Tirana mbledh lexuesit dhe dashamirët e librit çdo vit në panair

Tirana mbledh lexuesit dhe dashamirët e librit çdo vit në panair

Botuesit bashkë me Shoqatën e Botuesve Shqiptarë po bëjnë përgatitjet e fundit për të nisur edicionin e 25-të të Panairit të Librit në Tiranë. Sivjet ngjarja më e madhe e librit në Shqipëri do të çelë dyert e Pallatit të Kongreseve të mërkurën, për të vazhduar deri në fund të javës. Sipas organizatorëve, janë 100 shtëpi botuese, përfshirë ato nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Mali i Zi.

Sipas Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, në konferencën e mbajtur të hënën, sivjet libri është në kohë krize pasi për herë të parë në 30 vjet ka libra që botohen me vetëm 200 kopje tirazh. Sipas drejtuesve të Shoqatës, me çmimin e letrës të shumëfishuar dhe me rënien drastike të interesit të lexuesit, duket se situata është jo fort shpresëdhënëse.

“Jemi në një situatë të vështirë, ne nuk vijmë vetëm për të shitur libra. Gjatë këtij viti çmimi i letrës është rritur 80%, kemi ulur tirazhet e kemi rritur kostot. Nuk ka ndodhur kurrë 10 vjet më parë që të çoja në shtyp librin me 300 kopje. E çoja me më e pakta 1000. Asgjë nuk bëjmë dot vetëm, ka qytete ku nuk flitet fare për librin, ku s’ka biblioteka. Për 11 vjet me radhë Ministria e Arsimit nuk i furnizoi shkollat me libra, e kuptoni çfarë grope iu hap për 11 vjet?”, ka thënë, midis të tjerash, kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri.

Edhe sivjet ekspozita e librit do të ketë ngjarje paralele, si ndarja e 5 çmimeve, takimet letrare, promovimet e diskutimet. Po ashtu, Panairi synon të jetë nxitës i afrimit me librin, ndonëse pagesat për qiratë e shtandeve që variojnë nga 60-70 euro për metër katror, i shtojnë shifrat e shpenzimeve.

“Qiraja këtu është me vendim të Këshillit të Ministrave e lartë. Ne paguajmë 80 milionë lekë për qiranë e Pallatit të Kongreseve”, ka thënë kryetari Ymeri.

Sipas tij, ka nevojë për revolucion dhe nisma shtetërore, ku përfshihen rrethet, shkollat, ministritë dhe bashkitë, për të rikthyer vëmendjen te libri, duke iu dhënë një peshë të madhe mësuesve në shkolla dhe festivaleve letrare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *