INTERVISTË: Enis Miftari, shkrimtar i ri dhe aktivist jokonformist

INTERVISTË: Enis Miftari, shkrimtar i ri dhe aktivist jokonformist

BonZo: Një biografi e juaja e shkurtër

Enisi është i lindur 06 Nëntor 1997 në qytetin e Gostivarit, por gjithmonë thekson orgjinën nga fshati Nivishtë i Rekës së Epërme.

Shkollimin fillorë dhe të mesëm e ka përfunduar në qytetin e Gostivarit, madje shkollimin e mesëm kam përfunduar në shkollën teknike në profilin teknik kompjuterike dhe informatikë por studimet morrën një kahje tjetër në drejtimin gazetari dhe media pranë Universitetit të Tetovës- shprehet ai.

Shpirti dhe karakteri prej rebeli që nxitet për t’iu kundërvënë padrejtësive dhe sistemit prej despotëve të cilët vënë nishan mbi të dobëtit dhe mbi të varfërit. Që nga viti 2012 aktiv në sektorin civil në fillimet e para si organizator i protestave kundër tekstimit ekstern në qytetin e Gostivarit për të vazhduar më pas vullnetarë në OJQ të ndryshme në Gostivar dhe Shkup, gjegjësisht në Këshillin Rinor të Gostivarit dhe Forumin Rinor Arsimor në Shkup. Përgjatë periudhës 2014-2016 kam qenë kryetar i nxënësve në shkollën teknike dhe antarë i kryesisë në këshillin rinor të Gostivarit. Përgjatë viteve 2014-2016 fitues në gara për biznesplan gjegjësisht vendi i II-të, poashtu vendi i I-parë në poezi dhe fjalim publik. Në vitin 2015 nga Komuna e Gostivarit dekorohem me çmimin rinisti shembullorë në qytetin e Gostivarit dhe mirënjohje për aktivitetet rinore në kuadër të këshillit në qytetin e Gostivarit. Përgjatë periudhës studentore kam përfunduar studimet me mesatare 9,7 dhe kam qenë për dy vite radhazi bursist në fondacionin Dituria. Tashmë Enisi është në botim e sipër të veprës së parë shkencore.

BonZo: Ke qenë mjaft aktiv edhe me unionin e nxënësve shqiptarë, cilët kanë qenë aktivitet dhe çfarë keni inicuar me të?

Unioni i Nxënësve Shqiptar është organizata e parë që kam konstruktuar dhe nga një ide e imja e kam vendosur në bashkëthemelim me të tjerë. Punimet për themelimin e unionit patën filluar që nga Shtatori i vitit 2015-të ndërkaq akti i themelit u shënua më 15 Janar 2016 në qytetin e Shkupit. Aso kohe ne përskaj ndryshimeve në arsim vlerësonim se kishim të bëjmë edhe me pasivitetin e të rinjëve të cilët nuk ishin të informuar rreth aktivizmit dhe rolit të vendimmarrjes andaj në slloganin tonë ishte UNIFIKIM, NDRYSHIM , ARDHMËRI. Kështu duke unfikuar të rinjtë gjegjësisht nxënësit dhe për të dëshmuar që UNSH ishte obrella e nxënësve shqiptar që merrej me çdo problematikë rinore në Maqedoninë e Veriut. Madje mbaj mend betejën tonë për paralelen shqipe në Veles, problemet ndëretnike rrahjen e nxënësve shqiptar në Shkup, problemin me transportin publik të nxënësve në Tetovë dhe të ndryshme. Brenda unionit kishte një strukturë unikate për nga funksionimi dhe potenciali që kishte sepse përgjatë kësaj periudhe institucione të ndryshme shtetërore, OJQ e Fondacione dhe kompani nga bota e biznesit krijuan një raport bashkëpunimi dhe UNSH –ja cilësoj faktorë në zgjidhjen e problemeve dhe dhënien e alternativave. Kujtoj 3 qëllimet e themelimit të cilat ishin 1. Mbrojtja e interesave të nxënësve shqiptar dhe beteja kundër diskriminimit. 2. Nxitja e të rinjëve për të krijuar aktivitete edukativo-arsimore, kulturore dhe rekreative. 3. Binjakëzimi i qyteteve ku shtrihet Unioni i Nxënësve Shqiptar dhe jashtë territorit të Maqedonisë Do ta mbaj mend githmonë si kohë me shumë sfida por në të njejtën kohë sfidat shoqëroheshin me një lloj entusiazmi dhe vullneti që e ndrydhnin çdo përpjekje të të tjerëve për ta shuar zërin kritik të të rinjëve në atë kohë ose për të krijuar gjendje amullie. Më pastaj në vitin 2017 jam tërhequr nga pozicioni që kam pasur si koordinator nacional duke ju dhënë mundësinë të tjerëve. Do doja që UNSH-ja dhe sot të jetë aktive sepse ishte një arenë e promovimit të kuadrit të mirëfilltë që të rinjëve ju jepej hapësirë për angazhim dhe madje kishte projekte reale dhe të konkretizuara jo të atilla që improzivohen. Gjithësesi sot ekziston një ngritje e vetëdijes tek nxënësit do thosha adoleshentët, për të cilët tashmë edhe qasja nga faktorët tjerë me relevancë ka ndryshuar, nuk shihen si dekor ose për tu tokenizuar por si faktorë dhe palë përfshirëse në zhvillim.

BonZo: Keni qenë dhe jeni shumë aktiv nëpër organizime, eventimente, për çështje të ndryshme në lidhje me avancimin e shoqërisë, cili është preokupimi më i madh i yti në periudhën e fundit?

Vazhdimisht që nga aksionet e para në shkollën e mesme dhe më pastaj në studime kam vlerësuar që qasja dhe metodologjia jonë duhet të kenë drejtpërdrejtë ndikim në mentalitetin e shoqërisë tonë e cila duhet të pësoj ndryshime për nga aspekti i vendosjes së prioriteteve, duke bërë më të rëndësishme përmbajtjet sesa kornizat. Pra, të gjitha organizimet të cilave ju paraprijë i vetëm por edhe me bashkëpuntorë janë të karakterit edukativ-arsimorë, temperamenti im nuk është i atillë që anon kah zbavitja por i lidhur ngusht me progresin. Kjo është krijuar edhe si rezultat i pjesëmarrjes në projekte të shumta edhe jashtë vendit. Përgjatë periudhës së fundit më tepër kam qenë i preokupuar me ngritjen e cilësisë së shërbimeve publike nga institucionet përkatëse, zhvillimin e mendimit kritik në detektimin e fake news gjë e cila ka kontaminuar mendimin e shëndoshë të individit si dhe projekte të tjera të cilat ndërlidhen me krijimin e kushteve dhe politikave për promovim të turizmit malorë, krijimin e ambienteve multifunksionale për organizim rinorë dhe OJQ.

BonZo: Ju keni botuar librin me poezi, ‘’Rugëtimi im’’, është kjo një hobi për ty ose merreni profesionalisht?

Të shkruarit është një nga hobit që kam, mbaj mend që në fëmijëri kur shkruaja shumë nga ato shkrime janë botuar në revistën Xixëllonja dhe Shqiptarja. Por më vonë brenda vetes kupton për krijimtarinë që posedon dhe poezi shkruaj sa here që brenda vetes ndizet një kandil e që e pushton të gjithë qënien time. Madje botimi i veprës ka qenë më tepër kërkesë e familjes sime, sepse kurrë nuk e kam konsideruar krijiminë letrare artistike si diçka që duhet detyrimisht ta materializoj andaj dhe kusht që i kam vënë vetes që çdo vepër me poezi e botuar do jetë falas. Për nga pjesa profesionale, në kontinuitet merrem me hulumtime shkencore dhe së shpejti dashamirëve të librit dhe shkencës do t’ju sjelli veprën e pare shkencore nga lëmia e gazetarisë dhe medias.

BonZo: Mund të na thoni çfarë është akademika’’Arbën Xhaferi ‘’ shkurt dhe sa kanë interes të rinjtë?

Akademia Verore ‘’ARBËN XHAFERI’’ është shkolla e parë rinore në trojet shqiptare që mbledh të rinjtë e moshës 18-23 vjeç nga të gjitha trevat shqiptare. Për nga filozofia politike e të ndjerit Arbën Xhaferi kam qenë i nxitur dhe kam kultivuar qasjet politike. Poashtu nga përvoja me miq të tjerë nga vende të Bashkimit Europian të cilët tashmë kishin krijuar akademi të tilla ku studentëve përveç leksioneve teorike ata përfitonin edhe pjesën praktike në sferën e politikbërjes, lidershipit, aktivizmit qytetarë, kuptimi të diplomacisë publike dhe ekonomisë botërore. Kështu që një figurë emblemë si Arbën Xhaferi i cili gjithmonë në vepra do të shkruhet dhe do të mbahet mend për konstruktimin e platformës së demokracisë konsensuale. Në akademinë verore ‘’ARBËN XHAFERI’’ pjesëmarrës janë 20 të rinjtë të moshës 18-23 nga Shqipëria, Kosova, Mali Zi, Maqedonia e Veriut dhe Lugina. Pjesëmarrësit përgjatë qëndrimit të tyre një javorë, kanë mundësinë që të përfitojnë nga leksionet e shumë profesorëve dhe trajnuesve eminentë nga trojet shqipare poashtu kanë puntori nga të cilat pjesëmarrësit përfitojnë aftësi dhe shkathtësi të ndryshme. Edicioni i I-rë është organizuar në qytetin e Gostivarit ndërkaq edicioni i II-të po organizohet në Vushtrri të Kosovës. Është kënaqësi kur pjesëmarrësit e akademisë tashmë janë pjesë e vendimmarrjes në institucionet e vendeve të tyre.

BonZo: Një mesazh për të gjithë të rinjtë?

Çdo i ri duhet të kuptojë për vlerën që ka koha fillimisht, e që me kohë të njohë veten dhe kuptojë se lëvizshmëria është komponentë obligative për çdo individ. Të kuptojë për ndërtimin e vlerave tek ai dhe të mos mbështeten në role model të cilat sot vijnë si rezultat i show-ut në media dhe rrjete sociale, sepse këtu fillon gënjeshtra e më pas manifestohet zhgënjimi. Këtu për të vënë theksin mbi ndërtimin e shëndoshë të botëkuptimit për jetën dhe veten.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *