Dje nga ora 13:00 deri në ora 17:00 në zonën e gjerë të Pollogut është kryer kontroll i intensifikuar ndaj skuterëve elektrik qw njihen si trotineta elektrike, numri i të cilave është shumë i madh këtyre ditëve në rrugët e Tetovës dhe Gostivarit. Gjatë kontrollit janë zbuluar dhe sanksionuar gjithsej 11 shkelje (të cilat kanë të bëjnë me persona që kanë përdorur skuterë elektrik pa pajisje mbrojtëse dhe që kanë lëvizur në vende të ndaluara. Për të gjithë shkelësit janë përgatitur parashtresa përkatëse dhe do të përballen me gjoba në para të parapara me ligj, transmeton Televizioni Koha. Sektori i Punëve të Brendshme Tetovë edhe një herë apelon që personat që drejtojnë skuter elektrik të mos lëvizin në rrugë, por ekskluzivisht në shtigje dhe korsi për biçikleta, në shtigje për këmbësorë apo në zona të tjera të komunikacionit për këtë qëllim. Gjithashtu, kjo kategori e përdoruesve të rrugës këshillohen që nëse lëvizin në shtigje, të rregullojnë shpejtësinë maksimale në 25 kilometra në orë dhe të përdorin helmetë mbrojtëse. Ndryshe, ndaj atyre që nuk respektojnë rregullat dhe rregulloret ligjore do të vijojnë parashtresat e parapara, me shënimin se gjoba është 80 euro në kundërvlerë në denarë. SPB Tetovë do të vazhdojë me aktivitete të tilla kontrolluese edhe në periudhën e ardhshme për të parandaluar aksidentet e mundshme në komunikacion dhe pasoja të tjera të padëshiruara.
tv koha