Zaev: Nëse nuk ka bashkëpunim, do ta bllokojmë aplikacionin Telegram

Zaev: Nëse nuk ka bashkëpunim, do ta bllokojmë aplikacionin Telegram

Presidenti, kryeministri, e ministri i Punëve të Brendshme kanë reaguar me tone të ashpra për rishfaqjen e “Dhomës publike” një grup në rrjetin social “Telegram” në të cilin shpërndahen fotografi private dhe eksplicite të vajzave dhe grave të Maqedonisë së Veriut. Një grup i tillë u paraqit para një viti, por rasti është pluhurosur në Prokurori pasi që ende është në fazë parahetimore, njofton Portalb.mk.

Dy persona, njëri nga Manastiri dhe njëri nga Velesi janë arrestuar në lidhje me rastin “Dhoma publike”

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski sot njoftoi se janë arrestuar dy persona për rastin “Dhoma publike”, a vazhdojnë të punojnë në koordinim me Prokurorinë për gjetjen e kryerësve.

“Dy persona, një person nga Manastiri dhe njëri nga Velesi janë arrestuar në lidhje me rastin “Dhoma publike”, a po ndërmerren masa edhe ndaj personave tjerë. Po punojmë në koordinim me Prokurorinë Publike”, thotë ministri Spasovski.

Kryeministri Zaev me masa konkrete për ndalimin e grupit, porosi për ata që shpërndajnë fotografi dhe për viktimat

Kryeministri Zoran Zaev, njoftoi se Qeveria ka dërguar kërkesë kategorike deri te “Telegram” që ta fshijë grupin “Dhoma publike”, në të kundërtën do të marrin masa për bllokimin e këtij rrjeti social në vendin tonë.

“Nëse aplikacioni “Telegram” nuk e mbyll kanalin e “Dhomës publike” ku ndahen përmbajtje pornografike dhe përmbajtje private nga qytetarët tonë, por edhe pornografi të fëmijëve do ta shqyrtojmë edhe opsionin për bllokim ose restrikcion të shfrytëzimit të këtij aplikacioni në Maqedoninë e Veriut, derisa nuk fillojnë të bashkëpunojnë me ne, me qëllimin e vetëm që të ndalohet grupi problematik dhe të na ndihmojnë në zbulimin e identitetit të atyre që ndajnë fotografi dhe kryejnë vepra penale”, shkruan Zaev, duke shtuar se si Qeveria nuk dëshirojnë të censurojnë, por në këtë rast patjetër duhet që t’i mbrojmë qytetarët.

“Sot kjo ka ndodhur në “Telegram”, nesër mundet edhe në ndonjë platformë tjetër. Shpresoj se nuk do të ketë nevojë për restrikcione për “Telegramin” dhe se që sot do të hapen për kërkesat tona të shumta dhe do të fillojnë të bashkëpunojnë”, shtoi Zaev.

Ai u dërgoi porosi edhe qytetarëve që shpërndajnë fotografi dhe përmbajtje në atë grup që të ndalojnë dhe të dalin nga grupi.

“Në fund të ditës do t’i marrim të dhënat dhe do të jeni të akuzuar dhe do të mbani përgjegjësi për atë që e bëni”, porositi Zaev.

Nga ana tjetër, ai dërgoi për inkurajim të viktimave nga kjo dhunë.

“Do t’i ndërmarrim të gjitha masat e domosdoshme që të ju mbrojmë dhe t’i ndëshkojmë kryerësit e këtyre veprave të tmerrshme”, shkruan kryeministri duket dërguar mbështetje për të gjithë ata që kanë treguar solidaritet dhe e kanë dënuar këtë akt.

Presidenti Pendarovski kërkoi institucionet menjëherë t’i ndëshkojnë përfaqësuesit

Edhe presidenti Stevo Pendarovski ka reaguar me tone të ashpra për rastin `“Dhoma publike”, Ai kërkon që organet e shtetit ta hulumtojnë rastin dhe t’i ndëshkojnë përfaqësuesit,

“Këto ditë jemi të neveritur që sërish jemi dëshmitarë të rastit “Dhoma publike”, rast në të cilin shkelet privatësia e mijëra grave dhe vajzave, poshtërim, seksizëm dhe dhunë që lënë pasoja afatgjate në jetët e tyre. Dhuna ndaj grave dhe vajzave në çdo formë – psikologjike, fizike, seksuale është e ndëshkueshme sipas ligjit. Kërkoj nga institucionet kompetente që në mënyrë përkatëse ta hetojnë rastin a përfaqësuesit të ndiqen dhe ndëshkohen në mënyrë përkatëse sipas dispozitave ligjore. Përgjegjësi patjetër duhet të ketë në afat sa më të shkurtër”, shkruan presidenti Pendarovski.

Ai thotë se nëse nuk veprohet tani, do të krijohet mundësia për krijimin e kulturës së pandëshkueshmërisë për veprat penale që i shkatërrojnë jetët e mijëra njerëzve.

“Si shoqëri, çdokush prej nesh duhet që të tregojë solidaritet dhe mbështetje ndaj viktimave, të mos lejojmë viktimizim të dyfishtë. Të veprojmë menjëherë!”, porositi Pendarovski.

Dënime të larta, por s’ka kush t’i shqiptojë

Kodi Penal parashikon dënime me burg për veprat që lidhen me prodhimin dhe shpërndarjen e pornografisë së fëmijëve. Dënimet varrojnë nga pesë deri në tetë vjet.

Në nenin 193-a thuhet:

  • (1) Një person që prodhon pornografi të fëmijëve për qëllimin e shpërndarjes së tij ose e transmeton ose e ofron atë, ose ndryshe e vë në dispozicion pornografinë e fëmijëve, dënohet me burgim së paku pesë vjet.
  • (2) Personi që blen pornografi të fëmijëve për veten e tij ose për një tjetër ose posedon pornografi për fëmijë, dënohet me burgim nga pesë deri në tetë vjet.
  • (3) Nëse vepra penale nga paragrafët (1) dhe (2) të këtij neni është kryer përmes një sistemi kompjuterik ose mjeteve të tjera masive, kryerësi dënohet me burgim së paku tetë vjet.

Derisa Ministria e Punëve të Brendshme po punon në pastrimin e rastit me riaktivizimin e grupit “Dhoma publike”. E njëjta situatë ndodhi para 1 viti, por Prokuroria ende nuk e ka pastruar, madje ende është në procedurë parahetuese, që sipas ekspertëve, është zgjatur shumë dhe për atë tani dalin grupe të tilla, pasi që askush nuk i ndëshkon.

Grupi asokohe ka pasur rreth 8.000 anëtarë, ndërkaq në të janë shpërndarë rreth 800 video dhe fotografi private. Policia asokohe i ftonte në bisedë informative vetëm ata të cilët kanë shpërndarë përmbajtje, dhe jo të gjithë anëtarët, por rasti ende nuk është zbardhur.

Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut tha se qëndrimi i Prokurorisë është skandaloz dhe kërkoi që menjëherë dhe plotësisht të pastrojë rastin.

“Ne konsiderojmë se qëndrimi i Prokurorisë Publike është skandaloz dhe i papranueshëm, nga e cila pritet ta procedojë rastin në mënyrë që ta provojë fajësinë dhe t’i sanksionojë krijuesit dhe pjesëmarrësit në një formë kaq serioze të ngacmimit seksual të vajzave, shumë prej të cilave janë të mitura”, vlerësojnë nga Komiteti.

Kritika për Prokurorinë ka edhe ish kryetari i Gjykatës Supreme, Dane Iliev, i cili thotë se shumë është zgjatur procedura parahetimore për rastin në fjalë.

“Absolutisht tokë e frytshme për formimin e këtyre grupeve është se janë lënë anash masat paraprake për sanksionim të personave të tillë të cilët hapin këso grupe. Duhet që të jetë prioritet, pasi që bëhet fjalë për rrjete sociale të cilat masivisht vizitohen. Pasojat janë të paparashikueshme për atë parahetimet duhet të jenë reale, të shpejta dhe të ndërmerret sanksionim ndaj personave të tillë. Anulohen punët dhe vendosen në sirtarë”, tha Iliev.

Aktivitetet e këtij grupi, i cili i risolli pas një viti kanë shkaktuar shqetësime të mëdha në mjedisin shoqëror, ende më shumë te prindërit, e mos të flasim për viktimat. 

Comments

comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *