RMV, gjyqësori në kohë pandemie “është gjendur si ka mundur”, seancat anuloheshin, s’kishte kushte për gjykim online

RMV, gjyqësori në kohë pandemie “është gjendur si ka mundur”, seancat anuloheshin, s’kishte kushte për gjykim online
Foto: Ilustrim

Pandemia e KOVID-19-të e ka përballur gjyqësorin me një sërë problemesh, në radhë të parë pasi që nuk ka asnjë rregullore apo ligj, që e rregullon mënyrën e funksionimit të gjykatave në kohë të gjendjes së jashtëzakonshme dhe në radhë të dytë për shkak mungesës së kushteve teknike dhe ligjore për zbatimin e gjykimit online. Kjo u tha në konferencën përfundimtare të projektit “Për Drejtësi – Ndjekje e Zbatimit të Strategjisë për Reforma në Sektorin Gjyqësor 2020-2021”, në panelin e diskutimit online “Ndikimi i pandemisë nga virusi KOVID-19 ndaj punës së gjyqësorit dhe organeve gjyqësore”, njofton Portalb.mk.

Nga miratimi i gjendjes së jashtëzakonshme, funksionimi i pushtetit gjyqësor dhe gjykatave u përballën me sfidë të madhe pasi që vetë organizimi i gjyqësorit, rrjedha e procedurave gjyqësore dhe puna e administratës gjyqësore gjatë kohës së gjendjes së jashtëzakonshme nuk janë të rregulluara me asnjë akt juridik, gjegjësisht Rregulloren Gjyqësore apo Ligjin për Gjykata. Kjo ka sjellë në situatë që gjykatat të funksionojnë, pa një rregull të unifikuar.

Foto nga konferenca në ZOOM
Foto nga konferenca në ZOOM

Kryetari i Shoqatës së Gjyqtarëve dhe njëkohësisht dhe gjykatësi suprem, Xhemali Saiti, deklaroi se gjatë kohës së jashtëzakonshme, gjykatësit janë gjendur ashtu siç kanë mundur pasi që protokollet shëndetësore që i kanë miratuar autoritetet, nuk janë përkatëse edhe për gjyqësorin.

“Në lidhje me protokollet e punës, kryetarët e gjykatave dhe gjykatësit janë gjendur ashtu si kanë mundur, kishim protokolle në shëndetësi, të cilat nuk kanë lidhje me protokollet që duhet të jenë në gjyqësor. Në këtë situatë, Shoqata e Gjykatësve me mbështetje të  OSBE-së duke i shfrytëzuar disa protokolle, ka hyrë në përpunimin e një protokolli, i cili ka nënkuptuar vetëm një segment që e lehtëson punën e gjyqtarëve.  Kryetarët e gjykatave, kanë arritur që ta mbajnë funksionalitetin e gjyqësorit, efikasiteti i Gjykatës Supreme në repartin penal, është rritur gjatë kohës së pandemisë. Ishim tërë kohën në mbledhje”, tha gjykatësi Saiti.

Juristi, Goce Kocevski, anëtar i grupit “Bluprint” foli në përgjithësi për përballje e shtetit me një gjendje që prej pavarësisë nuk i ka ndodhur. Ai theksoi se sistemi ynë juridik ekzistues nuk është i gatshëm të përballet me sfida të llojit sikur na ndodhi gjatë kohës së jashtëzakonshme.

“Fillimi i vitit 2020 i vendosi në testim të gjitha sistemet juridike në BE. Në kohë pandemie kishim Kuvend të shpërndarë jofunksional, Qeveri teknike. Kuvendi nuk mund të rikthehej përsëri pas shpërndarjes dhe kjo na tregon se sistemi ynë juridik nuk mundet t’u përgjigjet sfidave që mund të ndodhin. Nuk bëhej fjalë për pamundësi faktike, por për pamundësi juridike. Lidhur me kohëzgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme, sipas Kushtetutës nuk lejohej më shumë se 30 ditë, por nëpërmjet interpretimit u rimiratua disa herë. Gjatë kësaj, u miratuan disa dekrete qeveritare, të cilat ishin të domosdoshme,  megjithatë ka pasur dhjetëra dekrete të cilat u miratuan nga Qeveria, e cila doli jashtë kompetencave të saj, gjegjësisht i mori disa kompetenca të ligjvënësit”, tha Kocevski.

Iva Conevska, gjithashtu pjesë e grupit “Bluprint”, tregoi gjetjet e një analizës së tyre në lidhje me sfidat e gjyqësorit gjatë kohës së pandemisë, për çka edhe në vendin tonë u shpall edhe gjendje e jashtëzakonshme.

“Në mungesë të rregullores apo ligjit, puna dhe procedura e gjykatave është rregulluar nëpërmjet vendimit të Këshillit Gjyqësor për punën e gjykatave gjatë kohës së pandemisë KOVID-19, ku janë caktuar prioritetet urgjente dhe masat për mbrojtje. Kjo ka paraqitur pengesë. Problem shtesë ka qenë edhe dinamika e procedurave gjyqësore, njëkohësisht dhe sigurimin e garancisë për gjykim të drejtë dhe korrekt. Gjatë kohës së gjendjes së jashtëzakonshme ka pasur anulime të shpeshta të seancave gjyqësore për shkak pandemisë dhe u ngrit çështja për kufizimin e pranisë fizike gjatë kohës së një gjykimi dhe u soll në pikëpyetje transparenca e gjyqësorit”, citoi Coneska.

Duke e pasur parasysh kufizimin e pjesëmarrësve nëpër salla gjyqësore, u ngrit dhe çështja e digjitalizimit të gjyqësorit.

“Kjo gjendje e ka intensifikuar çështjen për digjitalizim të gjyqësorit, dhe zbatimin e tërësishëm të dorëzimit elektronik, e cila është miratuar në vitin 2013-të, por e njëjta nuk ka mbijetuar Pozitive, nga e tërë kjo situatë ishte mbajtja e seancës së parë gjyqësore online nga Gjykata Themelore e Kavadarit, megjithatë, mundësia për mbajtjen e gjykimeve online kishte një sërë sfidash, para ase gjithash në ndryshimin e ligjeve procesuese, në të cilat në mënyrë përkatëse do të parashikohej funksionimi online i gjykatave. Për gjykimin online, problem shtesë ishte edhe pajisja që e kanë gjykata tona, apo barrierat teknike me të cilat përballet për të mbajtur gjykim online. Veçmas duke e pasur parasysh se barriera teknike ekzistojnë edhe gjatë kohës së gjykimit me prani fizike. Për mbajtjen e gjykimeve online, duhet që të mbahen edhe trajnime shtesë”, shtoi Conevska, duke thënë që pandemia ka ndikuar edhe në punën e Akademisë së Gjykatësve dhe Prokurorëve.

Nevoja për gjykim online

Ideja për gjykim online u hodh në opinion pasi që shumë gjykime filluan të anuloheshin pasi që, disa prej palëve të përfshira në proces ishin infektuar me KOVID-19, apo kishin qenë të detyruar në mbylleshin në izolim për shkak të kontakteve me të infektuar.

Zvarritja e proceseve gjyqësore, mund të çojë edhe deri në vjetërsimin e lëndëve dhe kryerësit eventual të veprave penale të mos përgjigjen përpara ligjit. Kjo më tepër theksohet duke e pasur parasysh që shumë lëndë të ish Prokurorisë Speciale janë zvarritur me vite të tëra, me arsyetime banale me qëllim që të vjetërsohet lënda.

Për zvarritjen/vjetërsimin e lëndëve, po punon edhe Këshilli Gjyqësor i cili i ka angazhuar kryetarët e gjykatave që të kontrollojë se kush dhe pse ka lejuar të vjetërsohen lëndë të caktuara. Për shkak KOVID-19, Këshilli Gjyqësor e anuloi konferencën, në të cilën do të duhej që të ftohen të gjithë krerët e gjykatave për të diskutuar për këtë çështje.

Reformat në pushtetin gjyqësor vazhdojnë të jenë pika e zezë e të gjitha pushteteve të deritanishme, të cilat nuk arritën që ta ndajnë nga ndikimet politike. Pandemia e virusit korona i la në hije këto reforma, të cilat përveç se janë të rëndësishme për vetë funksionimin e shtetit ligjor, janë dhe kusht i domosdoshëm për anëtarësimin e vendit në BE.

Comments

comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *