Kosova pezullon linjat ajrore me Britaninë e Madhe

Kosova pezullon linjat ajrore me Britaninë e Madhe

Kosova ka pezulluar udhëtimet me Britaninë e Madhe, pasi të njëjtën masë e kanë vendosur edhe shumë vende në botë, për shkak të përhapjes së variantit të ri të koronavirusit.

Përmes një komunikate për media, ministri Shëndetësisë në Kosovë, Armend Zemaj, ka njoftuar se vendimi parasheh pezullimin e të gjitha linjave ajrore të fluturimit në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” nga Britania e Madhe për në Kosovën dhe anasjelltas.

Kjo masë, sipas vendimit, merret për të prandaluar përhapjen e koronavirusit.

Megjithatë, udhëtarët që vijnë nga linjat tokësore do t’iu lejohet hyrja, mirëpo ata obligohen të vetizolohen për një periudhë 14 ditore.

“Për të gjithë personat fizik dhe juridikë që nuk respektojnë këto masa, organet kompetente obligohen të shqiptojnë masat ndëshkimore konform Ligjit për parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë”, thuhet në komunikat.

Në fillim të javës, nga Aeroporti i Prishtinës kishin thënë për Radion Evropa e Lirë se gjatë kësaj jave ishin paraparë të realizohen katër fluturime ndërmjet Londrës dhe Prishtinës. Një fluturim është realizuar të martën (22 dhjetor).

Dhjetëra vende kanë ndërprerë lidhjet e udhëtimit me Britaninë e Madhe që kur qeveria atje njoftoi për masa shtesë në Londër dhe Anglinë juglindore gjatë fundjavës, për shkak të përhapjes së shpejtë të variantit të ri të koronavirusit, i cili u identifikua për herë të parë në shtator.

Ekspertët nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) në Evropë do të takohen më 23 dhjetor për të diskutuar se si të trajtohet ky lloj i ri i koronavirusit, duke thënë se “kufizimi i udhëtimit për të frenuar përhapjen është një vendim i matur, derisa të kemi një informacion më të mirë”.

Varianti i ri, i cili gjithashtu është zbuluar në numër më të vogël në vendet e tjera, besohet të jetë më i transmetueshëm. Sidoqoftë, ekspertët thonë se mutacionet e virusit janë normale dhe nuk ka prova se ky është më vdekjeprurës ose do të jetë rezistent ndaj vaksinave./evropa e lirë/

Comments

comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *