Politizimi i regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut

Politizimi i regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut
Foto huazuar nga: Alsat.m

Ligji për regjistrimin e popullsisë, bazuar në dallimet e thella mes partive politike, me gjasë nuk do të miratohet këtë vit nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, edhe pse është futur për miratim me procedurë të përshpejtuar.

Regjistrimi i popullsisë është paraparë të realizohet në prill të vitit 2021 apo 19 vjet nga regjistrimi i fundit i realizuar në vitin 2002.

Propozim-ligji i hartuar nga Ministria e Drejtësisë, ka pësuar disa ndryshime nga versioni i fundit, që u hoq nga procedura parlamentare për shkak të vërejtjeve të shumta të opozitës, por nuk është pranuar edhe kërkesa kryesore e VMRO-DPMNE-së që regjistrimi të bëhet edhe me shenjat e gishtërinjve, për të evituar siç thonë nga kjo parti opozitare, manipulimet e mundshme politike.

“Regjistrimi është operacion serioz statistikor që i duhet shtetit për të zbatuar politikat në planin afatmesëm dhe afatgjatë, dhe si i tillë duhet të jetë i saktë dhe me një metodologji të qartë, të mos jetë objekt i marrëveshjeve politike. VMRO-DPMNE edhe një herë paralajmëron se nuk do të njohë asnjë regjistrim që do të zbatohej në mënyrë të njëanshme nga qeveria, pa një konsensus më të gjerë publik”, thuhet në reagimin e partisë opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE.

Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev ka thënë se do të shqyrtohen mundësitë për këtë kërkesë të opozitës, por ka bërë qartë se regjistrim do të ketë.

“Opozita tani ka dalë me një propozim të ri, me kërkesën që të përdoren shenjat e gishtërinjve gjatë regjistrimit. Nuk e di se si do t’i arrijmë këtë për qytetarët që gjenden më shumë se një vit jashtë vendit. Ministri i Drejtësisë menjëherë kontaktoi donatorët për të parë nëse mund të sigurojmë mjete, që të mund të blejmë aparate për shenjat e gishtërinjve”, ka deklaruar Zaev.

Partitë e koalicionit opozitar shqiptar, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kërkojnë garanci se regjistrimi do të jetë i besueshëm dhe rrjedhimisht i pranueshëm, duke kërkuar që të mos përsëritet regjistrimin i vitit 2011 që ishte ndërprerë pikërisht për shkak të mosmarrëveshjeve mes partive lidhur me mënyrën e realizimit, në veçanti regjistrimin e diasporës.

Opozita shqiptare po kërkon kontroll mbi punën e Entit Statistikor që ka përgjegjësinë kryesore për zbatimin e regjistrimit apo caktimin e një Komisioni Shtetëror për Regjistrim. Gjithashtu kërkohet rritja e numrit të zonave regjistruese nga 45 sa janë propozuar në 48, sikur ajo që në gjithë Maqedoninë e Veriut procesit të kryhet nga regjistrues maqedonas dhe shqiptarë dhe jo kjo të vlejë vetëm në zonat e banuara me shqiptar.

Halil Sponçe nga Aleanca për Shqiptarët thotë se në Maqedoninë e Veriut, regjistrimi është proces politik dhe jo statistikor, pasi të drejtat e shqiptarëve, sipas tij, varen pikërisht nga përqindje e tyre në shtet.

“Ky regjistrim është proces politik dhe këtë askush nuk mund ta mohojë. Vetë fakti se jemi të definuar si popull ‘gjuha e të cilit është 20 për qind’, pra këtu kemi të bëjmë me interes kombëtar dhe meqë të drejtat varen nga regjistrimi, partitë politike shqiptare duhet të bashkëpunojnë pavarësisht se janë në pushtet apo opozitë. Unë vlerësoj se besueshmëria është arsyeja kryesore që ne kemi probleme”, ka deklaruar deputeti Halil Sponçe.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim thonë se zgjidhja e ofruar garanton një proces të besueshëm të regjistrimit, meqë sipas deputetit Arbër Ademi, shqiptarët do të jetë të përfaqësues në mënyrë adekuate në të gjitha fazat e realizimit të këtij procesi, ndërsa veçon rolin që do të kenë drejtuesit e Entit të Statistikës.

“Drejtori dhe zëvendësdrejtori (shqiptarë) do të ketë firma të lidhura nuk do të jetë vetëm në procesin e zbatimit të regjistrimit, por kjo do të vlejë për të gjitha fazat e këtij procesi. Çdo akt që nuk përmban dy firmat, nuk do të vlejë apo do të anulohet. Pra, të gjitha këto ndryshime kanë të bëjnë me rritjen e kredibilitetit të procesit të regjistrimit”, ka deklaruar Ademi.

Në Maqedoninë e Veriut, bazuar në regjistrimin e fundit, jetojnë 25.17 për qind shqiptarë, por kjo përqindje në vazhdimësi është kontestuar nga pala maqedonase, në veçanti nga partitë opozitare.

Në Kushtetutë, shqiptarët definohen si popull që flet gjuhë të ndryshme nga maqedonishtja dhe që përbën mbi 20 për qind të popullatës dhe mbi bazë të kësaj janë përcaktuar të drejtat e tyre gjuhësore, të simboleve, të punësimit, përfaqësimit, të drejtat kulturore e kështu me radhë.

Brukseli në raportin e fundit të Komisionit Evropian ishte i qartë se regjistrimi i popullsisë duhet të kryhet gjatë vitit 2021./REL/

Comments

comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *