Joli Agolli Paparisto, artistja shqiptare në Amerikë: sa më e fortë sfida, aq më bukur shijohet fitorja.

Joli Agolli Paparisto, artistja shqiptare në Amerikë: sa më e fortë sfida, aq më bukur shijohet fitorja.
Foto: Joli Agolli Paparisto

Joli Agolli Paparisto, një grua e suksesshme në fushën e artit. Ajo prej vitesh jeton dhe vepron në SHBA. Është themeluese dhe udhëheqëse e grupit të njohur artistik Gjergj Kastrioti në Miçigan, përveç rolit të koreografes njihet edhe si producente e emisionit Tirana ose Shkodra Show, ose Për Kafe me Benin dhe Jolin e të tjera.

Përmes artit dhe kontributit të saj në këtë drejtim, tenton të ruajë dhe promovjë vlerat dhe traditën shqiptare.  Ndiqeni intervistën interesante me të!

 

 1. Çfarë ju shtyu të emigroni në SHBA?

Arsyeja e ardhjes në Amerikë ishte bashkimi me familjen, me shumë dhimbje e lashë Tiranën, profesionin, karrierën por më duhej të zgjidhja, dhe sigurisht zgjodha familjen.
Besoj se bëra zgjedhjen e duhur.

  2. Si lindi pasioni për koreografinë?

Unë jam femijë artisti, babai im ka qenë balerin i parë në Ansamblin e Ushtrisë asokohe dhe koreograf. Me sa duket trashëgova talentin dhe pasionin e tij, fillova me Baletin Klasik dhe Vallen Popullore dhe vazhdova me Koreografinë, ndryshe nga motra ime Nada që zgjodhi Dramaturgjinë. Por di të them që është një profesion shumë interesant, plot emocione dhe më duket se më shkon për shtat, më pëlqen shumë të krijoj dhe sidomos të punoj me talentet e reja.

  3. Konsideroheni si themeluese e grupit artistik “Gjergj Kastrioti” në Miçigan, cfarë është ky grup për ju?

Grupi Gjergj Kastrioti është si nje bebe, një krijesë e bukur që rritet dhe fuqizohet çdo ditë. Është frut i bashkimit të dëshirës për Art, ruajtje të traditës së valles popullore dhe trashëgimisë kombëtare këtu në ShBA. Nuk më dedikohet vetëm mua krijimi i këtij Ansambli por i të gjithë komunitet të kishës së Shën Palit këtu në Miçigan, i cili jep një kontribut të pashoq në këtë drejtim. Unë nuk do kisha këtë kuptim që kam si artiste po mos ishte ky grup vallesh. I dua shumë, po vërtet shumë.

  4. Filmi “Edhe ashtu edhe kështu”, përse është emërtuar me këtë titull dhe çfarë mesazhi keni përcjell përmes rolit tuaj?

Filmi është një krijim i të madhit Bujar Kapexhiu, roli im ishte modest por me një impakt të madh, sidomos për kohën e atëhershme. Theu disa tabu përsa i perket figurës së vajzës së hapur dhe të apasionuar që nuk tutej për të ndjekur dhe realizuar dëshirat, sportet dhe pasionet që ndoshta për kohën ishin pak të avancuara. Sepse flasim për Shqipërinë e viteve 1990.

  5. Thuhet se njeriu mëson nga vështirësitë e jetës, po ju çfarë mësime keni marrë?

Është shumë e vërtetë, jeta ka shumë të papritura, të çon lart e poshtë, une di të them me siguri që sidoqoftë situata që përballesh nuk duhet të stepesh, sa më e fortë sfida aq më bukur shijohet fitorja.
Por gjithmonë duhet të varesh tek forcat e tua, dhe kurrë mos përfito ose bëj dëm dikujt, pozitiviteti te çon lart në jetë.

  6. Si është jeta e një balerine në SHBA dhe ku e shihni veten në këtë drejtim?

Unë punoj shumë fort,  jam gjithmonë në kërkim të krijimit të diçkaje të re të bukur, dhe që i shërben komunitetit, dhe sigurisht mua si artiste. Për këtë kam krijuar nje varg Show si Tirana ose Shkodra Show, ose Për Kafe me Benin dhe Jolin e të tjera. Pra, kam kaluar nga profesioni i balerinës ose i koreografes në rolin e producentes. Por sigurisht të gjitha profesione nëse mund të shprehem kështu, kanë komplimentuar njëra tjetrën, dhe sot unë them që jeta e një balerine në Michigan është plot larmi.

  7. Si ka ndikuar pandemia te ju në përgjithësi? 

Pandemia na ka lënë pak në vend numëro, sepse nuk dimë se si shkojnë gjerat, gjithçka ndryshon papritmas këtu tek ne, megjithatë jeta vazhdon dhe po mundohemi ta shikojmë me pozitivitet, dhe të bëjmë aq sa kushtet na lejojnë.

  8. Sa ndjeket dhe vlerësohet puna juaj në promovimin e vlerave të traditës shqiptare te shqiptarët dhe vendasit në Amerikë?

Besoj që vlerësohet shumë dhe për këtë i jam mirënjohëse, por do desha nëse më lejoni të evidentoja dhe kontribues të tjerë të përçimit të vlerave artistike, dhe që janë bërë Urë lidhëse të Shqiptarëve të Amerikës dhe trevave Shqiptare  përsa i përket Artit. Një nga këto është dhe 🇦🇱SHQIPËRIA ETNIKE🇦🇱, një promotor i fuqishëm që sjell shumë artista shqiptarë. Jo më larg se vjet në ktë kohë solli këtu për një turne grupin me famë shqiptar Elita 5, i cili u prit me shumë dashuri nga publiku i këtushëm. Pra siç e shikoni ne nuk ndalojmë së adhuruari dhe shijuar artin tonë të bukur.

  9. Ku qëndron dallimi mes jetesës në SHBA dhe Shqipëri për sa i përket profesionit?

Së fundmi isha në Shqipëri dhe mund të them që dallimi është fanatizmi që ne ruajmë ndaj gjithçkaje tonën këtu në Amerikë, përfshirë gjuhën, zakonet, i kemi qejf të pa përziera, dimë të jemi Amerikanë por dimë të jemi dhe Shqiptarë, kjo sepse jetojmë mes dy kulturave.
Përsa i përket punës time, këtu ka më vështirësi për ta realizuar, është një temë që kërkon kohë të gjatë për tu shpjeguar, por ashtu sikur thashë dhe më lart, sa më e madhe vështirësia aq më bukur shijohet suksesi.

Comments

comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *