Arsimimi medial: Pjesë e mësimit në mënyrë që të njihen lajmet e rrejshme

Arsimimi medial: Pjesë e mësimit në mënyrë që të njihen lajmet e rrejshme

Arsimimi medial do të bëhet pjesë e mësimit me qëllim që t’u ndihmojmë gjeneratave të reja të jenë rezistuesit më të fuqishëm të lajmeve të rrejshme, paralajmëroi sot në konferencë për shtyp kryeministri Zoran Zaev.

Kryeministri foli edhe një herë për reformën arsimore në arsimin fillor dhe tregoi se përmes saj në mësim do të kyçen përmbajtje mësimore të cilat, siç tha, janë kyçe për fëmijët tanë dhe thelbësore, që nxënësit të hyjnë të përgatitur në këtë botë të re bashkëkohore digjitale, përcjell Koha.

“Në arsim përfshijmë arsimim medial dhe digjital, përmbajtje për antikorrupsion, ekologji, por edhe përmbajtje dhe orë për higjienë e cila u tregua si kruciale në luftën me Kovid-19. Kuptohet, përmbajtjet e reja nuk shkojnë në llogari të ekzistueseve. Nxënësit edhe më tej do të mësojnë histori, gjeografi, kimi, biologji dhe gjithçka tjetër që është e domosdoshme për njohuritë e tyre. Por, për këtë punë përmes debatit do ta zgjedhim modelin më të mirë”, theksoi Zaev.

“Prandaj një nga prioritetet tona në ‘Aksion 21’ është – stop për dezinformatat. Paralajmëroj aktivitete të përforcuara në periudhën që vijon, konsultime të gjera me punonjësit medial dhe sektorin qytetar dhe luftë akoma më serioze me dezinformatat, me fjalorin urrejtës dhe format e tjera të kërcënimeve hibride kundër demokracisë në shoqërinë tonë, në kuadër të Planit për aksion vendimtar kundër përhapjes së dezinformatave dhe kundër sulmeve ndaj demokracisë”, deklaroi Zaev.

Me këtë plan, siç tha, është përpunuar edhe protokoll për komunikime të krizës mes servisit qendror qeveritar komunikues dhe ministrive, i cili nëse nuk ekzistonte në kohë të krizës me kovid përmes të cilës kalojmë, do të kishim pasur vështirësi të mëdha në përballjen me lajmet e rrejshme, të cilat në numër të madh ishin plasuar përmes kuazi mediumeve.

“Tendenca të tilla njihen që tani edhe me lajmet lidhur me vaksinën kundër Kovid-19 me qëllim që të shkaktojnë mosbesim tek qytetarët dhe t’i sigurojnë përpjekjet e fuqishme të institucioneve dhe mjekëve në luftën me pandeminë. Këto tentime do të ekspozohen si dezinformata në bashkëpunim me fakt çekerët dhe të mediumeve do t’u sigurohet qasje më transparente drejt burimeve dhe informatave relevante për krijim të përmbajtjeve objektive mediale të interesit publik. Qeveria ka për obligim ta mbrojë interesin publik dhe në atë kuptim do të bëjmë gjithçka është në kompetencat tona që popullata të informohet plotësisht me kohë dhe saktë për mënyrat e mbrojtjes nga Kovid-19, përfshirë edhe për procesin e vaksinimit”, tha Zaev.

Për mbrojtjen nga sulmet kibernetike, potencoi se ka përfunduar procedura për harmonizim të Memorandumit për bashkëpunim të Ministrisë sonë të Mbrojtjes me NATO-n, në fushën e mbrojtjes kibernetike dhe dokumenti është përgatitur për nënshkrim, që do të mundësojë reagim të koordinuar të aleatëve në rast të sulmeve kibernetike.

Kryeministri Zaev paralajmëroi se Maqedonia e Veriut do të jetë lidere në gjetjen e zgjidhjeve në luftën me dezinformatat të cilat e sulmojnë tërë botën dhe, siç tha, beson se krah për krah me partnerët nga perëndimi dhe NATO-ja, do të kundërpërgjigjemi në mënyrë adekuate ndaj kësaj dukurie ë dëmshme.

Comments

comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *