Censusi RMV: Diaspora do të jetë në përqindjen e të regjistruarve

Censusi RMV: Diaspora do të jetë në përqindjen e të regjistruarve

Ligji për regjistrim është i qartë, si ata që jetojnë në Maqedoninë e Veriut e si shtetasit që janë në Diasporë, do të përbëjnë numrin e përgjithshëm të popullsisë së regjistruar, shprehet drejtori i Entit për Statistikë, Apostoll Simovski, pas kërkesës së kreut të VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, se diaspora vetëm duhet të evidentohet.

“Kemi dy kategori qytetarësh që regjistrohen. Njëra është e ashtuquajtura popullsi rezidente, që me metodologji është e definuar në mënyrë precize kush hyn në këtë kategori. Kategoria e dytë është e ashtuquajtura popullsi jorezidente, shtetasit tanë që gjenden jashtë vendit më shumë se një vit dhe të huajt që janë në vend më pak se 1 vit. Të dyja kategoritë bashkë përbëjnë totalin e popullsisë së regjistruar”, tha Apostoll Simovski – Drejtor i Entit Shtetëror për Statistikë.

I pyetur për terminologjinë që diaspora vetëm të evidentohet, Simovski thotë se kjo është çështje politike që u nxit nga parti politike, e nuk e ka ndër mend t’i komentojë.

Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, është ai që po kërkon që mërgata vetëm të evidentohet dhe të mos llogaritet si përqindje e popullsisë së përgjithshme të regjistruar, përndryshe, nuk do t’i pranojnë rezultatet.

“Rezultate të tilla ne nuk do t’i njohim dhe nuk do t’i pranojmë. Dihet se çfarë do të thotë sipas EUROSTAT dhe metodologjisë së pranuar, regjistrim i popullsisë dhe amvisërive. Ky është evidentim i diasporës dhe do ta trajtojmë si evidentim! Dihet saktë se çfarë do të thotë evidentim i diasporës, saktë dihet se çfarë do të thotë regjistrim i popullatës rezidente”, theksoi Hristijan Mickoski – kryetar i VMRO-DPMNE (01.04.2021).

Po të nesërmen e kësaj deklarate të Mickoskit në ClickPlus, kryeministri Zoran Zaev u shpreh se si ata që jetojnë këtu, si ata që janë në diasporë, do të përbëjnë numrin e përgjithshëm të të regjistruarve.

“Diaspora është populli ynë, sot është jashtë, nesër do të jetë këtu. Ndoshta nesër dikush nga ne do të jetë jashtë, ndërsa diaspora jonë do të jetë këtu. Ai është populli ynë. Ne e regjistrojmë gjithë popullin tonë, pa dallim nëse është në vend apo jashtë”, u shpreh kryeministri Zoran Zaev (02.04.2021).

Kjo çështje javën që shkoi ngjalli debat të zjarrtë në ClickPlus kur i ftuar ishte kryeparlamentari Talat Xhaferi.

Tajat Xhaferi: “Nuk mund të preket në definicione, more, njerëz, a dini shqip?! Unë nuk e di, por shqip jam duke folur. O gazetar i shishët…”.

TV21: Jo, jo, unë flas me fjalët e njeriut, saktësisht se çfarë ka thënë z. Mickoski.

Talat Xhaferi: “Unë jam duke folur me gjuhën e ligjit, jo çfarë ka thënë Mickoski, jo çfarë do them unë, s’më intereson, se mua më intereson se çfarë do të vijë pjesa materiale në propozim”.

Dy ditë më parë Kuvendi miratoi ndryshimin e ligjit për regjistrim të popullsisë rezidente. I njëjti pritet të realizohet nga data 5 deri më 30 shtator. Vetëregjistrimi i diasporës vazhdon të realizohet përmes aplikacionit online i cili do të jetë i hapur deri më 30 shtator./TV21/

Comments

comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *