Selajdin Abduli: Distancë sociale apo fizike?!

Selajdin Abduli: Distancë sociale apo fizike?!
Me përhapjen e virusit Covid19 në të gjithë botën dhe nga mospasja e një vaksine ose ilaçi adekuat për ta luftuar virusin e ri, organizata botërore e shëndetësisë shpalli Pandemi Globale. U vendos si rregull izolimi i njerëzve, qyteteve edhe shteteve me raste. Mes tjerave si shumë e rëndësishme përveç higjienës personale, mbajtjes së maskave dhe dorezave u përdorë edhe termi “Infodemia” si term sa për të ngritur vetëdijen e njerëzve për ballafaqimin e mundëshëm me lajmet e rrejshme si dhe “Distanca Sociale” si një nga hapat më të rëndëdishëm dhe më efektivë kundër Covid19.
Në faktë nga dita e parë distancë sociale si term dukej joadekuat dhe i ngatëruar me distancën fizike. Në kohë krize, fjala distancë edhe sociale, nuk është diçka e shëndetshme për mendjen, imunitetit dhe luftën kundër një fenomeni ose sëmundje.
Nga kërkimet e bëra në internet duket se edhe shumë sociolog nuk pajtohen me idenë e përdorimit të termit distancë sociale dhe se në vend të tij duhet përdorur termi distancë fizike si përshkrim i duhur.
Distanca sociale është një koncept sociologjik që shpjegon distancën midis grupeve të ndryshme, klasave shoqërore, racave, përkatësisë etnike, gjinisë ose seksualitetit, ajo shpreh shkallën e afërsisë në marrëdhëniet shoqërore që një person ose grup ka me individ ose anëtarët e grupeve tjera shoqërore, dhe mund të shkojë nga marrëdhënie të ngushta dhe të ngrohta deri tek ato armiqësore ndaj grupeve shoqërore, vlerave ose individëve.
Distanca sociale është një masë e ndarjes sociale midis grupeve e shkaktuar nga dallimet e perceptuara ose reale midis grupeve të njerëzve siç përcaktohet nga kategoritë shoqërore të njohura. Sociologët njohin disa lloje kryesore të distancës sociale të cilat ata i studiojnë përmes një sërë metodash kërkimore.
Ajo që në të vërtetë rekomandojnë epidemiologët kur u kërkojmë qytetarëve të mbajnë një “distancë sociale” është të mbani një “distancë fizike” të mjaftueshme midis njerëzve, të paktën dy metra. Kjo parandalon transmetimin e koronaviruseve pasi ato transmetohen nga një person tek tjetri. Andaj, për të mos krijuar turma njerëzish, është më e lehtë të qëndrohet në shtëpi, dhe kur të dalim në dyqan ose farmaci ose të ecim në rrugë, njerëzit duhet të shmangen por vetëm fizikisht. Edhe në izolim e gjitha që duhet të bëni është të mbani distancën fizike 14 ditshe dhe të ruani kontaktet sociale me të tjerët; të gjitha këto si masa të domosdoshme të vendosura nga profesionistët dhe organizata botërore e shëndetësisë.
Nuk guxojm të mos përshëndesim në rrugë, ti shofim njerëzit me panikë, ti stigmatizojmë të sëmurët, të dyshojmë tek të gjithë, nuk duhet të mbyllemi në vete. “Ilaçi” i pranuar përgjithësisht për stresin në raste të krizave të përgjithëshme edhe për sociologët, është pikërisht ulja e distancës sociale; e kundërta sjell tërhekjen, ulë kreativitetin, produktivitetin dhe humbë mundësit e përfitimit nga interaksioni ndër njerëzor.
Sot është më e nevojshme se kurrë që ti japim njëri tjetrit mbështetje, fjalë mbështetëse, mesazhe mbështetëse. Sot kur jemi të distancuar fizikishtë nga motra, vëllau, prindërit, shokët, miqt është mirë të mbajmë distancën fizike derisa problemi të zgjidhet, por edhe të mirmbajmë kontaktet sociale si formë e daljes nga kriza sa ma të shëndetshëm dhe të gatshëm për tu përballë me krizat që mund të pasojnë post virusit.
Prandaj, flisni, qeshni, humori është ilaç i mirë, mund edhe të qani ska problem, këndoni sa të mundni, lutuni, shpresoni, ëndërroni, bërtisni me gjithë zë, bëjeni këtë nga terasat, ballkonet, celularët tuaj dhe pastaj kur e gjithë kjo në një distancë të afërt kohore të mbarojë; vazhdojeni, bëjeni edhe në distancë fizike dhe sociale të afërt.
Shkruan: Selajdin Abduli

Comments

comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *