Në UT u mbajt Simpoziumi shkencor, me temë: “Kontributi i organizatës Kushtrimi i Lirisë dhe i Rafi Halilit në historinë shqiptare”

Në UT u mbajt Simpoziumi shkencor, me temë: “Kontributi i organizatës Kushtrimi i Lirisë dhe i Rafi Halilit në historinë shqiptare”

Në Universitetin e Tetovës, më 22 qershor 2022, u mbajt Simpoziumi shkencor, me temë: “Kontributi i organizatës Kushtrimi i Lirisë dhe i Rafi Halilit në historinë shqiptare”. Para hapjes solemne, udhëheqësia e Universitetit të Tetovës, bashkë me familjarët e Rafi Halilit, bënë homazhe te varri i tij, për ta nderuar figurën e tij emblematike. Në hapjen solemne të Simpoziumit morën pjesë një numër i madh veprimtarësh politikë, prorektorë, senatorë, dekanë, profesorë, anëtarë të dikurshëm të organizatës “ Kushtrimi i Lirisë”, familjarë dhe studentë.Në hapjen solemne të Simpoziumit, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti tha se ky simpozium në organizim të Institutit “Josif Bageri” i Universitetit tonë, zë vend të veçantë në agjendën e veprimtarisë arsimore – shkencore të institucionit tonë, aq më tepër që trajtohen një periudhë e lëvizjes kombëtare të popullit shqiptar, kanë në fokus ngjarje të mëdha historike, e që kanë mbetur epope të lavdishme, si për nga përmasat e organizimit, ashtu edhe për vuajtjet dhe sakrificat e tyre. “Nga rrëfimet e historisë sonë, ne mësojmë se organizimet e shqiptarëve për kauza të drejta janë të hershme, mirëpo sot, përmes këtij simpoziumi do të njihemi me përpjekjet e veprimtarëve tanë me në krye Rafi Halilin, i cili që në rininë e hershme u angazhua fuqishëm për të drejtat tona, si në arsim, kulturë dhe lëmi të tjera. Rafi Halili personifikon intelektualin dhe simbolin e qëndresës së shqiptarëve në ish-Jugosllavi, kundër politikës diskriminuese dhe gjenocidale të ish-sistemit komunist jugosllav ndaj kombit shqiptar. Ai ishte një personalitet i rrallë dhe i jashtëzakonshëm, me virtyte të larta morale dhe njerëzore. Figura e Rafi Halilit është një figurë mjaft komplekse, të cilën sot në këtë tubim shkencor e trajtojmë edhe nga këndvështrimi shkencor. Sipas studimeve që kanë realizuar hulumtuesit shkencor, të cilët sot marrin pjesë në këtë simpozium, vijmë në përfundim se vepra dhe autoriteti monumental i Tij kanë në themele dashurinë për atdheun dhe bashkimin kombëtar, gatishmërinë për t’u flijuar dhe përpjekjet titanike për liri. Është në detyrën tonë që figura markante të këtij niveli, t’i studiojmë në tërësinë e tyre, për qëndresën stoike përballë politikës hegjemoniste diktatoriale dhe rolin e jashtëzakonshëm, për lirinë dhe demokracinë që sot i gëzojmë. Tubimi i sotëm shkencor kushtuar organizatës Kushtrimi i Lirisë dhe veprimtarisë patriotike të Rafi Halilit, gjatë sesioneve që do të zhvillohen, do të shpalos detaje të rëndësishme historike që përbëjnë interes jo vetëm për historianët, por edhe për lexuesin e zakonshëm. Për më tepër, për këtë tematikë do të flasin, referojnë profesionistët e kësaj fushe shkencore, të dëshmuar tashmë në fushat ku ata veprojnë. Në përmbyllje, të gjithëve Ju falënderojmë për pjesëmarrjen në këtë veprimtari të rëndësishme dhe me interes kombëtar, ndërkaq studiuesit i përgëzoj për kontributin e tyre shumë të rëndësishëm dhe ju inkurajojmë për ndërmarrje të reja në fushën e historiografisë”, tha Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti. Ndërkaq, sipas udhëheqësit të Institutit të gjuhës, kulturës dhe qytetërimit shqiptar “Josif Bageri”, Mr.Sc. Ismet Krosi, organizimi i këtij aktiviteti në kuadër të Institutit, dëshmon studimet e thelluara për gjuhën dhe kulturën tonë të pasur. “ Studiuesit e mirëfilltë do të hedhin dritë, që nga rrethanat historike, roli i organizatave të fshehta, me anë të dokumenteve të kohës do të faktojnë dhe argumentojnë me tezat e tyre shkencore për rolin dhe kontributin e organizatës Kushtrimi i Lirisë, të udhëhequr nga Rafi Halili.Paradigma e veprimtarisë shkencore konceptualizon karakterin që duhet të përmbushë një studim dhe punim, para së gjithash objektivitetin, besueshmërinë, inovativitetin, origjinalitetin dhe konsekuencën aplikative të tij”, nënvizoi mes tjerash udhëheqësi i Institutit të gjuhës, kulturës dhe qytetërimit shqiptar “Josif Bageri”, Mr.Sc. Ismet Krosi.Kryetari i Shoqatës së të përndjekurve politikë, Shpëtim Pollozhani, e përshkroi Rafi Halilin si një idealist dhe luftëtar i paepur për idenë e bashkimit kombëtar. “Rafiu ishte i vendosur të qëndroj këtu edhe pse në një kohë kur kriste dajaku, shumë njerëz ikën, shumë patriotë ikën, që pastaj të kthehen si fitimtarë, bartës dhe pronarë të lirisë. Rafi Halili ishte një personalitet me të vërtetë i shkathët, ne e quanim vidra, vidra është një ndër kafshët më të shkathëta ndër të gjitha kafshëve që ekzistojnë në rruzullin tokësor. Ishte i vendosur, sikurse e thashë pak më përpara, që të mos largohet në asnjë mënyrë nga vendi. Dy herë i krijuam kushte që të dalë në Shqipëri, ai për momentin vetëm sa na e bënte qejfin dhe përsëri merrte rrugën për në Tetovë. Edhe në burg kishte karakter stoik, karakter i cili e dëmtoi jashtëzakonisht, edhe pse ishte ithtar i teorisë që revolucionari nuk duhet të dorëzohet asnjëherë, por duhet luftën ta vazhdojë në burg”, u shpreh Shpëtim Pollozhani.Kumtesën me titull: “Qëndrimi i Rafi Halilit në Strugë, në prag të arrestimit të tretë” e lexoi Prof.dr. Nebi Dervishi. Në pamundësi që të ishte sot prezent këtu, Memet Hajrizi, në emër të tij kumtesën me temë: “Rrethanat historike të veprimtarisë së organizatës Kushtirimi i lirisë dhe Rafi Halili” e lexoi Rudina Zeqiri. Ky simpozium u përmbyll me një pikë artistike nga studentët e Fakultetit të Arteve të Universitetit tonë, teksa më pas profesorët e caktuar vijuan me seancat e punimeve shkencore, të cilët folën mbi jetën dhe veprimtarinë e Rafi Halilit.+78

44

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *