Qeveria e miratoi projekt-ligjin, edhe një hap për shpalljen e një pjese të Malit Sharr park kombëtar

Qeveria e miratoi projekt-ligjin, edhe një hap për shpalljen e një pjese të Malit Sharr park kombëtar

Në seancën e djeshme, Qeveria miratoi tekstin e Projektligjit për shpalljen e një pjese të Malit Sharr Park Kombëtar, të përgatitur nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor. Deri në shpalljen e një pjese të Malit Sharr si Park Kombëtar, ka mbetur vetëm një hap më shumë – votimi në Kuvend, njofton Portalb.mk.

Siç njoftuan nga Qeveria, qëllimi kryesor i kësaj zgjidhjeje ligjore është shpallja e një pjese të Malit Sharr zonë e mbrojtur e kategorisë së dytë – Park Kombëtar, për sigurimin e mbrojtjes së bukurisë dhe vlerave të jashtëzakonshme natyrore, diversitetit dhe pasurisë së biodiversitetit, gjeodiversitetit, karakteristikat hidrologjikepeisazhet dhe vlera të tjera, si pasuri me interes publik.

“Me shpalljen e këtyre zonave, përveç përmbushjes së qëllimeve strategjike kombëtare dhe detyrimeve ndërkombëtare për mbrojtjen e natyrës, gjegjësisht diversitetin e peizazhit dhe biodiversitetin, shteti gjithashtu ka përfitim, ndërsa në veçanti komunat që do të mbulojnë pjesë të zonës së mbrojtur dhe popullatën lokale. Me finalizimin e këtij procesi do të rriten mundësitë për bashkëpunim ndërkufitar me vendet fqinje, veçanërisht për faktin se Mali Sharr do të bëhet një nga parqet më të mëdha kombëtare në Evropë. Në të njëjtën kohë, mbrojtja e këtyre zonave do të thotë përparim në përmbushjen e detyrimeve të direktivave të BE-së mbi habitatet dhe zogjtë,” deklaroi Ministri i Mjedisit Jetësor Naser Nuredini në maj të vitit të kaluar, kur qeveria pranoi iniciativën e tij për mbrojtjen e kësaj zone.

Menaxhimi i duhur i zonave të mbrojtura, siç tha atë kohë ministri, nënkupton përdorimin e potencialit të madh për zhvillimin e ekonomisë lokale, gjegjësisht menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore, përmes sigurimit të shërbimeve të ekosistemit. Kjo nënkupton mbrojtje, shtoi ai, ruajtje dhe përdorim të qëndrueshëm të vlerave natyrore, ringjalljen e fshatrave në dhe rreth zonës së mbrojtur përmes zhvillimit të ekoturizmit, bujqësisë tradicionale dhe mbarështimit të deleve.

Ndryshe, organizata e shoqërisë civile “Front 21/42”, tashmë disa vite në mënyrë aktive ka avokuar në ndërprerjen e projekteve për hidrocentrale të vegjël, veçanërisht në zonat e mbrojtura të Parkut Nacional “Mavrovë”, si dhe Malit të Sharrit. Ata, së bashku me 43 organizata të tjera, kërkuan në nëntor të vitit të kaluar një ligj për parandalimin e betonimit të lumenjve në Sharr, ndërsa nga ministri i Mjedisit Naser Nuredini kërkuan ta vendosë Malin Sharr nën mbrojtje të përkohshme.

Comments

comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *