Dita ndërkombëtare e kujtimit të Holokaustit: Asnjëherë të mos përsëritet

Dita ndërkombëtare e kujtimit të Holokaustit: Asnjëherë të mos përsëritet

 Holokauasti të mos përsëritet asnjëherë dhe askujt më. Kujtimi për të dhe për gjashtë milionë hebrenjtë, të cilët kanë qenë viktima, si dhe të mbijetuarve, është obligim, por edhe përkujtim për njerëzimin se ku mund të çojë fjala e urrejtjes, jotolerancës, diskriminimit dhe sa pak nevojitet që të shkatërrohet tërë një popull.

Këto janë një pjesë e porosive të pjesëmarrësve në shënimin komemorativ me rastin e 27 janarit – Ditës ndërkombëtare të holokaustit, që u mbajt sot onllajn në organizim të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Kryetarja e Kuvendit të bashkësisë hebraike në Republikën e Maqedonisë së Veriut Radojka Helman – Denkovska, në fjalimin e saj në komemoracionin, tha se Holokausti, i cili nuk ka ndodhur diku larg, por këtu në Evropë, nuk është vetëm episod tragjik i historisë botërore, por ngjarje e vetme, e cila ka rëndësi universale, që duhet të mbahet mend, jo vetëm për shkak të respektit ndaj viktimave dhe të mbijetuarve, por edhe si mësim për botën.

“Sot jemi më afër momentit kur holokausti do të ndalet të jetë kujtim i gjallë dhe do të bëhet histori. Gjeneratat e ardhshme nuk do të mund ta dëgjojnë të vërtetën nga ata që e kanë përjetuar. Tragjedia e holokaustit bëhet shenjë dhe vërejtje për atë se ku mund të çojë fjala e urrejtjes dhe sa pak nevojitet që të shkatërrohet një popull dhe një komb i tërë”, tha Helman – Denkoska.

Ambasadorja gjermane në vend, Anke Hollshtajn thotë se këto janë ditë, në të cilat i kujtojmë viktimat e Holokaustit dhe u shprehim respekt viktimave.

“Kujtojmë tradhëtinë e të gjitha vlerave civilizuese. Holokausti është përgjegjësi historike që ne gjermanët e bartim”, tha Holshtajn.

Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani në mbledhjen komemorative me rastin e shënimit të 27 janarit – Ditës Ndërkombëtare të përkujtimit të Holokausit, tha se këto janë ditë për t’i kujtuar dhe nderuar mbi gjashtë milion fëmijë, gra dhe burra, duke i përfshirë 7.144 hebrenj nga Maqedonia e Veriut, të cilët jetët e tyre i humbën në Aushvic- Birkenau, Treblinka dhe në llogoret tjera të vdekjes.

“Obligimi ynë civilizues është që të luftojmë, çdoherë dhe pa kompromis, duke e kthyer kujtimin në veprim, kundër relativizimit të së keqes, shtrembërimit të historisë, mohimit të fakteve dhe të vërtetës për Holokaustin. Të themi zëshëm dhe qartë JO!- për antisemitizmin, racizmin, ksenofobinë dhe anët tjera të jotolerancës’’, theksoi Osmani, duke folur për rëndësinë e holokaustit si një tragjedi që nuk guxon as të harrohet, dhe as të jetë dita e vetme që do ta përkujtojmë me holokaustin.

Ai shtoi se të gjithë ne duhet në mënyrë të përbashkët dhe individuale të punojmë në drejtim të përhapjes së vlerave universale, përforcimin e kohezionit social, investimit në arsim dhe të rinjtë, në zhvillimin dhe ngritjen e vetëdijes për vlerën e ekzistimit dhe respektin e të gjitha dallimeve në një shoqëri pluraliste.

Në mbledhjen komemorative fjalime mbajtën edhe ambasadori jorezident i Shtetit të Izraelit, Dan Orijan dhe Fahri Hiseni, koordinator i projektit rajonal në Shtëpinë e Ana Frankit nga Amsterdami “Histori-mësime për të tashmen” nga Forumi Arsimor Rinor nga Shkupi.

Data 27 janar është dita kur është çliruar kampi famëkeq Aushvic – Birkenau dhe me Rezolutë të Kombeve të Bashkuara nga 1 nëntori 2005, është përcaktuar si Ditë Ndërkombëtare e viktimave të Holokaustit, të cilin Republika e Maqedonisë së Veriut, si anëtare me përgjegjësi dhe respekt në bashkësinë ndërkombëtare, tradicionalisht e shënon këtë ditë tani shumë vite.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore janë vrarë gjashtë milionë fëmijë, gra dhe burra hebrenjë. Mes tyre, edhe 7.144 hebrenjë nga Meqedonia e Veriut, të cilët jetët e tyre i humbën në kampin e përqëndrimit, Treblinka./koha.mk/

Comments

comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *