Protestat në Iran: TikToker-ja vdes pasi qëllohet disa herë nga policia

Protestat në Iran: TikToker-ja vdes pasi qëllohet disa herë nga policia

Protestat e shumta në Iran për vdekjen e 22-vjeçares Mahsa Amini, e cila vdiq nga duart e policisë më 16 shtator, kanë sjellë kaos dhe vdekje të tjera të protestuesve, të cilët vijojnë të qëndrojnë të palëkundur në të drejtat e tyre për zgjedhjen e lirë në vendosjen e hixhabit.

Të njëjtin fat ka pësuar edhe Hadis Najafi, një prej vajzave të cilat protestuan në Karaj, për 22-vjeçaren. Hadis u dërgoi një video miqve të saj, ku fliste për shpresat për një të ardhme më të mirë në Iran dhe një orë më vonë, u qëllua dhe ndërroi jetë.

Një burim, i cili zgjodhi të ishte anonim për shkaqe sigurie, tha se Najafi u qëllua disa herë nga policia iraniane, derisa ndërroi jetë. Një tjetër mikeshë e saj tha se nëna dhe motra e vajzës, u lejuan ta shihnin të ndjerën të premten në mëngjes, për t’u siguruar që po varrosnin personin e duhur.

Nëna e Najafi-t tha se vajza e saj u vra për shkak të hixhabit. “Ajo shkoi në protest dhe u vra, u qëllua nga plumbat në zemër, stomak dhe në qafë. Kur pamë trupin e saj, fytyra dhe trupi ishin të nxirë”, u shpreh ajo mes lotësh.

Najafi vdiq si pasojë e kërkesës për drejtësi, pas vrasjes makabre të Mahsa Amini, e cila u dhunua barbarisht nga policia, pasi nuk kishte vendosur si duhej hixhabin. Policia u përpoq të fshihte krimin, duke thënë se Amini vdiq nga sulmi në zemër, pavarësisht se vajza nuk vuante nga ndonjë sëmundje zemre, ndërsa dëshmitarë okularë dëshmuan se 22-vjeçarja u dhunua brenda një fugoni policie.

Që prej asaj dite, Irani është përfshirë në protesta të shumta dhe një pjesë e madhe e grave kanë djegur shamitë dhe kanë prerë flokët në shenjë proteste dhe sensibilizimi për gratë iraniane. Shumë vajza dhe gra të të gjitha moshave janë vrarë nga agresioni i tmerrshëm i “policisë së moralit” në Iran. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *