pjesëtarët e policisë kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe janë duke siguruar objektet, derisa të arrijë ekipet përkatëse për deminimin e objekteve shpërthyese”, ka thënë Radoviq për KosovaPress.

Në anën tjetër, Ivan Zaporozhac, i ashtuquajtur drejtor i Arsimit në gjuhën serbe për Kosovë (sipas sistemit paralel v. j.) ka bërë të ditur para gazetarëve se mesazhe kërcënuese kanë arritur në adresat elektronike fillimisht të disa shkollave fillore dhe më pastaj pothuajse në të gjitha shkollat e katër komunave veriore.

Sipas tij, objektet po kontrollohen dhe po verifikohen paralajmërimet nëse ato janë të sakta apo të rrejshme.

“Në orët e hershme të mëngjesit në email-et e shkollave fillore kanë arritur mesazhe me përmbajtje kërcënuese. Bëhet fjalë se nëpër shkolla janë vendosur mjete shpërthyese… Është ftuar policia, personeli është evakuuar, fëmijët nuk kanë hyrë nëpër shkolla, ndërsa aty ku kanë hyrë janë evakuuar po ashtu, dhe tani po kontrollohen shkollat, të verifikohet nëse në këto shkolla ka siguri që nxënësit të qëndrojnë… Edhe disa shkolla të mesme kanë filluar të marrin emaile me përmbajtje të njëjtë, kështu që qysh po arrijnë email-et nëpër shkolla të ndryshme, po punohet sipas procedurave, shkolla lajmëron policinë, nxënësit dhe personeli po evakuohen, kontrollohen objektet shkollore, verifikohet nëse këto paralajmërime janë të rrejshme ose jo, dhe pas kësaj nxënësit do të kthehen në shkolla”, sqaroi Zaporozhac.

Ndryshe, njësitet për trajtimin e mjeteve shpërthyese në kuadër të Policisë së Kosovës, si dhe ato K9, vazhdojnë të jenë të terren dhe deri në kohën kur po raportojmë nuk kanë identifikuar ndonjë mjet shpërthyes.

Policia e Kosovës, përmes një komunikate, sqaroi se kërcënime për bombë ka pasur gjithsej në 30 shkolla të ndryshme të vendit, kryesisht te komunat me popullatë me shumicë serbe. Deri më tani, disa prej tyre, janë konfirmuar se kanë qenë alarme të rrejshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *