Zgjedhjet në Kosovë, rezultati nxjerr fituese Lëvizjen Vetëvendosje

Zgjedhjet në Kosovë, rezultati nxjerr fituese Lëvizjen Vetëvendosje
Foto: Ilustrim

Partinë që merr pjesë në zgjedhje prej vitit 2010, rezultatet preliminare e kanë nxjerrë me më shumë vota se LDK-në e epokës së ish-presidentit Ibrahim Rugova në dy palë zgjedhjet e para të pasluftës. Derisa LDK-ja atëbotë pati fituar 45.7 për qind (2001) dhe 45.42 (2004), mbështetur në rezultatet preliminare, LVV-ja ka fituar rreth 48 për qind, apo 320 mijë vota. Në koalicion me LVV-në ishte edhe Lista e Vjosa Osmanit, e cila ndau rrugët me LDK-në vitin e kaluar

Rekord të ri në historinë parlamentare të Kosovës ka vendosur Lëvizja Vetëvendosje e drejtuar nga Albin Kurti, në zgjedhjet e 14 shkurtit. Partinë që merr pjesë në zgjedhje vetëm prej vitit 2010, rezultatet preliminare e kanë nxjerrë me më shumë vota se LDK-ja e epokës së ish-presidentit Ibrahim Rugova në dy palë zgjedhjet e para të pasluftës. LDK-ja atëbotë pati fituar 45.7 për qind (2001) dhe 45.42 (2004). Pas 20 vjetësh, LVV-ja ka fituar 47.69 për qind apo 320 mijë vota nga mbi 90 për qind të vendvotimeve të procesuara. Në koalicion me LVV-në ishte edhe lista e Vjosa Osmanit e cila ndau rrugët me LDK-në vitin e kaluar.

Rezultat historik të dobët kanë shënuar partitë që në periudha të ndryshme qeverisën vendin dy dekadat e kaluara. LVV-ja ka marrë vota më shumë se PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja bashkërisht. Mbështetur në rezultatet preliminare, PDK-ja ka fituar 17.36 për qind, LDK-ja 13.41 për qind, kurse AAK-ja 7.45 për qind. Nisma e Fatmir Limajt nuk ka arritur ta kalojë pragun, duke mbetur në 3 për qind. Është edhe një kontingjent i votave nga diaspora që nuk janë numëruar ende dhe mund ta ndryshojnë rezultatin përfundimtar. Vetëvendosje ka dalë forcë e parë edhe në shumicën prej komunave të mëdha përfshirë Prishtinën, Podujevën, Prizrenin, Gjilanin, Ferizajn, Pejën e Gjakovën. PDK-ja ka arritur t’i ruajë bastionet e saj në Skenderaj dhe Drenas. Kurse LDK-ja nuk ka arritur të fitojë në asnjë komunë, duke dështuar edhe në bastionet e saj. Ka dalë vetëm e dyta apo e treta edhe në komunat ku udhëheq në nivel komunal, sikurse në Pejë dhe Istog. Ajo është prapa Vetëvendosjes edhe në Gjilan e Lipjan. Dalja e qytetarëve në zgjedhje ka qenë 45.06 për qind.

Rreth një orë pas mbylljes së qendrave të votimit dhe publikimit të projeksioneve, simpatizantë të këtij subjekti kanë dalë për të festuar në rrugët e Prishtinës, Gjilanit, Gjakovës, Lipjanit- pavarësisht thirrjes së zyrtarëve të VV-së që festa të bëhet në shtëpi për shkak të rrezikut nga pandemia me COVID- 19. E, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pak para mesnatës u është drejtuar qytetarëve si kryeministër në ardhje nëpërmjet një konference për media bashkë me kandidaten për presidente, Vjosa Osmani. “Sot Kosova votoi për të ardhmen faqebardhë. Sot vota, zëri juaj kumboi si kurrë më parë. E kemi pritur gjatë këtë ditë, por vota juaj e solli ndryshimin aq shumë të pritur dhe të dëshiruar. Jemi të vetëdijshëm për barrën e madhe që kemi si rezultat i besimit të madh që na keni dhënë. Ky besim do të jetë udhërrëfyes në këtë drejtim, përgjegjësia që na keni veshur është një nder i madh. Ky assesi nuk është mandat për hakmarrje as i kthimit prapa. Është mandat i punëve që do të kryhen, ku garantojmë mirëqenie, luftojmë korrupsionin, e luftojmë me zell të madh për barazinë”, ka thënë Osmani.

Kurse Kurti zgjedhjet i ka quajtur referendum. “Ky referendum për drejtësi, punë e kundër kapjes së shtetit e korrupsionit, u fitua. Është diçka e pashembullt në Kosovën e pasluftës. Nesër fillon një ditë e re. Kjo fitore madhështore është vetëm mundësia që ta fillojmë ndryshimin. Rruga përpara është e gjatë, do të kemi pengesa dhe do të bëjmë ndonjë gabim, por qëllimin e kemi fisnik. Nuk do të hakmerremi ndaj askujt, por do të kërkojmë përgjegjësi ndaj secilit”, ka deklaruar Kurti, i cili nuk mund t’i prijë listës së VV-së dhe të garojë për deputet për shkak të një dënimi nga viti 2018. “Kjo nuk është fitore për mua dhe Vetëvendosjen, por është fitorja juaj. Kjo fitore do të mbahet mend nga gjeneratat që do të vijnë si dita që u tejkaluan përçarjet. Këto zgjedhje do të mbahen mend për radhët e gjata të qytetarëve për të votuar, për votimin masiv me postë, për aeroplanët, veturat e autobusët e ardhur nga mërgata”, ka theksuar Kurti. Ka shtuar se koalicion nuk do të bëjnë me, siç ka thënë, ata që duhet të reformohen në opozitë, duke iu referuar PDK-së, LDK-së dhe AAK-së.

Deklarim ka pasur edhe nga selia e Partisë Demokratike ku ushtruesi i detyrës së kryetarit, Enver Hoxhaj e ka pranuar humbjen. Por e ka bërë të qartë se nuk do të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme. “Populli i Kosovës ka folur dhe vullneti i tyre duhet respektuar. Rezultati i sotëm që vë Lëvizjen Vetëvendosje të parën dhe PDK-në të dytën, për ne është mesazh i qartë. E uroj Lëvizjen Vetëvendosje për rezultatin dhe i inkurajoj që të punojnë me përgjegjësi për realizimin e premtimeve të tyre para qytetarëve”, ka thënë Hoxhaj. “Natyrisht, Partia Demokratike e Kosovës nuk do të jetë pjesë e qeverisë me Lëvizjen Vetëvendosje. Vlerat dhe orientimet tona politike janë larg njëra-tjetrës dhe ne nuk do të bëjmë kompromis me integritetin e këtyre vlerave që i kemi zhvilluar tradicionalisht, bashkë me qytetarët e Kosovës. Përkundër kësaj, Kosova ka nevojë për stabilitet dhe ne zotohemi që të jemi faktor stabiliteti nga pozicioni i partisë udhëheqëse të opozitës”.

Kandidati për kryeministër nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, e ka marrë përgjegjësinë për humbjen, teksa ka thënë se rezultatet janë tjera nga ato që ka pritur. “Unë e marrë përgjegjësinë e plotë për këtë rezultat zgjedhor të LDK-së. Në ditët në vijim do të diskutoj gjerësisht me organet e LDK-së për këtë përgjegjësi. Pres që KQZ-ja të përmbyllë sa më parë procesin e numërimit të votave dhe certifikimit të rezultateve, që t’i hapet rrugë themelimit të institucioneve të reja të vendit”, ka thënë Hoti. “Unë do të jem gjithmonë mirënjohës për mundësinë që më është dhënë nga LDK-ja për t’iu shërbyer qytetarëve dhe do të mbetem mbrojtës i pa kompromis i demokracisë dhe orientimit properëndimor të Republikës se Kosovës. LDK-ja do të jetë opozitë konstruktive në mbrojtje të interesit të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës”. Pas këtij rezultati, edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka paralajmëruar ndryshime por nuk ka treguar nëse do të japë dorëheqje. “Ne do të bëjmë ndryshimet e nevojshme dhe LDK do të punojë shumë që të rikthehet dhe ta sendërtojë vizionin e saj rugovian për vendin”, ka shkruar Mustafa në “Facebook”.

Kurse kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se rezultati që i nxjerrë ata forcë e katërt në Kuvend ka qenë i pritshëm. “Faleminderit prej qytetarëve për pjesëmarrje edhe pse në një kohë të vështirë. Në pjesën e parë të numërimit hetohet një orientim kah VV-ja dhe konstatohet një fitore. Shfrytëzoj rastin t’i uroj VV-së dhe të gjitha partive, ajo çka shohim në numërimin e rreth 10 për qind të votave të numëruara, janë rreth 10 për qind. Përputhet edhe me pritjet tona”, ka thënë Haradinaj në paraqitjen e parë pas mbylljes së votimit. Befasi nuk ka pasur te komuniteti serb, ku Lista Serbe ka arritur të fitojë të gjitha komunat me të cilat udhëheq, në disa prej tyre me mbi 90 për qind. Në Zveçan ka fituar me 92 për qind, në Zubin-Potok 90 për qind, Leposaviq 78 për qind e Mitrovicë e Veriut 62 për qind. Fitore me mbi 50 për qind ka shënuar edhe në komunat në jug të Ibrit-Shtërpcë, Graçanicë, Kllokot, Partesh e Novobërdë. Sipas vlerësimit të institucioneve, por edhe organizatat jo qeveritare, procesi është zhvilluar në frymë të lirë dhe demokratike. Ka pasur disa parregullsi por ato nuk kanë cenuar integritetin e zgjedhjeve.

LISTA SERBE I KA FITUAR TË DHJETË MANDATET E REZERVUARA

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se në bazë të rezultateve preliminare të zgjedhjeve të 14 shkurtit në Kosovë, partia e tij ka shënuar fitore bindëse. Rakiq tha në një konferencë për media se Lista Serbe i ka fituar të dhjetë mandatet në Kuvendin e Kosovës, të rezervuara për komunitetin serb. “Kjo është fitore e unitetit serb, e harmonisë serbe. Kjo është provë se duam të mbetemi vetvetja”, tha Rakiq. Ai shtoi se 99 për qind e qytetarëve të Kosovës nga komuniteti serb kanë votuar për Listën Serbe. Në zgjedhjet e së dielës garuan Lista Serbe dhe dy nisma nga komuniteti serb. Sipas rezultateve të deritanishme, Rakiq tha se Lista Serbe ka fituar pesë për qind më shumë vota sesa në zgjedhjet e fundit parlamentare, në vitin 2019.

PDK NUK DO TË JETË PJESË E QEVERISË

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, njëherësh kandidati i kësaj partie për kryeministër, e ka uruar Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren dhe ka bërë të ditur se partia e tij, nuk do të jetë pjesë e qeverisë. “PDK-ja nuk do të jetë pjesë e qeverisë me Lëvizjen Vetëvendosje, pasi që kemi dallime të mëdha në orientimet tona politike dhe nuk bëjmë kompromis me vlerat mbi të cilat është ndërtuar dhe në të cilat qëndron PDK-ja. Kosova ka nevojë për stabilitet dhe ne zotohemi që do të jemi faktor i stabilitetit si parti në opozitë ”, tha Hoxhaj në një konferencë për media.

HOTI MERR PËRGJEGJËSINË PËR REZULTATIN E LDK-së

Kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherë kryeministër në detyrë Avdullah Hoti, tha se Kosova ka përmbyllur një proces të rregullt zgjedhor. Sipas tij, kjo tregon për kulturën demokratike që është vendosur në procese zgjedhore, që siç thotë Hoti, është përmbushje e standardeve evropiane. Ai thotë se pret që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të përmbyllë sa më parë procesin e numërimit të votave dhe certifikimit të rezultateve, që t’i hapet rrugë themelimit të institucioneve të reja të vendit. Qeveria në detyrë, shtoi Hoti, do të kujdeset për mbarëvajtjen e punëve deri në zgjedhjen e qeverisë së re nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. “Rezultatet preliminare janë krejt tjera prej atyre që kemi pritur. Prandaj, unë e marrë përgjegjësinë e plotë për këtë rezultat zgjedhor të LDK-së. Në ditët në vijim do të diskutojmë gjerësisht me organet e LDK-së për këtë. Në emër të LDK-së ne do të jemi mbrojtës të pa kompromis të demokracisë dhe të orientimit properëndimor, duke qenë opozitë konstruktive në interes të shtetit të Kosovës”, tha Hoti./koha.mk/

Comments

comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *