Shkollë profesionale për punë profesionale

Shkollë profesionale për punë profesionale
Foto: Ilustrim

Ekspertët dhe njohësit e arsimit vazhdimisht kanë bërë thirrje deri te prindërit që fëmijët t’i regjistrojnë në shkolla profesionale, sepse një arsim i mesëm profesional është më i sigurt për të ardhmen e tyre

Pas mbarimit të shkollës fillore, numri më i madh i nxënëseve preferojnë të vazhdojnë shkollimin e mesëm kryesisht në gjimnazin e përgjithshëm, mjekësi dhe ekonomi. Përkundër faktit që Ministria e Arsimit, bashkë me organizata të ndryshme vazhdimisht promovojnë shkollën e mesme profesionale, përsëri në shoqërinë ekzistojnë stereotipa të ndryshme se shkollat profesionale janë vetëm për nxënësit e dobët. Si pasojë e kësaj, ka ardhur në përfundim që gjimnazet të kenë paralele dhe nxënës më shumë, ndërsa në anën tjetër – shkollat profesionale me vështirësi të madhe plotësojnë numrin e kërkuar për paralele, në përjashtim të drejtimit të mjekësisë në të cilin ka konkurrencë të madhe.

KOORDINIM ME BIZNESIN

Sipas njoftimeve të fundit, Shkollat e mesme profesionale në Maqedoninë e Veriut do të përputhen me politikat arsimore me kompanitë e vendit, sipas projektit të fundit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në bashkëpunim me Ambasadën e Zvicrës. Shkollat e mesme profesionale duhet të jenë në përputhje me nevojat e tregut të punës. Për këtë qëllim, nga Ministria e Arsimit informojnë se bashkërisht me Odat ekonomike dhe me vetëqeverisjen lokale, do ta vlerësojmë se cila komunë për cilin profil ka më së shumti nevojë. “Ka filluar procesi i konsultimeve me kompanitë, Odat ekonomike dhe vetëqeverisjen lokale për nevojën e hapjes së profileve dhe paraleleve të reja në shkollat e mesme profesionale në vend gjatë vitit të ardhshëm shkollor. Jemi bazuar në analizën ku kemi përfshirë rreth 450 kompani nga vendi, prej të cilave 85 për qind janë të gatshëm të bashkëpunojnë me shkollat e mesme profesionale dhe të pranojnë nxënësit në praktik”, shtojnë nga Ministria e Arsimit, ndërsa besojnë se përmes debateve publike, do t’i identifikojnë nevojat e kompanive dhe tregut të punës dhe kështu do të vendosin edhe për hapjen e drejtimeve të reja në shkollat profesionale të mesme.

VËSHTIRËSI NË SHKOLLAT PROFESIONALE

Nxënësja Amra Tefiku nga Shkolla e mesme e mjekësisë “Nikolla Shtejn” në Tetovë, për gazetën KOHA, thotë se vendimi i saj për të shkuar në shkollën e mesme të mjekësisë lidhet drejtpërdrejt me faktin se ajo do të vazhdojë studimet gjithashtu në mjekësi. “Drejtimi i mjekësisë në të mesmen, ishte ndryshe nga pritshmëria e pritur, ani pse është shkollë profesionale me drejtim deficitar dhe ku kemi edhe mungesë te librave”, thotë Amra. Sipas saj, shkollat profesionale të mesme patjetër që duhen të kenë ndryshime dhe reforma, në mënyrë që nxënësit të mësojnë më shumë dhe të jenë më të përgatitur për t’i vazhduar studimet në ato drejtime në të cilat dhe janë. “Sidomos tani që mësojmë nga distanca e kemi të vështirë ta bëjmë praktikën ashtu siç duhet, por marrim vetëm shënime dhe kjo nuk është aspak produktive.

NEVOJË PËR DREJTIME TË REJA

Profesoresha Arlinda Arifi nga Shkolla e Mesme Teknike “Nace Bugjoni” në Kumanovë, për gazetën KOHA është shprehur se shkollat e mesme profesionale sigurisht që profesionalizojnë dhe përgatisin nxënësit në mënyrë më të mirë për studimet në të ardhmen por edhe janë një garanci më e mirë për ta gjetur një punë pas shkollës së mesme për ata të cilët nuk vazhdojnë studimet universitare. “Sigurisht që shkollat e mesme profesionale kanë nevojë edhe për drejtime të reja më deficitare të hapen, siç është akusheria në degën e mjekësisë apo drejtimet si stomatologji, farmaci e të tjera të zgjerohen në më shumë qytete dhe jo të përqendrohen vetëm në Shkup. Çdo drejtim i ri që hapet në shkollat e mesme profesionale duke pasur parasysh rrethanat dhe tregun e punës besoj se do të jetë në të mirë të nxënëseve”, nënvizoi ajo.

Iniciativa e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, është emëruar “Mëso me mend, puno profesionalisht”, e cila fillon me ndryshimin e politikave gjatë regjistrimit të nxënësve në shkollat e mesme dhe programet mësimore. Ekspertët dhe njohësit e arsimit vazhdimisht kanë bërë thirrje deri te prindërit që fëmijët t’i regjistrojnë në shkolla profesionale, sepse një arsim i mesëm profesional është më i sigurt për të ardhmen e tyre. (koha.mk)

Comments

comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *