Osman Demiri, artisti me 150 ekspozita kolektive në vend dhe jashtë tij

Osman Demiri, artisti me 150 ekspozita kolektive në vend dhe jashtë tij

Osman Demiri është artist nga Kumanova, që jeton dhe vepron në Gostivar me një biografi të pasur artistike. Shkollën e Mesme e ka kryer për Fashion Design dhe studimet në Fakulteti Filologjik në Shkup. Përpos shkollimit formal biografia e tij përmban edhe shkollime tjera si Shkolla e Fotografisë “John Kaverdash Scool” në Milano. Master në Universitetin për Film dhe Arte Audiovizuele, drejtimi “Kamera Filmike” në Shkup. Bashkëpunëtor i gazetës “FLAKA”, Redaktor i Javores “JETA”, korespondent i gazetës RILINDJA. Drejtor fotografie në filmat “Maratona”, “Aksioni”, “Ditari” dhe filma dokumentar “Fshati im”, “Një jetë për liri”. Regjisor i filmave të shkurtër “Heroi”, “Rruga”, “Portreti” dhe pjesmarrës në disa festivale. Anëtar jurie dhe kurator në konkurse dhe ekspozita të fotografisë në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Kosovë, Serbi, Turqi, Bullgari etj. Ligjerues i Fotografisë në Universitetin e Tetovës. Themelues i Shkollës Verore të Fotografisë “Qyteti im” dhe My Way”. Ish kryetar i Shoqatës së Artistëve Figurativ të Maqedonisë së Veriut Draudacum. Drejtor i Galerisë KULT.

Ai ka mbajtur ekspozita personale në shumë vende të rajonit dhe në kontinente të tjera, përfshirë, Gostivar, Tetovë, Prizren, Shkup, Prilep, Veles, Milano, Guidizzolo, Salsburg, Boston, Maribor, Beograd, Novi Sad, Berat, Korcë, Stamboll, Antalia, Brisel, Neë York, Prishtinë, Tiranë, Preshevë, Suharekë etj. Numëron mbi 150 ekspozita kolektive në Maqedoninë e Veriut dhe jashtë.

BonZo: Ju jeni fotograf me profesion, a konsiderohet si profesion në vendin tonë fotografisti?

Duke u nisur nga ajo se profesion quhet puna me të cilën njeriu siguron ekzistencën e vet dhe të familes, normalisht që po! Pastaj, se sa cmohet dhe vlerësohet ky profesion, është c’ështje krejt tjetër!

BonZo: Stili i fotografive që ju bëni nuk është aspak i zakonshëm, nga e gjeni inspirimin për diçka të tillë?

Unë do të kisha thënë se edhe stili im është i zakonshëm, por i vecantë! Këtë vecanti, ose karakteristikë ia jep qasja ime ndaj fotografisë dhe ndaj artit në përgjithësi. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me inspirimin, por edhe me përjetimin dhe mishërimin tim me fotografinë. Jam rritur dhe zhvilluar me ndihmën e fotografisë. Kemi ndihmuar njëri tjetrin gjatë tërë jetës. Dhe sinqerisht, fotografia për mua më teper është përmbushje se sa profesion. Këtë e them kur flas për fotografinë si art, dhe jo si zanat.

BonZo: A ju sugjeroni të rinjve të merren me fotografi, ka perspektivë?

Po. Falë teknologjisë, tani secili mund ta provojë veten në këtë lëmi. Fotografia ka marrë rolin e një alfabeti mediatik, me të cilin komunikohet më lehtë. Edhe mediumet, edhe rrjetet sociale, por edhe njerëzit në përgjithësi e kanë më të lehtë komunikimin përmes fotografisë.  Dhe në një shtrirje kaq të gjërë të saj, normalisht që ua sugjeroj, jo vetëm të rinjve, port ë gjithëve që ta provojnë veten në fotografi, ose në këtë lloj komunikimi, spese kurrë më lehtë e më lirë nuk ka  qenë.

BonZo: Ju shkruani edhe poezi, është kjo një mënyrë tjetër e të shprehurit nga fotografia?

Po, shkruaj edhe poezi edhe tregime të shkurtëra. Edhe ky lloj arti më përmbush. Një fotograf i njohur ka thënë: Atë që nuk mund ta them me gojë, e them përmes fotografisë. Për dallim nga ai, unë do shtoja: Atë që nuk e them dot me fotografi, mundohem ta them përmes poezisë dhe tregimeve. Shkrimi në përgjithësi, të jep më tepër hapësirë veprimi. Në shkrime, si në prozë ashtu edhe në poezi, “fushëbetejën” mund ta konceptosh dhe ta realizosh vet, sipas dëshirës. Kurse në fotografi, je më i kufizuar. Kur flasim për fotografinë, flasim për një të kaluar, sepse cdo “klik” i aparatit është një e shkuar që nuk përsëritet kurrë. Kur shkruaj, ndoshta pavetëdije e kompenzoj atë që nuk arrij ta them përmes fotografisë.


BonZo: Vazhdimisht promovoni edhe ngjarje kulturore dhe evente të artit, sa ka interes nga popullata e gjërë, cilët mund të jenë faktorët që nuk ka shumë interes?

Ju thashë edhe më lartë, tërë jetën merrem me art. Vetëm aty e gjej veten të përmbushur. Nuk them që ska interes, mirëpo nuk është ai që duhet. Por, kur shikon rrethanat jetësore, prapë them se shumë mirë jemi me publikun. Në një vend ku buka është problem kryesor, nuk mund të presish interes të madh për artin dhe kulturën. Pikësëpari, ekonomia është përtokë, arsimi edhe më keq. Si mund të presim interes dhe vlera kulturore, kur nuk kultivojmë “fidane” të shëndosha, gjegjësisht kur shkollimin e kemi si mos më keq. Politika ka hy në palcë. Rinia jonë, të vetmen perspektivë e shohin politikën dhe gurbetin. Sistemi i vlerave është degraduar deri në maksimum. Edhe ato pak vlera kulturore që kemi i shëprfill politika, ose u nxjerr kontrapunkt me antivlera.

BonZo: Çfarë e bën një fotograf të mirë?

E ceka edhe më lartë, se duke i falënderuar teknologjisë, secili mund të merret me fotografi, së paku ta provojë. Si në cdo lëmi tjetër të jetës, njerëzit që punojnë me përkushtim, ata korrin sukses. Kur flasim për fotografinë, edhe pse e lehtë në dukje, ajo aspak nuk është e lehtë. Përvec njohjes së teknikës, e cila arrihet përmes studimit, fotografia don edhe shpirt. Ajo don njohuri të përgjithshme dhe liri kreative. Nuk njoh një fotograf të mirë që ka qenë ose është vetëm fotograf. Zakonisht janë njerëz të dëshmuar edhe në lëmi tjera të jetës. Sidoqoftë, ajo që e bën një fotograf të mirë është vula e tij, ose stili i tij me të cilin dallohet. Fotografët e rëndomtë vrapojnë pas atraksionit, kurse fotografët e mirë, cdogjë që fotografojnë e bëjnë atraksion.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *