Britania e Madhe nën “bllokadë ajrore” për shkak të llojit të ri të koronas

Britania e Madhe nën “bllokadë ajrore” për shkak të llojit të ri të koronas
Foto:VOA

Zbulimi i llojit të ri të koronavirusit në Britaninë e Madhe dhe përhapja e tij e shpejtë ka frikësuar shumë vende evropiane, të cilat tashmë kanë marrë masa të caktuara dhe kanë vendosur për ndërprerje të përkohshme të trafikun ajror me ishullin.

Veçanërisht shqetësues ishte paralajmërimi nga Ministri britanik i Shëndetësisë, Met Henkok, i cili tha se “lloji i ri i virusit është jashtë kontrollit” dhe vetëm disa orë pasi kryeministri Boris Xhonson, tha se duhet të shtyhen shopinget e Krishtlindjeve dhe tubimet në Londër dhe në jug të Anglisë për shkak të shfaqjes së një lloji të ri të koronavirusit, i cili po përhapet shumë shpejtë.

Ndalesë për trafikun ajror vendosi Franca, e cila, gjithashtu, e ndërpreu edhe transportin e të gjitha rrugëve në 48 orët e ardhshme, si dhe Gjermania, Italia, Holanda, Belgjika, të cilat e bllokuan trafikun ajror dhe hekurudhor, më pas Austria, Irlanda, Bullgaria dhe Kroacia të cilat shpallën ndërprerje 48-orëshe të fluturimeve.

Republika Çeke, ndërkohë, ka vendosur masë më të rreptë karantine për të gjithë pasagjerët që mbërrijnë nga Britania e Madhe dhe ashtu si Rumania, paralajmëroi ndalesë të të gjitha fluturimeve nga ishulli, ndërsa qeveria suedeze publikoi se “janë vendosur kufizime për udhëtime në Britaninë e Madhe”.

Turqia dhe Zvicra iu bashkuan listës së vendeve të cilat ndaluan udhëtime nga Britania e Madhe për shkak të paraqitjes së llojit të ri, shumë më të infektuar të koronavirusit.

Gjermania vendosi masa të reja për udhëtarët nga Britania e Madhe, ndërsa arsyeja është me shumë gjasa ndërprerja e trafikut ajror midis dy vendeve për shkak të një përbërjeje të re të virusit korona.

Pasagjerëve që mbërrijnë në Gjermani me aeroplan para se të hyjë në fuqi ndalesa do t’u ofrohet test për korona, që është i detyrueshëm për shtetasit e huaj, ndërsa do të tregohen edhe rregullat ekzistuese për karantinë.

Masa e re ka shkaktuar kaos në aeroportet gjermane, pasi që pasagjerëve nuk u është lejuar të largohen nga aeroporti deri sa ta marrin rezultatin e testit.

Jashtë Evropës, ndalesë për udhëtime nga Britania e Madhe, por dhe nga Danimarka dhe Afrika Jugore, ku gjithashtu është zbuluar lloji i ri i koronavirusit, vendosën edhe Izraeli, Irani dhe Salvadori, ndërsa Maroko paralajmëroi ndalesë të trafikut ajror.

Kryeministri britanik, Boris Xhonson thirri sot takim të trupit të krizës në të cilin do të diskutohet për trafikun ndërkombëtar nga dhe për në Britaninë e Madhe, kumtoi dje një përfaqësues i kabinetit të tij.

Këshilli Evropian dje mbajti video konferencë të jashtëzakonshme me 27 vendet anëtare të BE, në të cilën u diskutua situata dhe masat e reja në lidhje me informacionin për llojin e ri të koronavirusit të raportuar në Britaninë e Madhe.

Qeveria holandeze njoftoi se në ditët e ardhshme, “BE do ta shqyrtojë hapësirën për kufizime të mëtejshme mbi rrezikun e transmetimit të koronavirusit të ri nga Britania e Madhe”.

Comments

comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *