Rreth 29.5 milionë denarë i janë ndarë Komunës së Tetovës për bulevardin “Blagoja Toska”

Rreth 29.5 milionë denarë i janë ndarë Komunës së Tetovës për bulevardin “Blagoja Toska”
Foto: Mapio.net

Për shtatë vite me radhë, nuk ekziston asnjë vit që nga kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, nuk është premtuar hapja e bulevardit “Bllagoja Toska” në këtë qytet. Ndërkaq dje, 29 milion denarë janë siguruar nga Qeveria e RMV-së për këtë, këto mjete do të shfrytëzohen për shpronësimin e banorëve të kësaj lagje, të cilët sipas komunës, janë problemi i vetëm i zvarritjes së punimeve, shkruan Portalb.mk.

Një bulevard i cili fillon nga unaza e ish restorantit “Mema” dhe përfundon te Stadiumi i qytetit së shpejti po i mbush shtatë vite nga koha kur është premtuar, edhe atë për çdo vit me radhë nga kryetarja Teuta Arifi.

Dje, (24 nëntor) në mbledhjen e 24 të Qeverisë së RMV-së, janë ndarë gjithsej 120,6 milionë denarë mjete financiare për projekte kapitale të komunave të Maqedonisë së Veriut.

Nga këto, një shumë prej 29 milionë e gjysmë denarësh ka fituar Komuna e Tetovës, mjete këto të cilat janë të parapara për rekonstruimin e bulevardit “Bllagoja Toska”.

Me propozim të Ministrisë së Transporti dhe Lidhjeve, Qeveria solli Vendim për shpërndarje të mjeteve të siguruara në nënprogramin 20-Komunikacion dhe komunikime, paragrafi 488-Dotacione kapitale deri te njësitë e vetëqeverisjes lokale në vlerë prej 74.500.000,00 denarë.

Këto mjete shpërndahen për realizim të këtyre projekteve kapitale: Rekonstruktim të bulevardit “Bllagoja Toska”, Komuna e Tetovës – 29.500.000,00 denarë” shkruan në ueb faqen e Qeverisë së RMV-së.

Të kontaktuar nga Portalb.mk, autoritetet komunale theksuan se këto mjete do të shfrytëzohen për shpronësimin e objekteve, rikujtojmë se që të bëhet hapja e këtij bulevardi, është paraparë rrëzimi i disa shtëpive.

“Me rebalancin e buxhetit Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka ndarë gjithsej 29 milion e gjysmë denarë për këtë, këto mjete do të shfrytëzohen për shpronësimin e objekteve” thane nga Komuna e Tetovës.

Nga kjo komunë gjithashtu pohuan se problemet pronësore-juridike, të cilat pritet të zgjidhen me mjetet e lartpërmendura, janë problem i vetëm dhe kryesor i procedurës së hapjes së këtij bulevardi.

Comments

comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *