“Dream Short” bën thirrje për një workshop të ri në bashkëpunim me Italinë

“Dream Short” bën thirrje për një workshop të ri në bashkëpunim me Italinë

Festivali i filmit të shkurtër “Dream Short” nga Struga shpall punëtorinë e re të trajnimit për filma të shkurtër, TSFM Word-Frame Struga, e cila do të realizohet në bashkëpunim me Talents dhe Short Film Market nga Italia dhe me mbështetjen e Agjencisë së Filmit të Maqedonisë.

Çfarë është TSFM Word-Frame Struga (Maqedonia e Veriut)? Është një punëtori intensive, ideja e të cilit është të drejtojë tetë regjisorë dhe/ose skenaristë në prodhimin e një filmi të shkurtër artistik ose hibrid (dokumentar, dokumentar krijues, animacion me elementë realë, etj.). Punëtoria synon t’u ofrojë pjesëmarrësve njohuritë dhe mjetet bazë për punë, me fjalë të tjera – t’u mësojë atyre aftësitë e dobishme, në përgjithësi, për fillimin e një profesioni në industrinë e filmit. Në këtë mënyrë, duke ofruar mundësi që do të rrisin njohuritë e tyre si në aspektin e zhvillimit të tregimeve të filmit të shkurtër, ashtu edhe në aspektin e bazave të prodhimit dhe distribucionit.

Si të bëheni pjesëmarrës

Punëtoria është e hapur për të gjithë regjisorët dhe skenaristët nga 9 vendet e mëposhtme: Maqedonia, Serbia, Shqipëria, Kosova, Greqia, Bullgaria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Kroacia, duke punuar në filma të shkurtër në një fazë të hershme të zhvillimit (përmbledhje, tregim i shkurtër, ide fillestare). Kandidatët me përvojë të mëparshme do të pranohen në seminar, i cili do të zhvillohet tërësisht në gjuhën angleze.
Punëtoria është planifikuar të mbahet për pesë ditë – nga 30 gushti deri më 3 shtator në Strugë. Prania e pjesëmarrësve është e detyrueshme. Fituesi i TSFM – Word-Frame Maqedonia e Veriut do të ftohet të marrë pjesë në seminarin e dytë dhe sesionin e pitching në Torino në nëntor, së bashku me fituesit e punëtorive të tjera të organizuara nga TSFM Word-Frame nga Italia.

Komisioni përzgjedhës, i cili përbëhet nga anëtarë të TSFM, do të përzgjedhë tetë pjesëmarrësit. Mësimi i seminarit organizohet nga TSFM dhe drejtohet nga tutorë me përvojë të gjatë në këshillim për zhvillimin e skenarit. Punëtoria u projektua nga Massimo D’Orzi, regjisor, skenarist dhe producent, Massimiliano Narduli, kurator, kompozitor dhe konsulent, dhe Enrico Vanucci, programues, zbulues talentesh dhe distributor.

Regjistrimi për seminarin (i cili mund të bëhet në https://docs.google.com/…/1CUdYqZ0OW8t4VwkjRjOoxkl…/edit) është falas. Afati i fundit i aplikimit është 1 gusht 2022 dhe pjesëmarrësit e përzgjedhur do të njoftohen deri më 9 gusht. Pjesëmarrësve u sigurohen 6 netë, nga data 29 gusht deri më 4 shtator dhe një vakt në ditë, në strukturat partnere të festivalit “Dream Short”. Pagesa e pjesëmarrjes është 150 euro, por vlen vetëm për pjesëmarrësit nga shtetet tjera, e jo për pjesëmarrësit maqedonas, ndërsa shpenzimet e udhëtimit i paguajnë vetë pjesëmarrësit.

Nga se përbëhet metodologjia
TSFM Word-Frame si një seminar ndërkombëtar trajnimi ofron përmes trajnimeve teorike dhe praktike, bazuar në një metodologji të testuar me sukses, tetë kineastët e përzgjedhur të motivohen të përballen me njëri-tjetrin duke zhvilluar projektet e tyre gjatë pesë ditëve. Metodologjia bazohet në punën kolektive që synon zhvillimin e projekteve dhe ideve të reja. Nëpërmjet mjeteve të zotëruara përmes lidhjes dialektike të instaluar me mësuesit dhe studentët e tjerë, kineastët do të mësojnë të njohin dhe të përmirësojnë thelbin e punës së tyre. Gjithashtu, do të merren parasysh edhe fizibiliteti i prodhimit, vlerat artistike dhe kontekstet social-kulturore të projekteve.

Punëtoria do të paraqesë gjithashtu masterklasa informative që fokusohen në industrinë globale të filmit të shkurtër, duke mbuluar tema të tilla si festivalet, tregjet, kompanitë e shpërndarjes dhe shitjes, sesionet e pitching dhe zhvillimi i dosjeve të filmit. Kjo metodologji synon të rrisë cilësinë dhe origjinalitetin e formatit të filmit të shkurtër. Qëllimi është të ushqehen projekte që janë të rrënjosura thellë në zinxhirët e vlerës së prodhimit dhe shpërndarjes kombëtare dhe ndërkombëtare, duke shfaqur ende një gjuhë kinematografike befasuese dhe unike.

Krijimi i rrjeteve mes kineastëve evropianë
TSFM Word-Frame do të zhvillohet gjatë një maksimumi dhjetë seminaresh, gjysma e të cilave do të realizohen në Itali dhe gjysma tjetër në pesë vende të ndryshme evropiane. Punëtoria përfundimtare shtesë do të mbahet në Itali gjatë TSFM nr. 7, në fund të vjeshtës 2022. Me anë të thirrjeve të veçanta për projekte të publikuara për çdo sesion, tutorët do të zgjedhin tetë kineastët që do të marrin pjesë në çdo punëtori. Punëtoria përfundimtare do të zgjedhë maksimumi dhjetë pjesëmarrës, pra të paktën një për secilën fazë, të vendosur nga mentorët në bazë të punës dhe projekteve të tyre.

Ky sesion përfundimtar gjashtë-ditor do të fokusohet në ndërtimin e strategjive të prodhimit për çdo projekt filmi të shkurtër veç e veç, dhe do të çojë në sesione pitching dhe takime një-në-një me producentët dhe profesionistët e industrisë. Qëllimi kryesor i këtij seminari final është krijimi i rrjeteve midis kineastëve italianë dhe evropianë që vijnë nga prejardhje të ndryshme. Sipas TSFM dhe Dream Short, ata besojnë se rrjetet ndërkombëtare mund të kenë një përfitim të madh për pjesëmarrësit, pasi TSFM Word-Frame jo vetëm që do të lehtësojë dhe përshpejtojë prodhimin dhe zbatimin e projekteve të tyre, por edhe promovimin e tyre përmes festivaleve, transmetimeve dhe të ndryshme qarqet në internet. (S.U.)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *