Artistja libaneze, krijoi statujë nga mbetjet e shpërthimit në simbol shprese

Artistja libaneze, krijoi statujë nga mbetjet e shpërthimit në simbol shprese

Është gati tre metra e lartë, njërën dorë e ka të ngritur lart, flokët ia shkund era duke ia larguar nga fytyra, dhe një orë e thyer qëndron te këmbët e saj, tregon orën 6:08, kohën e shpërthimit në portin e Bejrutit, mbrëmjen e 4 gushtit.

Statuja pa emër e artistes libaneze Hayat Nazer është realizuar nga xhama të thyer dhe materiale që ishin brenda shtëpive të njerëzve para se të ndodhte shpërthimi që la të vdekur 200 persona dhe 6 mijë të tjerë të lënduar. Statuja simbolizon shpresën e qytetit për t’u ngritur nga rrënojat.

“Nëse e shikoni statujën, njëra pjesë, këmba është drejt, dora është e lëshuar dhe ka një plagë në fytyrë, flokët që valëviten, dhe me orën që të krijon përshtypjen sikur shpërthimi është akoma duke ndodhur”, ka thënë Nazer për “Reuters Televizion”. “Por dora tjetër dhe këmba tjetër… qëndrojnë sikur kur je duke nisur hapin dhe dora është e ngritur lart, ajo dëshiron të vazhdojë, dëshiron të ngrihet nga rrënojat. Dhe kjo është e vërteta, kjo është e vërteta e jonë”, ka thënë 33-vjeçarja.

Shpërthimi i madh, që rrafshoi një pjesë të Bejrutit, la më shumë se 300 mijë njerëz pa shtëpi dhe ia solli Libanit krizën më të madhe financiare që nga Lufta Civile gjatë viteve 1975-1990.

Nazer beson në rezistencën e libanezëve.

Ajo ka thënë se ata që janë prekur nga shpërthimi, të cilët e kanë parë statujën 2.6 metra – që përkohësisht është duke u ekspozuar te porti ku ndodhi shpërthimi – kanë fuqi dhe shpresë për të vazhduar tutje.

Nazet kishte filluar që të punonte në një skulpturë gruaje edhe para shpërthimit, por doli vullnetare që të ndihmonte në pastrimin e shtëpive të dëmtuara dhe rrugëve. Gjatë natës ajo rikthehej për të punuar në skulpturë duke përdorur pjesë metali dhe xhamash që mblidhte.

“Ndjeva sikur Bejruti ishte një grua… që me gjithë vuajtjet…është shumë e fortë”, ka thënë ajo.

E inspiruar nga kënga “Beirut, Lady of the World” e këngëtares libaneze Majida el Roumi, dhe tekstit “Ngrihu nga gërmadhat”, Nazer ka thënë se statuja ia ka marrë më shumë se dy muaj kohë për ta kompletuar.

Nuk i ka lënë emër. Ka dashur që publiku ta pagëzojë. Veprat e saj të mëparshme përfshijnë një model të një feniksi mitologjik të realizuar nga tendat e djegura të protestuesve, dhe një skulpturë në formë zemre të realizuar nga gurë dhe bombola gazi lotsjellës të zbrazëta që i kishte mbledhur nga përleshjet e protestuesve me forcat e sigurisë.

Comments

comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *