Publikohen votat e jurisë: Vëhet në dyshim fitorja e Arilenës

Publikohen votat e jurisë: Vëhet në dyshim fitorja e Arilenës
Huazuar nga: Arilena

Deri në natën e parë të “Festivalit të Këngës”, publiku dinte se në juri do të ishin vetëm tre  përfaqësues të huaj nga Eurovizioni. Në një intervistë për “Aperitv Fest”, Alketa Vejsiu, drejtuesja artistike e Festivalit, theksoi se “nuk di asgjë për fituesin”. Mirëpo në natën e parë (19 dhjetor), në juri u prezantua edhe Mikaela Minga dhe Rita Petro. Ajo që ngjalli dyshim në fillim për vetë faktin që nuk ishte njoftuar se në juri do të kishte përfaqësues shqiptarë, për aq kohë sa i mëshohej idesë se për fituesin vendoste një juri e huaj, mori kuptim pak çaste më parë.

Në Instagram u publikuan votat e jurisë. Pikët janë organizuar nga 1 në 10, ndërsa tre vendet e para më 10, 13 dhe 18 pikë.

Siç mund ta shihni, Christer Bjorkman, këngëtar dhe producent televiziv, Dimitris Kontopoulos, kompozitor i njohur grek prej 20 vitesh dhe Felix Bergsson me gradë shkencore në praktikat e teatrit të avancuar, kanë votuar “Me tana” me 18 pikë, pra me pikët maksimale. “Shaj” është votuar përkatësisht me 10, 13 dhe 13 pikë nga juria e huaj. E vetmja që i ka dhënë Arilenës pikët maksimale është Rita Petro, ndërsa Minga e ka cilësuar si vendin e dytë, pra me 13 pikë.

Po përpiqemi të kuptojmë me aq sa mundemi faktin që Mikaela Minga, muzikologe me përvojë, i dha Elvana Gjatës, një prej pretendenteve kryesore për çmim, vetëm 2 pikë. Sipas saj, Elvana qëndron me një pikë më larg se Gena dhe me 1 pikë më poshtë se Robert Berisha. Mirëpo fakti se Minga, ashtu si Rita Petro që vlerësoi Elvanën me 8 pikë, erdhën nga hiçi dhe u prezantuan në natën e parë, vërteton atë që nuk duam ta besojmë – u ftuan për të krijuar një terren të sigurt për Arilenën, kënga e së cilës qëndron me një diferencë të theksuar nga “Me tana”, e renditur e para nga publiku me klikime, por edhe vota e jurisë të bëra tashmë publike. Këtë gjë e konfirmojmë edhe burime të brendshme për Anabel.al, që thonë se juria shqiptare u shtua në minutën e fundit pikërisht për këtë qëllim.

Një tjetër detaj i dyshimtë, që konfirmohet nga komentet online dhe burime për Anabel.al, është shtimi i 400 karrigeve shtesë në publik. Sipas burimeve, regjisorja Vera Grabocka i shtoi karriget për të sjellë të rinj, fansa të Arilenës. Është jashtë logjikës që qindra të rinj, të cilët me rregull treshi janë rritur duke dëgjuar hitet e Elvanës, të prishin momentin magjik të saj në skenë duke thirrur emrin e Arilenës. Vërtet turma është e pakontrollueshme, por fakti që dikush thërret Arilena në një moment kur nuk po diskutohej çmimi – si në rastin e Fifit dhe Eneda Tarifës – është gjithashtu e dyshimtë. Pra, pse nuk brohoriti askush emrin e Arilenës kur po këndonte Era Rusi, Olta Boka, Valon Shehu apo Albërie Hadërgjonaj?

Burime të sigurta thonë për Anabel.al se mes Alketa Vejsiut dhe Vera Grabockën ka patur një debat të ashpër në lidhje me strategjinë për të çuar në Eurovizion një këngë që nuk ishte e preferuara e publikut dhe së fundmi u zbulua se nuk ishte as e jurisë. Sipas burimeve, Vejsiu nuk ka qenë dakord me gjithë skemën e krijuar për Arilenën. Pas finales, Alketa nuk e ka përmendur në asnjë moment Arilenën dhe nuk e ka uruar publikisht. Madje kërkoi falje publike për Elvanën.

Elvana ishte kryefjala e këtij edicioni, me ose pa probleme në interpretim, të cilat u kanë ndodhur të gjithëve: I ka ndodhur Elhaida Danit, që fitoi The Voice of Italy dhe stonoi në Eurovizion, i ka ndodhur Arilenës në “Këngën Magjike”, e cila stonoi me “Nëntori” aq sa videoja nuk gjendet më në YouTube, por shkëlqeu në “Festivalin e Këngës”. Pra, janë gjëra që ndodhin. Por ajo që nuk duhej të ndodhte ishte mohimi i fitores së një këngëtareje që u vlerësua në maksimum nga publiku dhe artistët shqiptara si edhe juria dhe publiku i huaj (Wiwiblogs). Duam apo s’duam ta pranojmë, ajo u përdor nga produksioni sepse ktheu në qendër të vëmendjes një festival, për të cilin njerëzit fatkeqësisht kishin 0 interes.

Do të ishte më e ndershme sikur Vera Grabocka të mos e kishte pranuar Elvanën në Festival duke i thënë “më mirë mos merr pjesë, e kam përcaktuar tashmë fituesin”./anabel/

Comments

comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *