Mesazhi nga koha e karantinës nga Agron Vrangalla

Mesazhi nga koha e karantinës nga Agron Vrangalla

Duke qenë pjesë e një kompanie mediatike, izolimi është i pamundur për ne. Gazetarët bëjnë pjesë te grupet e emergjencës, bashkë me mjekët, policinë, ushtrinë… dhe për këtë arsye nuk mund të qëndrojmë në shtëpi as edhe gjatë orës policore.
Por ajo që dua të them është kjo që të qenurit i izoluar në shtëpi nuk do të thotë izolim. Karantinimi nuk është gjithmonë kufizim i lëvizjes. Është edhe çlirim. Kujdes, mund të jeni në liri dhe të ndjeheni të robëruar, ashtu siç mund të jeni në burg dhe të ndjeheni i lirë. Liria nuk përkufizohet gjithmonë në rrafshin fizik. Liria është në mendjen tonë. Ka mendje të lira dhe mendje të robëruara. Ka njerëz në këtë botë që gjithë jetën e tyre mbase kanë qenë të zënë apo të kufizuar me kohën dhe sot gjatë karantinimit kanë gjetur lirinë. Një liri që nuk e kanë pasur kurrë ndoshta. Si? E thjeshtë fare, kanë rigjetur vetveten. Vetmia, izolimi, është një moment fantastik për t’iu rikthyer vetes, kujdesit, familjes, librave, filmave të preferuar, dhe përfundimisht, është një mundësi briliante reflektimi.
E përmenda më sipër që unë personalisht nuk e ndjej shumë këtë “kufizim” sepse jam në lëvizje gjatë gjithë kohës por absolutisht e konsideroj si një shans në jetë. Mbase ju keni ëndërruar për një kohë të gjatë rreth një projekti, por punët e përditshme nuk jua kanë mundësuar ta bëni atë. Ja momenti ideal. Bëjeni tani. Tregoni botës se sa të aftë jeni, ndajeni talentin tuaj me të tjerët. Bëhuni të dobishëm për shoqërinë, ndihmoni me përvojat tuaja. Nëse nuk e bëni tani kur do ta bëni? Nuk rrihet në shtëpi gjithë ditën duke ngrënë qofte e ëmbëlsira. Njeriu para së gjithash është qenie intelektuale.
Nga ana tjetër, vetëm mendoni për një çast çfarë nëse përveç se jeni në karantinë, ju mugon edhe shëndeti? Çfarë nëse ju mungon ushqimi? Si do ia bënit nëse jeni në ambient të ftohtë? Dhe një varg pyetjesh të tjera që dikush për fat të keq mund t’u përgjigjet duke i përjetuar ato. Prandaj ne jemi shumë mirë, shkëlqyeshëm.
Viruset vijnë e shkojnë, jeta vazhdon. Sigurisht, nuk shkojnë ato të shkretë pa lënë pasoja, por këtu ne nuk kemi çfarë bëjmë. E jona është të respektojmë rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Kemi kaluar gjëra më të tmerrshme, do ta kalojmë edhe këtë!

/bonzo.info/

Comments

comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *