Takimi online i Këshillit për punë të përgjithshme: Pritet të miratohet korniza për negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë

Takimi online i Këshillit për punë të përgjithshme: Pritet të miratohet korniza për negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë

Ministrat për Çështje Evropiane të vendeve anëtare të BE-së sot online do ta mbajnë Këshillin për punë të përgjithshme, në të cilin duhet të miratohet korniza për negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Është e qartë që në mbledhjen e sotme Bullgaria do ta bllokojë kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut, për shkak të mospajtimeve dypalëshe, ndërsa nga ana e Gjermanisë akoma bëhen përpjekje për tejkalimin e dallimeve, transmeton Portalb.mk.

Ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva deklaroi se, Republika e Maqedonisë së Veriut do të ketë vend në Bashkimin Evropian kur të jetë gati. Për momentin, Bullgaria konsideron se vendi nuk është i gatshëm.

“Diplomacia bullgare nuk do të lejojë të ndjekë politikë denigrimi të një vendi tjetër, të cilën, për fat të keq, e shohim në Shkup. Ne jemi vend-anëtar i Bashkimit Evropian”, tha Zaharieva për BNT para takimit të sotëm ministror të BE-së.

Sipas Zaharievës, autoritetet në Shkup gabimisht menduan se Sofja do të “detyrohet” ta ndryshojë pozicionin e saj. Bullgaria, thotë Zaharieva, vazhdon të jetë mbështetëse e zgjerimit të BE-së dhe kjo nuk është vetëm në mënyrë deklarative. I dërgoi këshillë Shkupit të mos heqë dorë nga vështirësia e parë, me të cilën përballet në rrugën e saj drejt BE-së – miratimit të kornizës së negociatave.

“Vështirësitë tani vijnë, procesi nuk është i lehtë. Edhe Bullgaria ka ndjekur të njëjtën rrugë. Pastaj, kur pasionet do të zbuten, përfshirë edhe në Bullgari dhe do të fillohet të mendohet më pak emocionalisht, kur do të ndalojnë së ndërtuari të shtetit, bazuar vetëm në ideologjinë anti-bullgare – atëherë do të marrin shumë më tepër”, tha Zaharieva.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Nikola Dimitrov deklaroi mbrëmë në “Top tema” se të enjten ka pasur video mbledhje me kolegët e tij bullgar i cili ka dështuar, pasi ministrat bullgar Krasimir Karakaçanov dhe Ekaterina Zharieva e kanë quajtur popullin maqedonas “kombi i ashtuquajtur”.

Dimitrov është përgjigjur se populli maqedonas nuk meriton një mosrespektim të këtillë dhe se nuk mund ta dëgjojë këtë dhe ka lëshuar mbledhjen.

Ai tha se qëndrimi për çështjen e identitetit dhe gjuhën nuk do të ndryshojë në opinionin maqedonas as në dhjetor, as vitin e ardhshëm, as për 7-8 vite dhe as për 70-80 vite.

“Bullgaria është përgjegjëse për atë që ka bërë dhe pas asaj, kuptohet, qëndron Sofja zyrtare. Çfarë festojmë ne është çështje e jona. Çfarë gjuhe flasim është çështje e jona. Nëse dikush na ndërhyn në atë apo na sfidon atë, ajo është ndërhyrje në punët e brendshme. Çfarë identiteti kemi ajo është çështje e jona. Ne nuk ndërhyjmë në identitetin e kujtdo qoftë në fqinjësi dhe më gjerë. As nuk ndërhyjmë në atë se si fqinjët shohin në historinë e tyre, ajo është çështje e tyre”, tha Dimitrov.

Diplomatët në Bruksel janë të vetëdijshëm se Sofja nuk e ka për qëllim të tërhiqet nga kërkesat e saj dhe të pajtohet me Maqedoninë e Veriut. Pritet të shihet se si do të pozicionohen vendet tjera anëtare të BE-së në lidhje me Maqedoninë e Veriut.

Sofja zyrtare kohëve të fundut ka paralajmëruar vazhdimisht Maqedoninë e Veriut se mund të pengojë proceset e integrimit të vendit në BE, nëse nuk zgjidhet kontestet historike mes dy vendeve.

Në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin. Sofja zyrtare kërkon mbështetje prej tyre për pozitën e vet lidhur me identitetin dhe gjuhën maqedonase, si dhe ë kuadër të kornizës negociuese mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, të futet edhe Marrëveshja për fqinjësi të mirë, që dy shtetet e nënshkruan në vitin 2017.

Anëtarët e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë në Komisionin e përbashkët për çështjet e historisë dhe arsimit më 15 dhe 16 tetor, realizuan takime në Shkup, por nuk arritën të gjejnë zgjidhje për kontestet mes dy vendeve.

Dy palët kanë pranuar se më e mundimshme do të jetë shqyrtimi i periudhës rreth ngjarjeve dhe figurave të shek. 19 dhe fillimi i shek. 20, periudha e paraqitjes së lëvizjeve kulturore, shpirtërore dhe politike në territorin e Maqedonisë së Veriut, ku ka dallime serioze midis historive të dy vendeve.  Njëra ndër temat më të vështira është qasja ndaj figurës dhe veprës së Goce Dellçevit.

Comments

comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *