“Dhjetori i trishtë”

“Dhjetori i trishtë”

“… Ishte një ditë e trishtë dhjetori. Mundohesha të merrja frymë, por fryma siç dukej në mënyr shpotitëse rezistonte kundrejt përpjekjes sime. Teksa unë më shumë se kurrë ndjeja nevojën që ajri të përshkonte rrugën drejt mushkërive të mija, ai si për inat rrekej të më anashkalonte. Nuk mbushesha dot me frymë, dhe sikur të mos mjaftonte kjo, pas një grimëhere fillova edhe të dënesja. Të qaja ishte gjëja që e bëja më së mirti, dhe lotët për dallim nga ajri, nuk e humbisnin rastin për të qullur faqet e mija. Kjo ngjarje po më sfiliste. Rreth vetës dëgjoja zhurma bisedash dhe me sy të përhumbur mundohesha të shkoqisja shtëllungën e fjalëve që rrinte pezull në hapësirën e dhomës. Doja të dija më shumë. Si kishte ndodhur, pse kishte ndodhur?! Por asgjë nuk arrija të kuptoja. Dija vetëm se natën e shkuar teksa ne bënim gjumë të rehatshëm, babin e kishin arrestuar forcat policore. Vetëm kaq. Tani nuk e dinim as ku ndodhej, dhe brenga primare e të gjithëve ishte të kuptonim në ishte gjallë ose jo! Ndiqja me sy lëvizjen e çdo njeriu që hynte në dhomë, me dëshirën e zjarrtë për të dëgjuar në vijim buisjen e fjalëve përplot informacion në lidhje me atë që po ndodhte, por jo, askush nuk tregonte asgjë dhe unë zhgënjehesha. “Zoti e ka në dorë”, thonin të gjithë, dhe në fakt ashtu ishte. Për dallim nga njerëzit që mbështeteshin në fuqinë dhe paratë e tyre, ne bënim pjesë te grupi tjetër, tek ata që mbështetëjen e prisnin vetëm nga fuqia hyjnore. Unë përbrenda kisha ndezur qiririn e quajtur shpresë dhe isha më se e bindur se çdo gjë do të kalonte dhe së shpejti do të mbaronte edhe kjo andrrallë koti. Ditët kalonin, dhe ne dalëngadalë mësoheshim me zbrastirën që e shkaktonte mungesa e tij. Shtëpinë tonë e kaploj një amulli e çuditshme, gjurmët e së cilës është e vështirë t’i shlyejm edhe sot. Brenda nesh u hap një zgafellë e trishtë që përbinte vetëm trishtim: u bëmë një me të. Drejtësia po dremiste, dhe askush nuk po përpiqej ta zgjonte. Qiriri që kisha ndezur tashmë shpaloste një dritë të vagullt, por gjithësesi, në asnjë mënyr nuk dezertonte në betejën me errësirën. Vitet kalonin dhe ndodhitë po i përbinte harresa. Unë e mbaj mend shumë mirë vajzën njëmbëdhjetë vjeçe që e llahtarisur kërkonte të dinte më shumë për fatin e të atit. Ajo me netë të tëra nuk vinte gjumë në sy, qante fshehurazi dhe dënesjet i mbulonte duke e puthitur fuqishëm fytyrën mbi jastëk; ajo me vite të tëra kruspullosej brenda vetës, dhe këtë nuk ia thonte askujt. Ajo jetonte për ditën kur babai i saj befas do vinte, ashtu siç kishte ikur: një ditë të trishtë dhjetori, kur ajo do të vinte nga shkolla do të kuptonte se babai i saj ishte kthyer, njejtë si atëherë, kur në një ditë të trishtë dhjetori, ajo erdhi nga shkolla dhe kuptoj se babai i saj kishte ikur. Vitet iknin, por nuk ndodhte gjë. Ajo ishte në klasën e pestë kur babai i saj u burgos; mbaroj shkollën fillore dhe nuk ndodhi gjë; mbaroj të mesmen dhe babai nuk ishte prezentë në maturën e saj; mbrojti temën e diplomës dhe në sallën e mbushur përplot njerëz mungonte vetëm një njeri: babai i saj. Vajza që atëherë ishte vetëm njëmbëdhjetë vjeçe vazhdon ta posedoj të njëjtën ëndërr sot e kësaj dite, edhe pse tani mbi kurrizin e saj rëndojnë njëzetepesë vite të plota. E njohë shumë mirë atë. Ajo jeton brenda meje. Sëmbima që kam ndjerë në zemër ka qenë një shoqëruese besnike dhe për asnjë moment nuk më ka lënë vetëm. Keni parë ndonjë qiri që ri ndezuar për katërmbëdhjetë vite rresht dhe nuk harxhohet? Unë po! Më parë mendoja se drejtësia po dremiste, por tani nuk mendoj më kështu. Mbase ne i bëjmë padrejtësi drejtësis kur e akuzojmë për padrejtësi! Derisa ne kemi kërkuar drejtësi për të burgosurit e pafajshëm, nuk na ka shkuar në mendje se ndoshta edhe vet drejtësija është një e burgosur. Po me siguri! Atë e kanë mbyllur në një vend të harruar, të braktisur, teksa çelsin e kanë në dorë ata që gjenden në epiqendrën e një labirinti hierarkik; ky duhet të jetë një labirint me përmasa gjigante, që i ka rezistuar gjithëçkaje. Dhe unë tani pyes vetën, se çfar fshihet pas një demokracie me “drejtësi” të burgosur? Nuk e di. Mbase.. shumëçka! Ajo që dua të dij është drejtësija, dhe koha kur çelsi i saj do të gjendet në dorën e një njeriu të drejt dhe të ndërgjegjshëm. Dhjetori po afron, dhe unë mbyll sytë teksa mundohem të ndez kujtimet e së kaluarës. Jam atje, klasa e pestë, sapo jam kthyer nga shkolla, dhe shtëpija jonë nuk është e mbushur me njerëz. Jemi vetëm ne, flasim, qeshim, nuk ka ndodhur gjë. Babi është aty, sepse një natë më parë nuk ka ardhur asnjë forcë policore që ta arrestonte. Hap sytë, dhe kuptoj se ajo që kam ndezur nuk është një kujtim por një imagjinatë fëmirore, që nuk më përket mua por njëmbëdhjetëvjeçares që jeton brenda meje. Ajo është e pacenueshme. Jemi dy, ajo dhe unë. Që nga ai dhjetor unë kam jetuar jetë të dyzuar me ndjesi të dyzuara. Që atëherë ndava një pjesë të shpirtit dhe e lash të qëndroj ashtu siç ishte, teksa pjesa tjetër u rritë dhe tashmë është bërë grua. E kam bërë këtë me shpresën që ditën kur babi të kthehej ta vazhdonim të gjithën ashtu siç e lamë…
Një ditë të trishtë dhjetori unë vij në shtëpinë e prindërve dhe kuptoj që babi është kthyer.

 

Shkruan:Zira Luta!

Comments

comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *