Rastësi apo tendencë: Europa po udhëhiqet nga lidera pa fëmijë!

No Image

Gjatë një intervistë në radio, disa ditë më parë, kryeministres britanike Theresa May, iu bë kjo pyetje: Çfarë impakti ka pasur në jetën tuaj fakti që nuk keni qenë nënë? Cili politikan ka dëshmuar si “aset” të qënit prind? Ndoshta sepse May momentalisht është në fushatë, në të kundërt duhet t’ia tregonte vendin intervistuesit. “Pamundësia për të pasur fëmijë ka qënë shumë e trishtë për mua, por më ka ndihmuar besimi në Zot.”-u përgjigj ajo. Në të përditshmen “The Guardian”, publicistja Afua Hircsh reagon: “Përse duhet që Theresa May t’u përgjigjet këtyre lloj pyetjeve?” Dihet që historia e fëmijëve – që kanë pasur/që dëshirojnë/që s’kanë pasur kurrë – përdoret gjithmonë si një armë kundër grave. Shpesh edhe nga vetë gratë. Vitin e kaluar, një rivale e May-t, u detyrua të tërhiqej nga gara politike, sepse deklaroi që ishte më e kualifikuar se May, pasi ishte një nënë.

Në Gjermani, kryetari i të djathtës ekstreme, Frauke Petry ka qënë edhe më agresiv: “Angela Merkel nuk mendon për të ardhmen e Gjermanisë se nuk ka patur kurrë fëmijë. Unë ndërkohë kam katër.” Kancelarja nuk iu përgjigj kurrë. Dhe bëri mirë, se fundja atë e quajnë Mutti (Mama). Me zgjedhjen e Emmanuel Macron-it në Elize’, Europës i shtohet një tjetër lider pa fëmijë. Koincidencë apo tendencë? Pasojë e një ulje lindshmërie, që është përhapur në të gjithë Europën, apo ndoshta rruga drejt pushtetit është me e lehtë për dikë, si Theresa May, së cilës nuk i është dashur të mendojë për shkollën e fëmijëve. Drejtuesit e “Vendeve të plakura” të kontinentit (Gjermania, Franca, Italia, Britania e Madhe, ndoshta edhe Skocia) janë të gjithë pa fëmijë. Burra dhe gra. Asnjë nuk ëndërron që të pyesë Macron-in se çfarë lloj presidenti do të ishte, nëse do të kishte fëmijë. Por ka patur raste, që edhe burrat udhëheqës, janë dashur të përballen me pyetje “boshe” për jetën e tyre private. Kryeministri hollandez, Mark Rutte, duke iu përgjigjur gazetës së njohur “Margriet”, e përshkroi veten si “beqar dhe i lumtur”, por nuk përjashtoi mundësinë që “një ditë mund të martohem dhe të bëj fëmijë.” Nicola Sturgeon-in, kryeministre e Skocisë ka rrëfyer se ka përjetuar një dështim në moshën 40-vjeçare. Gazeta që e intervistoi e përfshiu këtë rrëfim në një një shkrim me titullin “Politikanët pa fëmijë”; lista ishte e gjatë, e gjitha me emra grash. Familje e madhe. Një tjetër motiv që ndan Europën nga Shtetet e Bashkuara.

Në anën tjetër të Atlantikut, fëmijët janë gjithmonë të domosdoshëm për të kompletuar portretin e një kandidati për president. Që nga i vogli John John, që vërtitet rreth këmbëve të JFK (John Kennedy) në zyrën ovale, dhe deri tek e reja Ivanka Trump, e cila është tashmë edhe këshilltarja e të atit. Shumë fëmijë hyjnë e dalin në Shtëpinë e Bardhë. Ashtu si në familjet mbretërore. Këta të fundit duhet patjetër të trashëgohen dhe pasardhësit plaken duke pritur se çfarë do t’u lërë gjyshja. Familjet mbretërore shumohen, ndërkohë që pallatet presidenciale tkurren. Por jo të gjithë. Ka disa, si kryeministri suedez Stefan Lofven, i cili ka adoptuar fëmijët e partneres së tij. Por duhet të kemi parasysh që fëmijët nuk garantojnë një politikë të mirë. Presidenti afrikano-jugor Jacob Zuma, është pasardhësi më i keq i Nelson Mandelës dhe ka 22 fëmijë. Dhe betohet që s’e lë me kaq.

Comments

comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *