Vesa Ajdini: Vi nga një familje muzikantësh, por, gjithmonë më ka pëlqyer uniforma ushtarake

Vesa Ajdini: Vi nga një familje muzikantësh, por, gjithmonë më ka pëlqyer uniforma ushtarake

Kur përmendet Vesa Ajdini, të gjithë kujtojnë një vajzë e cila që në moshë shumë të vogël u paraqit në skenat shqiptare si këngëtare si dhe më pas edhe vazhdoi shkollimin në degën e muzikës. Vesa vjen nga një familje muzikantësh, por, gjithmonë i ka pëlqyer edhe uniforma ushtarake, si dhe misioni që ka ushtria në shoqëri.

Por, që askujt nuk ia mori mendja se një vajzë elegante si Vesa do të vazhdonte në armatë. Për studimet, vështirësitë dhe eksperiencën atje, për Portalb.mk, Vesa u shpreh:

“Në armatë është një jetë tjetër, një realitet që pak të rinj mund ta paramendojnë. Aty ka disiplinë, punë, ushtrime, por edhe shoqëri të vërtetë dhe solidaritet. Në fillim nuk e kam pasur edhe aq lehtë, sepse sfidat ishin të përditshme. Por, isha shumë e vendosur për të arritur sukses. Nga ana tjetër, kisha edhe përkrahjen e parezervë edhe të familjes, e cila më ka qëndruar pranë. Ato katër vite në Akademi do t’i mbaje mend tërë jetën. Nuk është një fakultet i rëndomtë, por do të thoja se është një shkollë e jetës. Akademia Ushtarake është një vend njëkohësisht akademik, ku mëson lëndët si fizikë, matematikë, kimi, lëndët e drejtësisë e tjerë, por, gjithashtu, edhe lëndët ushtarake, duke u nisur nga armatimet dhe taktikat ushtarake e ushtrimet e rënda fizike, e deri në qitje me armë të ndryshme. Kjo është një simbiozë e cila të mundëson një përgatitje shumë të veçantë akademike.”, tha Vesa Vesa AjdiniVesa Ajdini

Të kryesh studimet në Armatën Ushtarake është një sfidë në vete. Por, Vesa arriti ta kryejë me sukses si dhe menjëherë pas studimeve u punësua si gardiste e Armatës.

“Tani jam eprore ushtarake në njësitin në kuadër të Gardës së Armatës. Komandoj me njësitin tim në zbatimin e detyrave të dhëna nga komandanti i Gardës. Garda ka detyra të veçanta ceremoniale dhe kërkon përkushtim të veçantë fizik e disiplinë, sepse është gjithnjë prezente në aktivitete të rëndësishme ceremoniale. Garda prezanton Armatën në takime dhe ngjarje të karakterit zyrtar pranë kreut shtetëror dhe mysafirëve nga jashtë. Kemi uniforma të veçanta reprezentative dhe gjithnjë përgatitemi për ceremoniale ushtarake. Unë sapo kam filluar punën time në këtë njësit dhe jam pritur shumë mirë nga ushtarët dhe eprorët e mi. Me të vërtetë është krenari dhe nder të shërbej në këtë njësi.” u shpreh Vesa Ajdini

Kur bëhet fjalë për armatën, zakonisht paramendojmë djem në detyrë. Por, Vesa po na e dëshmon të kundërtën.

“Kohëve të fundit më shumë femra janë të interesuara për t’u regjistruar në Akademinë Ushtarake. Tradicionalisht ushtria është menduar më shumë si profesion vetëm për gjininë mashkullore, mirëpo praktikat dhe trendet e reja botërore i gjejnë më shumë femra në ushtritë botërore. Ky është edhe qëllimi i armatës sonë, që sa më shumë femra të përfshihen në ushtri. Pra, nuk ka barriera, ka vetëm përkushtim dhe punë. Të gjitha të rinjtë, e veçanërisht femrat që duan një karrierë ndryshe, janë të përkushtuar dhe të vendosur t`i realizojnë ëndrrat e tyre për t’u transformuar në personalitet unik me karrakter të fortë. Pikërisht ky duhet të jetë motivi kryesor që ta zgjedhin profesionin e ushtarakut.” përmbylli Vesa

Në shumë ushtri në botë tashmë ka gjenerale femra, madje ushtria britanike ka komandanten e parë të anijes ushtarake. Gjithashtu, këto ditë një amerikane u emërua komandante e forcave speciale të ushtrisë./koha.mk/

Comments

comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *